Zbulohet substanca që vret qelizat e kancerit
30 Mars 2019Studiuesit kanë zbuluar në sipërfaqen e limfomave një kompleks proteinash që dëmton qelizat kanceroze. Përdorimi i saktë i mekanizmit në sipërfaqen e qelizave të kancerit, çon në vdekjen e tyre. Nuk është ende e qartë se përse qelizat e kancerit e kanë lënë të hapur këtë "derë". Megjithatë, studiuesit e Universitetit të Bonit dhe kolegët e tyre nga kompania amerikane Caris Life Sciences, kanë zbuluar çelësin e kësaj dere, të ashtuquajturin aptamer. I përdorur siç duhet, ai bëhet fatal për qelizat e kancerit, bëhet e ditur në një njoftim për shtyp nga Universiteti i Bonit'*) .
Aptameret janë sekuenca të shkurtra të ADN-së që - varësisht nga radhitja e njësive ndërtimore gjenetike (nukleotide)- mund të kombinohen në forma të ndryshme. Günter Mayer, profesor i biologjisë kimike në Universitetin e Bonit dhe kolegët e tij kanë zbuluar pikërisht aptamerin e duhur.
Studiuesit duan të studiojnë tani se përse qelizat kanceroze mbajnë mbi sipërfaqen e tyre proteina që shkatërrojnë vetë qelizën. Për këtë ka disa teori. Mayer thotë se kjo mund të vijë nga fakti që proteinat përdoren për të komunikuar me qelizat e tjera dhe për të përhapur tumorin. Derisa të qartësohet, se a mund të përdoren aptameret edhe në terapinë e trajtimit të tumorit, hulumtuesit do të kenë shumë për të bërë. "Deri tani ne i kemi testuar aptamerët vetëm në laborator", thotë Meyer. Por ne duhet të testojmë tani se a kanë efekt këto fragmente DNA-je edhe mbi limfomat në trupa me jetë. Pra, në vitet e ardhshme ata do ta testojnë substancën te minjtë. Veç kësaj, duhet gjejnë edhe mënyrën e dhënies së medikamentit.
*) Ky material është ndryshuar. Në një variant të mëparshëm mungonte burimi i lajmit.