1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shfrytëzimi i kapaciteteve rajonale - shans për turizmin

1 Korrik 2011

Shoqata të operatorëve turistikë nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi e Kosova kanë krijuar organizatën e turizmit rajonal, që nxit dhe menaxhon veprimtarinë në një sektor të rëndësishëm për ekonominë e shteteve fqinje.

https://p.dw.com/p/11nDL
Apartamente për turistët malorë në ThethFotografi: DW

Sadik Malaj, kryetar i Unionit të Operatorëve Turistikë Shqiptarë, UOPSh, e shikon bashkëpunimin rajonal si një bazë suksesi për të gjitha vendet. Ai në një bisedë me DW i referohet katër shteteve kufitare, Shqipërisë, Malit të Zi, Kosovës dhe Maqedonisë, të cilat sipas tij veprojnë si një “unitet turistik” nga njera anë dhe si një “treg komplementar” nga ana tjetër. Në rast se për Malin e Zi përparësi është turizmi i rërës dhe detit, për Shqipërinë është trashëgimia kulturore unike, për Kosovën e Maqedoninë është natyra, atëherë kjo krijon atraktivitet për t'i shkelur këto katër vende, thotë Malaj për DW.

Albanien Tourismus Sadik Malaj
Sadik Malaj, kryetar i Unionit të Operatorëve Turistikë ShqiptarëFotografi: DW

“Mbi këtë bazë katër organizatat tona, UOPSh-i i Shqipërisë, Shoqata e Operatorëve në Kosovë, Dhoma Ekonomike për Turizmin e Maqedonisë dhe Shoqata e Turizmit e Malit të Zi kemi krijuar organizatën për turizmin rajonal, si një organizatë ombrellë, në mënyrë që të koordinojmë veprimtaritë tona në këtë fushë.”

Përmirësimi i infrastrukturës - një domosdoshmëri

Sipas Sadik Malajt duke studiuar kërkesën që vjen nga operatorët europianë, ajo është e kombinuar, dmth që kërkohet të bëhen tur-e në disa nga shtetet tona me stacione të ndryshme në territoret përkatëse. “Ne marrim shumë grupe turistike që na vijnë nga këto vende, qoftë me një ditë ose më shumë. Gjatë sezonit të verës prurjet turistike që kemi nga vendet e rajonit, vetëm nga Mali i Zi hyjnë 60 mijë turistë njëditorë në Shqipëri dhe më shumë se 50 mijë vijnë nga Korfuzi”.

Wanderung Kosovo Albanien Montenegro
Alpinizëm mes Kosovës e ShqipërisëFotografi: DW

Ekspertë të Unionit të Operatorëve Turistikë Shqiptarë shikojnë si domosdoshmëri për përmirësimin e kushteve infrastrukturore në pjesën e Alpeve, ku ende mungojnë shumë rrugëkalime e shtigje që nevojiten për kapërcimin e vizitorëve nga njeri shtet tek tjetri. Vetëm hapja e njërës prej pikave të kalimit kufitar, ajo mes Çeremit (Shqipëri) dhe Plavës (Mal të Zi), ka tre vite që ka mbetur pezull. Frymës së bashkëpunimit që kanë shoqatat e zhvillimit të turizmit duhet t'i përgjigjen autoritetet zyrtare të vendeve të rajonit për të krijuar sa më shumë lehtësi dhe nxitje të investimeve në sektorë specifikë.

Larmia që sjell Ballkani duhet shfrytëzuar për turizmin

Dr. Zenel Shalari pedagog për Ekonominë e Turizmit mendon se rajoni i Ballkanit përbën një “set kurioz” për turistin europian apo nga kontinente të tjera të globit. Ka stacione shumëngjyrëshe, të cilat ngacmojnë shijet dhe preferencat e vizitorëve, thotë dr. Shalari për DW. “Është një rajon shumë i diversifikuar, dmth, për një turist ekzotik, atë që gjen në Shqipëri nuk do ta gjejë në Maqedoni, në Serbi, Mal të Zi apo në Greqi dhe kështu me radhë.

Albanien Tourismus Zenel Shalari
Zenel Shalari, pedagog për Ekonominë e TurizmitFotografi: DW

Është një rajon interesant, dinamik, me shumë kultura, me shumë përplasje, me shumë gjallëri, me shumë ngrohtësi. Në Ballkan njerëzit janë shumë miqësorë, veçanërisht me të huajt. Unë do ta mendoja që këtu është dhe suksesi. Nëse do t'i mendonim shtetet si ‘kioska' më vete atëhere kjo do ta veçojë, do ta ngushtojë e rrudhë klientelën europiane apo më gjerë”.

Mexhit Zogu operator turistik, kryesisht për turizmin malor dhe atë të aventurës, e shikon çelësin e suksesit tek bashkëpunimi me pushtetin lokal.

Janë një sërë problemesh ose pengesash për të cilat mund të japë zgjidhje praktike dhe në një kohë të shkurtër direkt pushteti lokal, thotë ai për DW. “Që të krijohet një infrastrukturë e nevojshme për t'i bërë ballë fluksit të viztorëve të huaj.

Albanien Tourismus Mexhit Zogu
Mexhit Zogu, operator turistikFotografi: DW

Kemi parasysh më shumë këtu rrugët që janë të dëmtuara sidomos në zonat malore dhe pushteti vendor duhet të punojë në këtë drejtim në bashkëpunim me qeverinë qëndrore, sepse duhen fonde që të përballohen vështirësitë që kanë rrugët kryesisht në zonat rurale”.

Gjithashtu për operatorët turistikë të zonave malore një mbështetje konkrete do të ishte kreditimi me terma të butë ose afatgjatë për ristrukturimin e bujtinave dhe vendqëndrimeve tradicionale, që janë mjaft tërheqëse dhe argëtuese për vizitorët vendas e të huaj.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Lindita Arapi