1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

SHBA: Trump lirohet nga akuzat në procesin e Impeachment

14 Shkurt 2021

Ish-presidenti i SHBA, Donald Trump, e kapërceu etapën e dytë të procesit për shkarkimin nga detyra. Ndonëse shtatë republikanë dhe demokratët votuan për impeachment, nuk u arrit shumica e nevojshme e dy të tretave.

https://p.dw.com/p/3pKTo
USA Impeachment Trump Senat
Fotografi: U.S. Senate TV/REUTERS

Gati gjashtë javë pas mësymjes në Kapitol nga përkrahësit e indinjuar të Donald Trump, senati në SHBA e çliroi ish-presidentin nga akuza për „nxitje të trazirave". Shumica e 57 senatorëve votoi për dënimin e republikanit, por kjo nuk ishte e mjaftueshme për të arritur shumicën e nevojshme të dy të tretave me gjithsej 67 vota. 50 demokratë dhe shtatë republikanë votuan për dënimin e Trumpit.

Demokratët kërkuan hapjen e procedurës së shkarkimit nga detyra të presidentit Trump lidhur me rolin e tij gjatë trazirave të mëysmjes në Kapitol më 6 janar 2020. Me këtë demokratët deshën të arrijnë, që ish-presidenti në të ardhmen të mos ketë të drejtë të kandidojë për poste politike në nivel federal. Po të ishte miratur impeachment Trump nuk do të kishte mundësi të kandidonte për president më 2024.

Demokratët e konsiderojnë të vërtetaur përgjegjësinë e Trumpit lidhur me sulmin në Kapitol. Procesi i shkarkimit nga detyra, impeachment, është shqyrtuar qysh nga e marta (09.02) në Senat. Kjo dhomë e Kongresit mori rolin e një gjyqi. Ndonëse edhe shumë republikanë e kritikojnë Trumpin për rolin e tij më 6 janar, ishte e qartë që në fillim të procedurës, se nuk kishte gjasë për dënimin e tij.

Përpara votimit në Senat kryeprokurori demokrat Jamie Raskin tha, se pesha e provave për përgjegjësinë e Trumpit lidhur me mësymjen e përkrahësve të tij në Kapitol më 6 janar është „dominuese dhe e pakundërshtueshme". Deputeti i Kongresit Joe Neguse tërhoqi vëmendjen, se dhuna „mund të kishte qenë vetëm fillimi". Mbrojtësi i Trumpit, Michael van der Veen e paraqiti ish-presidentin si të pafajshëm: "Në asnjë moment Ju nuk keni dëgjuar diçka që do të konsiderohej si inkurajim apo miratim për trazira nga zoti Trump" – çdo pretendim tjetër do të ishte „absurd".

USA Ohio US-Präsident Donald Trump
Fotografi: Reuters/J. Ernst

Rezultati i impeachment pritej

Nisur edhe nga gjasat e pakta për sukses të kësaj procedure për dënimin e Trumpit Senati e përmbylli procesin në një kohë rekord duke hequr dorë nga dëgjimi i dëshmitarëve shtesë. Të shtunën (13.02) senatorët votuan për dëgjimin e dëshmitarëve, gjë që krijoi një pështjellim, por më pas ky votim u anulua.

Të dyja partitë kishin interes, që ta mbyllnin shpejt procedurën e impeachment. Demokratët donin të pengonin që fillimi i presidencës së Joe Bidenit të ishte nën jihen e këtij procesi dhe Senati të bllokohej. Republikanët gjithashtu nuk e dëshironin një proces të stërzgjatur – ata duan të nisin tani një etapë pas Trumpit.

Më 6 janar mbështetësit e presidentit që humbi zgjedhjet hynë me dhunë në Kapitol në kohën që ishte mbledhur Kongresi, për të konfirmuar zyrtarisht fitoren e rivalit të Trumpit, Joe Biden. Gjatë trazirave të dhunshme humbën jetën pesë vetë, ndër ta një polic.

Ky ishte procesi i dytë impeachment ndaj Trumpit në Senat. Në procesin e parë ai duhej të përgjigjej për të ashtuquajturën afera e Ukrainës për shkak të abuzimit me pushtetin dhe pengimin e hetimeve nga Kongresi. Në shkurt 2020 në fund Senati e liroi atë nga të gjitha akuzat.

qu/bru (dpa, rtr, afp)