SHBA sulmojnë degën afgane të milicisë xhihadiste, IS
28 Gusht 2021Sulmi me drone në provincën Nangahar iu drejtua degës rajonale të milicisë xhihadistë, "Shteti Islamik Provinca Khorasan”, IS-K, bëri të ditur një zëdhënës i komandës amerikane Centcom. "Sipas shenjave të para e kemi eliminuar objektivin. Nuk kemi dijeni për viktima civile.”
Presidenti amerikan, Joe Biden pas sulmeve në Kabul, ku humbën jetën 13 ushtarë amerikanë dhe rreth 180 civilë afganë, u betua se SHBA do të kundërsulmonin. "Ne nuk do të falim. Ne nuk do të harrojmë. Ne do t'iu ndjekim dhe do ta paguani këtë”, tha Biden pas sulmit. Zëdhënësja e presidentit, Jen Pseki përforcoi edhe një herë vendosmërinë e presidentit. „Ai e ka bërë të qartë, që nuk do që ata të jetojnë më mbi dhe.” Psaki iu përgjigj me këtë pyetjes, nëse Biden do të urdhërojë vrasjen e tyre apo do t'i nxjerrë para gjyqit. Sulmin në Kabul para dy ditësh e mori përsipër dega afgane e IS-it, IS-K.
Rreziku për sulme të reja
Ambasada amerikane në Kabul u bëri thirrje amerikanëve "menjëherë” të largohen nga portat e aeroportit. Qytetarët amerikanë që ndodhen për momentin tek Porta Abbey, ajo Veriore apo e Ministrisë së re të Punëve të Brendshme duhet të largohen menjëherë”, bëri të ditur ambasada në një publikin të fundit. Edhe të enjten ambasada amerikane kishte publikuar një paralajmërim të tillë. Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby bëri fjalë për „kërcënime konkrete të besueshme” në aeroportin e Kabulit. Ditët e ardhshme janë „më të rrezikshmet e misionit”, tha zëdhënësja e presidentit, Jen Psaki. Megjithatë fluturimet e evakuimit do të kryhen deri në momentin e fundit, bëri të ditur gjenerali, Hank Taylor.
la/wa/cw (dpa, afp, rtr)