1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

SHBA përshëndesin vendimin e qeverisë së Tiranës

16 Gusht 2021

SHBA përshëndesin vendimin e qeverisë së Tiranës pas vendimit që Shqipëria të strehojë qindra refugjatë politikë afganë.

https://p.dw.com/p/3z27Q
BG Fun facts | Etehem Bey Moschee
Fotografi: picture-alliance/robertharding/B. Morandi

SHBA përshëndesin vendimin e qeverisë së Tiranës për strehimin e përkohshëm të qindra refugjatëve politikë afganë, që kanë punuar me strukturat e ushtrisë amerikane dhe u kërcënohet jeta në Afganistan nga talebanët, që dje,(15.08) morën Kabulin dhe hynë në Pallatin e atjeshëm Presidencial.

Robert Menendez, kryetari i Komisionit për Marrdhëniet me Jashtë në Senatin Amerikan, në një postim në twitter shkruan se " mirëpret vendimin e qeverisë shqiptare për t'u dhënë një strehë të sigurtë dhe të përkohshme atyre që ikin nga sulmet e talebanëve në Afganistan. Populli i Shqipërisë, që i tregoi sërish botës se ꞔfarë  do të thotë "Besë” gëzon respektin dhe falenderimet tona,” thekson ai.

Edhe Madeleine Albright, ish-Sekretarja e shtetit, në adminsitratën e Presidentit Clinton, e ka përshëndetur vendimin e qeverisë së Shqipërisë dhe vendeve të tjera, që kanë pranuar të strehojnë refugjatët politikë afganë. ”Duhet të përqëndrohemi në shpëtimin e jetëve në Afganistan ndërkohë që SHBA po punojnë për evakuimin e atyre që janë në mënyrë të veꞔantë në rrezik nga talebanët. Jam mirënjohëse ndaj Shqipërisë, Kanadasë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut që kanë ofruar strehim për aleatët afganë, gratë aktiviste dhe drejtues të shoqërisë civile, Shpresoj, që ky shembull të ndiqet edhe nga vende të tjera,” shkruan në twitter Madeleine Albright.

Kryeministri Rama: Ne nuk themi "Jo”

Vendimin e qeverisë së Tiranës, që miratoi kërkesën e SHBA për të strehuar përkohësisht refugjatë politikë afganë që kanë punuar me forcat ushtarake paqeruajtëse perëndimore në Afganistan e njoftoi dje, (15,08) vetë kryeministri Rama.

Albanien Wahlen | Edi Rama
Fotografi: Hektor Pustina/AP Photo/picture alliance

"Shqipëria, vend anëtar i NATO-s është gati të mbajë pjesën e vet të barrës. "Ne nuk do të themi 'Jo'. Jo vetëm sepse këtë na e kërkojnë aleatët tanë më të mëdhenj, por sepse jemi Shqipëria” shkruajti Kryeministri Rama në faqen e tij në facebook, duke vënë në dukje që në Shqipëri është traditë ndihma ndaj atyre që kanë nevojë. Ai solli në vëmendje mbrojtjen e hebrenjve në vitet e Luftës së Dytë Botërore si edhe pranimin në vitin 2014  të rreth 3.000 anëtarëve të Organizatës Popullore Muxhahedine, në opozitë me Republikën Islamike të Iranit, që janë vendsur në një kamp të ngritur enkas për ta në periferi të Durrësit.

Duke dhënë detaje lidhur me kërkesën e SHBA, Rama, shkruajti në facebook që "Washingtoni  i ka kërkuar Shqipërisë, vend anëtar i NATO-s, të shërbejë si "vend tranzit për një numër refugjatësh politikë afganë që kanë si destinacion final SHBA.” Në vendimin e sapopublikuar nga kryeministri Rama nuk bëhen të njohura detaje lidhur me organizimin e strehimit të përkohshëm të refugjatëve politikë afganë dhe numrin e tyre.

Opozita mirëpret vendimin e kryeministrit Rama

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e quajti ”përgjegjësi të Shqipërisë” ndaj SHBA, pranimin e kërkesës për strehimin e përkohshëm të disa qindra refugjatëve politikë afganë. "Shqipëria ka përgjegjësi për të qëndruar pranë partnerit të saj strategjik dhe aleatëve në zgjidhjen e krizës humanitare që po precipiton në Afganistan. Ajo duhet të bëjë ashtu si dhe më parë pjesën e saj, në proporcion me kushtet dhe mundësitë. Nuk mund të mungojë empatia dhe solidariteti kundrejt atyre që kanë luftuar për krijimin e një rendi demokratik në Afganistan”, shkroi Basha në median sociale.

 

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana