1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

SHBA: Biden i përmbahet votimit të reformës sociale në senat

21 Dhjetor 2021

Nga një shok i partisë varet nëse presidenti i SHBA-së do të arrijë miratimin në senat të paketës bilionëshe për programin social dhe klimën. Por edhe pse në situatë të vështirë Joe Biden nuk do të sprapset.

https://p.dw.com/p/44bmW
Washington US Capitol Weihnachtsbaumbeleuchtung
Fotografi: Tanya E Flores/Planet Pix/Zuma/picture alliance

Prej tij varet gjithçka: Senatori Joe Manchin nga shteti federal West Virginia. 74-vjeçari nga partia demokrate e presidentit Joe Biden pas bisedimesh të gjata me zyrën presidenciale të dielën (19.12) në një intervistë me televizionin Fox News bëri të qartë, se nuk do ta mbështesë paketën prestigjoze për mbrojtjen sociale dhe të klimës.

Votimi në fillim të janarit

Por pavarësisht kësaj, demokratët e Bidenit duan ta kalojnë në votim paketën bilionëshe të presidentit për reforma sociale dhe mbrojtjen e klimës. Drejtuesi i mazhorancës në senat, Chuck Schumer, komunikoi votimin në dhomën e kongresit në fillim të janarit. Me këtë "secili anëtar i këtij forumi ka mundësinë të shprehë mendimin e vet në senat dhe jo në televizion", shkruan Schumer në një letër duke iu referuar senatorit. Meqënëse demokratët në senat si edhe opozita republikane kanë mbi 50 mandate, ata janë të varur prej votës së senatorit Manchin. Vota kyç do të vinte prej zëvendëspresidentes Kamala Harris në funksionin e saj si presidente e senatit.

Sondazhe në rënie për Biden

Me paketën e reformës Biden do të ulë kostot për kujdestarinë për fëmijët, të lehtësojë familjet nga tatimet dhe të zgjerojë gamën e shërbimeve shëndetësore. Mbi 500 miliardë dollarë janë parashikuar për luftën kundër ngrohjes së Tokës. Sondazhet për presidentin janë në rënie për shkak të inflacionit të lartë dhe pandemisë Corona.

Washington Senator Joe Manchin Demokraten
Senatori Joe ManchinFotografi: Reynolds Stefani/ABACA/picture alliance

Senatori Manchin rezistencën e tij e argumenton me shqetësimin për inflacionin. Më pas ai deklaroi gjithashtu, se nga paketa e reformave me një volum prej 1,75 bilionë dollarësh krijohet një barrë borxhi, që për të është e papranueshme. Manchin konsiderohet si përkrahës i nxjerrjes së qymyrit. Shteti i tij federal West Virginia është prodhuesi i dytë i qymyrit në SHBA. Por me gjasë Manchin ka edhe konflikt interesi: vitin e kaluar ai ka fituar më shumë nga dividendi si aksioner në një sipërmarrje qymyri se sa nga paga e tij si senator në SHBA.

Pas një viti në SHBA sërish do të ketë zgjedhje. Grindja e fortë në politikën e brendshme zhvillohet në sfondin e zgjedhjeve për kongresin në nëntor 2022. Në këto zgjedhje demokratët rrezikojnë të humbasin kontrollin në të dy dhomat e kongresit. Në rast se humbasin shumicën në senat dhe në dhomën e përfaqësuesve, kjo do të shënonte fillimin e fundit të presidencës së Bidenit.

 

 

se/rb (rtr, ap, dpa)