SHBA paralajmërojnë Kinën
18 Mars 2022Për të penguar një shkallëzim të mëtejshëm të luftës në Ukrainë, SHBA ka përsëritur kërcënimin në drejtim të Pekinit. Kina duhet të llogarisë me pasoja, nëse do t'i japë ndihmë ushtarake Rusisë, është shprehur Jen Psaki, zëdhënësja e presidentit amerikan. SHBA është shumë e shqetësuar, se Kina do të mbështesë ushtarakisht Rusinë. Presidenti Biden do të diskutojë për këtë me presidentin kinez, Xi Jinping në një telefonatë të premten "hapur dhe drejtpërdrejt", ka thënë Psaki. Të flet shumë fakti, që Kina nuk e dënon luftën e Rusisë në Ukrainë.
Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken është shprehur, se Kina ka përgjegjësi të përdorë influencën e saj tek presidenti rus, Putin dhe të kërkojë respektimin e të drejtës ndërkombëtare. Por duket se Kina, kërkon të bëjë të kundërtën. Deri tani qeveria amerikane nuk ka paraqitur provat për ndihmën e Kinës ndaj Rusisë. Të mërkurën presidenti Biden e cilësoi Vladimir Putinin si "kriminel lufte". Të enjten ai e ashpërsoi tonin duke e quajtur atë "diktator vrasës" (..) që zhvillon një luftë të pamoralshme kundër njerëzve në Ukrainë.
Për shkak të numrit të lartë të viktimave civile shtohen zërat për krime lufte të Moskës. Bashkimi Europian dënon ashpër "krimet e luftës" të Rusisë në Ukrainë, u shpreh Përfaqësuesi i Lartë i BE për Politikën e Jashtme, Josep Borrell. Sulmet e qëllimshme ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile janë "të turpshme, të dënueshme dhe tërësisht të papranueshme", tha Borrell duke vlerësuar se ato janë shkelje të rënda të të drejtës humanitare.
Sulmet ruse vazhdojnë
Ndërkohë Ukraina ka njoftuar për sulme të vazhdueshme natën e së premtes. Në veri të vendti trupat ruse vazhdojnë bllokadën e pjesshme dhe sullmet kundër qytetit Tshernihiv. Edhe në Brovary një rajon përreth Kievit sulmohen rregullisht pozicionet e ushtrisë ukrainase. Ndërsa sipas të dhënave të kreut të bashkisë së Lvivit, forcat ruse kanë sulmuar zonën e aeroportit të qytetit perëndimor ukrainas. "Raketat kanë goditur zonën e aeroportit të Lvivit", shkroi Andrij Sdovy në Facebook, por sulmi nuk ka prekur aeroportin.
Ndërsa në Mariupol sipas të dhënave lokale janë shkatërruar 80% e godinave të banimit dhe 30% e tyre nuk mund të riparohen. "Përditë bien 50-100 bomba në qytet. Shkatërrimi është i madh", shkruan këshilli bashkiak në shërbimin Telegram.
Ndërkohë një ditë pas sulmit në teatrin e Mariupolit është ende e paqartë, se sa vetë janë plagosur ose vrarë. Në një bodrum të teatrit kishin kërkuar ndihmë disa qindra vetë, mes tyre shumë fëmijë. Por nga raportimet e para, duket se bunkeri i nëndheshëm ka rezistuar. Deputetja ukrainase, Olga Stefanyshyna shkroi në Facebook, se "rreth 130 vetë janë shpëtuar ndërkohë. Të dhënat nuk mund të verifikohen.
Pala ruse dhe ukrainase japin të dhëna të ndryshme mbi evakuimin e popullatës civile nga Mariupoli. Sipas të të dhënave ruse janë larguar 43.000 vetë nga qytetit dhe janë ofruar 143 tonë ndihma. Kurse zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshsçuk foli për vetëm 2000 vetë që janë larguar. Edhe këto të dhëna nuk mund të verifikohen.
la/dpa, rtr, afp, ap