1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëAmerika e Veriut

Paneli i Facebook konfirmon bllokimin e mëtejshëm të Trumpit

5 Maj 2021

Komiteti prej 20 anëtarësh gjithashtu kërkon më shumë transparencë nga FB. Ky hap pritet të tërheqë vëmendjen.

https://p.dw.com/p/3t0J8
20.01.2021
20.01.2021Fotografi: Luis M. Alvarez/AP Photo/picture alliance

Ish-Presidenti i SHBA, Donald Trump mbetet për momentin i ndaluar nga Facebook-u. Kjo u vendos nga bordi i pavarur mbikëqyrës i rrjetit online. Por me një paralajmërim.

"Bordi Mbikëqyrës", i përbërë nga ekspertë të pavarur, i kërkoi sipërmarrjes që ta rishqyrtojë çështjen brenda gjashtë muajve. Kjo masë ka të ngjarë të shkaktojë trazira në të gjithë botën, sepse është një tregues se si do t'i trajtojë Facebook në të ardhmen krerët e shteteve dhe qeverive të tilla si liderin më të lartë politik dhe fetar të Iranit, Ali Ali Khamenei ose Presidentin e Brazilit Jair Bolsonaro.

Komiteti prej 20 anëtarësh gjithashtu kërkon më shumë transparencë dhe qartësi nga Facebook në vendimet e ardhshme. Grupi i ekspertëve, i cili përfshin ish-kryeministren daneze Helle Thorning-Schmidt dhe ish-kryeredaktorin e Guardian, Alan Rusbridger, u krijua në përgjigje të kritikave për trajtimin e gjuhës së urrejtjes nga kompania dhe keqinformimit. Që kur filloi në tetor 2020, në këtë panel janë dorëzuar më shumë se 300.000 çështje, nga të cilat ai trajton vetëm ato me rëndësi më të madhe.

Facebook-u e bllokoi Trumpin në janar pak para përfundimit të mandatit të tij, ashtu si veproi edhe Twitter dhe Youtube. Kjo u justifikua me sulmet ndaj Kapitolit në Uashington nga mbështetësit e Trumpit. Në atë kohë, reagimet varionin nga akuzat për censurë te kërkesat për të ndërhyrë edhe më shumë në të ardhmen.

aud (dpa, dlf)