1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

SHBA në kërkim të origjinës së pandemisë së koronavirusit

27 Maj 2021

Nga e ka vërtetë prejardhjen koronavirusi? Pas supozimeve të reja për një aksident në një laborator në Vuhan presidenti i SHBA-së, Biden autorizon shërbimet sekrete, që të hetojnë me themel burimin.

https://p.dw.com/p/3u0qW
Coronavirus China Wuhan medizinisches Personal arbeitet im Labor
Fotografi: Imago Images/Xinhua

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden ka udhëzuar hetime të reja të shërbimeve sekrete për origjinën e pandemisë së koronavirusit, që prej më shumë se një viti e ka vendosur mbarë botën në gjendje të jashtëzakonshme. Shërbimet informative duhet të intensifikojnë përpjekjet e tyre në mbledhjen dhe analizimin e informacioneve për mundësinë e një aksidenti në laboratorin në Kinë dhe brenda 90 ditësh duhet të paraqesin një raport, njoftoi Biden. Në thelb duhet sqaruar çështja, nëse një aksident në institutin studimor në qytetin kinez Vuhan ka shkaktuar pandeminë në mbarë botën. Mbi 3,4 milionë njerëz, sipas të dhënave zyrtare, kanë gjetur vdekjen deri tani prej koronavirusit ose me koronavirusin.

Informacion i rëndësishëm në "Wall Street Journal"

Së fundi një informacion i "Wall Street Journal" i ka dhënë impuls të ri supozimeve për një aksident të mundshëm në Institutin e Virologjisë në Vuhan. Gazeta të dielën (23.05) duke iu referuar një raporti të shërbimeve sekrete të SHBA-së, shkruan, se në nëntor 2019 tre punonjës të institutit qenë sëmurur rëndë aq sa u detyruan të shtrohen në një klinikë. Kina i bëri publike infeksionet e para prej koronavirusit në Vuhan në fund të vitit 2019.

Biden deklaron tani, se ai në mars u ka kërkuar shërbimeve sekrete që të raportojnë lidhur me çështjen nëse shpërthimi i pandemisë ka të bëjë me transmetimin e virusit nga një kafshë tek njeriu, apo me një aksident në laborator. Ky raport i është paraqitur atij në maj. Ndërkohë shërbimet e inteligjencës nuk janë plotësisht të një mendimi, se cila është zanafilla më e mundshme.

Biden kërkon më shumë transparencë nga Kina

China | Coronavirus | WHO Experten in Wuhan
Ekipi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Vuhan, mars 2021Fotografi: kyodo/dpa/picture alliance

Njëkohësisht presidenti i SHBA-së i bëri thirrje qeverisë në Pekin për më shumë transparencë: "SHBA do të vazhdojnë të bashkëpunojnë edhe më tej me partnerët, për të ushtruar presion ndaj Kinës, që të bashkëpunojë për një hetim të plotë, transparent ndërkombëtar të bazuar në fakte dhe të sigurojë qasjen tek të gjitha të dhënat dhe provat relevante."

Shumë shpejt pas fillimit të pandemisë është spekuluar, nëse virusi mund të ketë dalë aksidentalisht nga Instituti në Vuhan, ku studiohen koronaviruset. Qeveria kineze e ka hedhur poshtë energjikisht këtë.

Në mars një ekip ekspertësh ndërkombëtar nën mandatin e OBSH-së e vlerësuan si „ekstremisht të pamundur", që virusi të ketë dalë padashje nga laboratori. Ndaj kjo pistë nuk është hulumtuar më tej. Është më e mundshme „me gjasë deri edhe me shumë gjasë", që virusi SARS-CoV-2 të jetë transmetuar nga një lakuriq nate përmes një kafshe tjetër tek njeriu.

Ndaj këtij raporti shumë shpejt lindën dyshime. Shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus kërkoi, që të verifikohet më tej hipoteza e aksidentit në laboratorin e Vuhanit. Shumë shtete kanë shprehur shqetësimin, se ekspertëve gjatë hulumtimeve të tyre në Vuhan nuk u janë vënë të gjitha të dhënat e nevojshme në dispozicion.

 

 

se/bru (afp, ap, dpa, rtr)