SHBA ndërpret importimin e avokadove nga Meksika
15 Shkurt 2022Meksika është prodhuesi më i madh i avokadove në botë. Por për momentin Meksikës nuk i lejohet të eksportojë avokado në tregun e vet më të rëndësishëm të shitjeve, SHBA. Sipas një deklarate të Ministrisë meksikane të Bujqësisë, SHBA i ndaloi importet e avokadove pasi një inspektor amerikan për prodhime bujqësore dhe shtazore, i cili ishte duke kryer inspektime në qytetin Uruapan, në shtetin meksikan Michoacán, kishte marrë një telefonatë kërcënuese.
Kontrolle për sëmundje dhe mikrobe
Për shkak se edhe SHBA kultivojnë avokado, inspektorë amerikanë për prodhime bujqësore dhe shtazore kontrollojnë në Meksikë avokadot për sëmundje dhe mikrobe që mund të dëmtojnë pemët e avokadove në SHBA.
Michoacán, i vetmi shtet meksikan që ka nga autoritetet amerikane të drejtën e plotë për të eksportuar avokado, vuan, si gjithë Meksika, nga shtimi i dhunës. Fermerët e avokadove raportojnë vazhdinisht për sulme, vjedhje dhe dëbime. Qeveria meksikane dërgoi së fundi rreth 1000 ushtarë në Michoacán.
Goditje e rëndë ekonomike për Meksikën
Avokadot kanë një rëndësi të madhe ekonomike për Meksikën, ku çdo vit mblidhen rreth 1.5 milion ton avokado. Sipas Ministrisë së Bujqësisë vetëm gjashtë javët e fundit prodhuesit në shtetin Michoacán kishin eksportuar në SHBA 135,000 ton avokado.
Një ndalim afatgjatë i importeve të avokadove mund ta godasë rëndë Meksikën, e cila eksporton çdo vit avokado me vlerë prej më shumë se 2.5 miliardë euro.