1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

SHBA: Kina po bëhet gjithnjë e më agresive në Paqësor

25 Korrik 2022

Mark Milley, shefi i Shtabit të SHBA analizoi vitet e fundit, kur janë rritur përplasjet e anijeve kineze me ato të SHBA dhe të aleatëve. SHBA po rrisin praninë në Paqësor.

https://p.dw.com/p/4EZPU
Shefi i Shtabit të SHBA, Mark Milley
Fotografi: Susan Walsh/AP Photo/picture alliance

Sipas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ushtria kineze po bëhet gjithnjë e më agresive. Shefi i Shtabit të SHBA, Mark Milley tha se numri i rasteve në të cilat aeroplanët dhe anijet e Republikës Popullore, për shembull, u pengojnë rrugën Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj në Paqësor ishte rritur ndjeshëm.

Milley iu referua pesë viteve të fundit. Ai theksoi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përpiqeshin të zhvillonin marrëdhëniet e tyre me shtetet e Paqësorit për të kundërpeshuar Pekinin. Vende si Indonezia duan që ushtria amerikane të jetë e pranishme në rajon. Shefi i Shtabit të SHBA është aktualisht në turne në rajonin e Indo-Paqësorit.

Anija amerikane USS Milius ne Detin e Kines se Jugut
Fotografi: Christine Montgomery/U.S. Navy/Zumapress/imago images

Baerbock: Shqetësim për paralajmërimet për pushtimin e mundshëm të Tajvanit

Në intervistën e javës të radios kombëtare gjermane Deutschlandfunk, ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock u shpreh e alarmuar për paralajmërimet e shërbimeve të fsheta perëndimore për një pushtim të mundshëm të Tajvanit nga Kina. Prandaj ajo bëri thirrje për reduktimin e varësisë ekonomike nga Kina. "Ne nuk duhet të bëjmë të njëjtin gabim përsëri," tha politikania e Gjelbër, duke iu referuar mbështetjes në furnizimet ruse me energji.

aud (rtr, dlf)