SHBA dhe Kina rivendosin komunikimet ushtarake
16 Nëntor 2023Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden dhe presidenti kinez Xi Jinping kanë rënë dakord për të rivendosur komunikimin midis forcave ushtarake të vendeve të tyre. Pas takimit të dy presidentëve në Woodside, pranë San Franciskos, Biden tha se rivendosja e komunikimit ishte një çështje "kritike". Mediat kineze raportojnë për rivendosjen e komunikimit ushtarak "mbi bazën e barazisë dhe respektit".
Biden shpjegoi se pa shkëmbimin, mund të ndodhin aksidente dhe keqkuptime. Mediat raportojnë se Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se ndër të tjera është planifikuar takimi i ministrit amerikan të Mbrojtjes Lloyd Austin dhe homologut të tij kinez.
Janë planifikuar edhe bisedime operacionale mes drejtuesve të lartë ushtarakë të të dy vendeve. Thuhet se do të përfshihet edhe komandanti amerikan i Forcave Ajrore të Paqësorit dhe kapitenët e anijes, të cilët do të shkëmbejnë informacione.
Bisedat e drejtpërdrejta telefonike
Biden i përshkroibisedimet si "konstruktive" dhe "produktive". "Sapo përfundova një takim me presidentin Xi që zgjati disa orë dhe besoj se këto janë bisedat më konstruktive dhe produktive që kemi pasur ndonjëherë”, tha presidenti amerikan në një konferencë për shtyp.
Ai dhe Xi ranë dakord gjithashtu që, në rast krizash mes vendeve të tyre, të bisedonin drejtpërdrejt me telefon. Biden tha se ata ranë dakord "që të gjithë mund të marrin telefonin dhe të thërrasin tjetrin drejtpërdrejt dhe të dëgjohen menjëherë".
Bidenshpjegoi se ai nuk pajtohet me Xi për shumë gjëra, por presidenti kinez ishte "thjesht i sinqertë" gjatë bisedës. Ai ende e konsideron atë një diktator "në kuptimin që ai po drejton një vend komunist që mbështetet në një formë qeverisjeje që është krejtësisht e ndryshme nga e jona”, tha presidenti amerikan.
Pika e diskutueshme Tajvani
Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme kineze, Xi i kërkoi SHBA-së që "të ndalojnë armatimin e Tajvanit dhe të mbështesin ribashkimin paqësor të Kinës." Xi tha se Kina do ta bëjë bashkimin, duke shtuar se ky është një proces "i pandalshëm". Xi e siguroi Bidenin se Kina nuk po përpiqet të "kalojë apo të zëvendësojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës” dhe theksoi se SHBA nuk duhet të përpiqet të shtypë Kinën. Nga ana tjetër, presidenti amerikan paralajmëroi udhëheqjen kineze që të mos ndërhyjë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Tajvan, në janar të vitit të ardhshëm.
Tajvani, i cili ndahet nga Kina vetëm nga një ngushticë, ka një qeveri demokratike për dekada. Por Kina e konsideron Tajvanin, me një popullsi prej më shumë se 23 milionë banorësh, një provincë të saj dhe vazhdimisht kërcënon se do ta detyrojë atë të bashkohet me Kinën, qoftë edhe me përdorimin e forcës, nëse është e nevojshme.
Përveç kësaj, sipas agjencisë shtetërore kineze të lajmeve Xinhua, u ra dakord që të fillojnë diskutimet për përdorimin e inteligjencës artificiale në aktivitetet e qeverisë, si dhe formimin e një grupi pune për bashkëpunim në luftën kundër drogës. Gjithashtu është paralajmëruar rritje e trafikut ajror mes dy vendeve.
Nuk ka mundësi t'i kthejmë shpinën njëri-tjetrit
Në fillim të takimit, Biden bëri thirrje për raporte të përgjegjshme midis SHBA-së dhe Kinës. Konkurrenca mes këtyre dy vendeve nuk duhet të kthehet në konflikt. Xi foli për "marrëdhëniet dypalëshe më të rëndësishme në botë" dhe shtoi se ai dhe Biden mbajnë një përgjegjësi të madhe ndaj popujve të tyre, botës dhe historisë. "Për dy vende të mëdha si Kina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke i kthyer shpinën njëri-tjetri nuk është një opsion," tha Xi.
Takimi i parë pas më shumë se një viti
Marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Kinës kanë qenë shumë të tensionuara për një kohë të gjatë. Biden dhe Xi nuk janë takuar dhe nuk kanë folur personalisht që nga samiti i G20 i nëntorit 2022 në Bali. Ndonëse gjatë muajve të kaluar janë zhvilluar takime dhe bisedime të ndryshme ndërmjet përfaqësuesve të lartë të qeverisë nga të dyja palët, takime të drejtpërdrejta mes dy presidentëve nuk ka pasur.