1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sharje dhe kërcënime ndaj gazetarëve në Slloveni

6 Maj 2020

Blaž Zgaga, fitues i çmimit Freedom of Speech Award (FOSA) nga Deutsche Welle, po përballet me fyerje dhe kërcënime, sepse ka kritikuar qeverinë për masat e krizës për Coronën.

https://p.dw.com/p/3bpCw
Slowenien Blaz Zgaga Journalist
Fotografi: Nacional/Zomislav Čuveljak

Gazetarë sllovenë që nuk pajtohen me qeverinë e tyre po përballen këto ditë në Twitter ose Facebook me të shara, fyerje e madje edhe kërcënime me vdekje. Kjo vlen edhe për yjet e televizionit publik. Sikur të mos mjaftonin këto kërcënime edhe kryeministri u dha gazetarëve një goditje të fuqishme: "Nën patronazhin e së majtës ekstreme RTV Slovenija është bërë një nxitës qendror i urrejtjes dhe kërcënimeve". Sipas tij radio-televizioni publik slloven RTV Slovenija, është pjesë e një "grupi ogurzi" që kërcënon "shëndetin dhe jetën" gjatë epidemisë së Coronës.

Epidemia si pretekst

Askund në Evropë lufta për masat e krizës për Coronën nuk po zhvillohet kaq e fortë sa në Slloveni. Kryeministri i ri, Janez Janša, ka vetëm  gjashtë javë në detyrë dhe po përpiqet të përdorë momentin për të zgjeruar më tej pushtetin e tij. Epidemia është një mundësi unike për ta bërë këtë: armiku është virusi, dhe kushdo që kritikon qeverinë është i lidhur me virusin. Edhe emërimet dhe largimet nga detyra në televizionin publik justifikohen me gjendjen e emergjencës. Në kohë normale shanset për ndryshime të tilla do të ishin të pakta. Janša udhëheq një koalicion të dobët prej tre partish. Me qëllimet e tij nacionaliste të djathta dhe qeverisjen autoritare, 61-vjeçari nuk ka as shumicë në qeveri, e lëre më popullsi.

Slowenien Konservativer Politiker Konservativer Politiker Janez Jansa als Regierungschef vereidigt
Kryeministri slloven Janez Janša,Fotografi: AFP/J. Makovec

Sapo u bë e njohur se gazetari investigativ Blaž Zgaga u nderua me çmimin Freedom of Speech Award (FOSA) nga Deutsche Welle, ai u godit në mediat sociale me një sulm të stilit rus. "Fakti që Zgaga mori çmimin është dëshmi se askush nuk di sllovenisht në Deutsche Welle" - u shpreh p.sh. një deputet i partisë qeveritare. Qindra trollë nga llogari të rreme po shajnë këto ditë "lajmet e rreme të drejtuara nga George Soros".

Fushata qeveritare

Burimi kryesor i fushatave është radiostacioni privat Nova24, i themeluar pesë vjet më parë sipas modelit të FoxNews në SHBA për të thyer hegjemoninë e mediave liberale. Nova24 sulmon refugjatët, homoseksualët dhe romët dhe financohet nga partia e Janšas SDS, e cila është e afërt me Orbánin. Në mes të marsit shefi i Nova24 Aleš Hojs, një nga twitteristët më të etur, u bë ministër i Brendshëm në qeverinë e drejtuar nga SDS.

Sulme personale kundër Zgagas

Blaž Zgaga është figurë e urruyer për kampin e Janšas pasi zbuloi një skandal për blerjen e tankeve finlandeze më shumë se dhjetë vjet më parë. Ekspertiza e tij ishte e padiskutueshme: me një koleg të radios, ai botoi tri vëllime mbi kontrabandën e armëve në kohën e luftërave në Jugosllavi - një vepër standarde me më shumë se 1.300 faqe e hulumtuar me përpikëri. Që nga ajo kohë, ish-redaktori i gazetës së Mariborit "Večer" ka shkruar kryesisht për mediat e huaja, përfshirë "Spiegel" dhe "Guardian". Në shkrimet e tij ai nuk është marrë vetëm me Janšan dhe kampin e tij - por edhe me ish-presidentin Milan Kuçan, i cili qe përfshirë në një tregti armësh. Kur gazetari shkruajti për korrupsionin në furnizimin me aparate frymëmarrjeje në fillim të muajit prill, kryeministri Janša e sulmoi personalisht atë - një veprim i palejueshëm për qeveritë demokratike. Zgaga "i përtyp gënjeshtrat e tij për dekada të tëra", shkroi kryeministri në Twitter.

Në intervistë me DW, Zgaga tha se jeton në një izolim të dyfishtë: "Nga njëra anë për shkak të Coronës, nga ana tjetër për shkak të kërcënimeve që mora. Për ca kohë guxoja të dilja nga banesa vetëm natën". Ai është i vetëdijshëm se politika nganjëherë ka si qëllim frikësimin e gazetarëve dhe shmangien e kritikave ndaj shtetit. "Ne të gjithë duhet të jetojmë të frikësuar, qëllimi është një diktaturë e frikës," tha gazetari investigativ, fitues i çmimit Freedom of Speech Award.