Sfond terrorist apo kriminal? Gjendet lëndë eksplozive në Koblenc dhe në Dortmund
2 Gusht 2006Për rrugën e përditshme deri tek stacioni i trenit të gjithë udhëtarëve u duhet më shumë kohë, sepse të gjitha rrugët për në stacion janë bllokuar me shiritin e kuq të policisë. Gjithashtu makinat e policisë kanë bllokuar rrugën. Ajo që kish ndodhur në stacionin e trenit, fillimisht nuk u mor vesh përreth tij. Por pas një ore pritjeje zëdhënësi i policisë Ralf Shomish dha lajmin qetësues: valixhja me bombë mundi të çaktivizohet: "Ishte një valixhe, që u dërgua nga treni në zyrën e sendeve të humbura. Gjatë një kontrolli rutinë të sendeve të humbura, pra valixhja u konsiderua si e tillë, dhe gjatë përpjekjeve për të identifikuar pronarin e saj, valixhja u mor më shumë nën lupë dhe u klasifikua më pas si e rreziksshme dhe e dyshimtë."
Valixhja u ruajt natën e së hënës (01.08) duke gdhirë e marta (02.08) në stacionin e trenit të Koblencit. Ajo u gjet një ditë pas valixhes në Dortmund, vetëm se në Koblenc fillimisht atë nuk e pa askush. Valixhja e gjetur në Koblenc është e ngjashme me atë të Dortmundit dhe ndërkohë sipas ekspertit ligjor Mihael Refenberger s´ka dyshim: "Prokuroria federale konfirmon, se konstruktimi i lëndës shpërthyese si në Dortmund edhe në Koblenc është identik. Kjo do të thotë, se nëpër valixhe janë gjetur 11 litra shishe me gaz propani si dhe një sahat bashkë me kurdisësin, baterinë dhe ndezësin."
Pasi u gjet valixhja e dytë brenda 24 orëve u vu në veprim prokuroria. Për shkak të kontekstit kohor ndërkohë po hetohet kundër personave të panjohur me dyshimin për anëtarësi në ndonjë bandë terroriste, vë në dukje prokuroria.
Nëse vërtetë kemi të bëjmë me tentativa të qëllimshme për sulm, është ndërkohë e paqartë. Eksperti i terrorizmit Elmar Tevesen tërheq vëmendjen për të pasur kujdes: "Ne kemi pasur një rast të ngjashëm në vitin 2003. Në stacionin e trenit në Drezden u gjet një valixhe bombë. Atëherë kishim të bënim me një tentativë për të ushtruar presion. Ka të ngjarë që edhe kësaj here të kemi të njëjtin rast."
Por për të ushtruar presion do të mjaftonte një valixhe sa për të përhapur frikë, thotë eksperti i terrorizmit Tevesen. Dy valixhe, kjo do të thotë se ka shumë gjasa që kemi të bëjmë me një aksion të organizuar. Sipas Tevesen aktualisht autoritetet e rendit s´kanë të dhëna konkrete për sulme eventuale terroriste. "Ka pasur vazhdimisht të dhëna abstrakte, si p.sh. përmes internetit, ose në bisedat telefonike, nisur nga gjendja në Lindjen e Mesme e lufta në Liban, që ndokush mund të ketë thënë se është i gatshëm të veprojë ndoshta këtu në Gjermani, por s´kemi pasur asgjë konkrete në këtë drejtim. Ndaj autoritetet s´mund të nxjerrin konkluzione nga njëri apo tjetri rast."
Ndërkohë shoqëria gjermane e hekurudhave ka nisur të marrë masat e sigurisë duke u bërë thirrje punonjësve të vet për të qenë sa më të vëmendshëm. Personeli i sigurisë dhe nëpunësit duhet t´i bëjnë sytë katër, thotë një zëdhënës.