1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Serbia njofton se do të hiqen barrikadat

29 Dhjetor 2022

Presidenti Vuçiq ka bërë të ditur heqjen e barrikadave në veriun e Kosovës. Një gjykatës në Prishtinë mori vendimin për kalimin në arrest shtëpiak të ish-policit serb të arrestuar për sulm ndaj institucioneve të KQZ-së.

https://p.dw.com/p/4LW6r
Kosovo Metrovica Straßenblockade
Fotografi: Vudi Xhymshiti/AA/picture alliance

Serbët do të fillojnë me heqjen e barrikadave, bëri të ditur presidenti serb, Aleksandad Vuçiq pas një takimi me serbët nga veriu i Kosovës në qytetin serb të Rashkës. "Ky është një proces i vështirë. Do të zgjasë një periudhë." Barrikadat janë ngritur prej 19 ditësh në veriun e Kosovës. Serbët filluan me ngritjen e barrikadave pas arrestimit të një ish-polici serb, Dejan Pantiq, i cili është i dyshuar për organizimin e një sulmi ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri. Në ditët e para të vendosjes së barrikadave pati edhe shpërthime dhe shkrepje të armëve të zjarrit. Serbët kishin kërkuar lirimin e tij. Të mërkurën një gjykatës në Prishtinë vendosi kalimin e tij në arrest shtëpiak.

Serbian President Aleksandar Vucic
Fotografi: Milos Miskov/AA/picture alliance

Tensionet u ashpërsuan pasi Serbia vendosi ushtrinë në gjendje të lartë gatishmërie dhe Kosova mbylli të mërkurën pikën kufitare Merdare, pika më e madhe kufitare mes Kosovës dhe Serbisë. SHBA, NATO, BE u shprehën të mërkurën të shqetësuara për zhvillimet në veriun e Kosovës dhe kërkuan vetëpërmbajtje dhe gatishmëri për dialog. Edhe qeveria gjermane u shpreh e shqetësuar për zhvillimet në veri dhe kritikoi retorikën nacionaliste të Serbisë. Ajo u bëri thirrje serbëve të Kosovës që të heqin barrikadat dhe të kthehen në institucionet e Kosovës. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, Christoph Burger, tha në konferencën e rregullt për shtyp në Berlin: "Jemi shumë të shqetësuar për tensionet në veri të Kosovës. Barrikadat ilegale të ngritura nga serbët e Kosovës duhet të hiqen sa më shpejt."

Kosovo Metrovica KFOR
Fotografi: Vudi Xhymshiti/AA/picture alliance

la/ag