Serbia lejon qarkullimin e targave RKS në territorin e saj
26 Dhjetor 2023Qeveria e Serbisë mori vendim që nga data 01.01.2024 të lejojë qarkullimin e targave të Republikës së Kosovës (RKS) edhe në territorin e saj. Deri tani qytetarët e Kosovës duhet të mbulonin me letër ngjitëse simbolet e shtetit të Kosovës, kur qarkullonin në territorin e Serbisë. Lajmin për pranimin e targave të Kosovës e bëri të ditur Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i cili tha se "Serbia po respekton marrëveshjen e arritur në vitin 2011 në Bruksel për lëvizjen e lirë dhe lehtësimin e lëvizjes së makinave për serbët e Kosovës”.
Petkoviq: Vendim praktik, jo njohje e Kosovës
"Lejimi i të gjitha automjeteve të regjistruara nga Institucionet e Përkohshme të Vetëqeverisjes në Prishtinë për të marrë pjesë në qarkullimin në rrugë, bëhet ekskluzivisht për arsye praktike, me qëllim që të lehtësohet gjendja e individëve dhe të mundësohet liria e tyre e lëvizjes”, tha Petar Petkoviq, duke insistuar se kjo nuk mund të kuptohet si njohje e pavarësisë së Kosovës.
"Është një vendim i rëndësishëm dhe domethënës që tregon qartë se nuk ka njohje të Kosovës dhe se nuk ka anëtarësim të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara si dhe në organizatat dhe agjencitë tjera të OKB-së”, tha Petkoviq, duke i rikujtuar Prishtinës zyrtare siç tha "Le të negociojmë dhe të diskutojmë në drejtim të kompromisit, por, në asnjë mënyrë njohje apo anëtarësimin e Kosovës në OKB”.
Targa të reja
Në gusht të vitit të shkuar Kosova dhe Serbia në kuadër të dialogut, arritën një marrëveshje për përdorimin e dokumenteve të identifikimit dhe targave të makinave. Për serbët e Kosovës që mbanin targa të makinave ilegale, qeveria dha afat deri më 15 dhjetor të këtij viti që t'i konvertojnë targat e tyre në RKS. Sipas të dhënave nga Ministria e Brendshme e Kosovës, rreth 4 mijë e 200 vetura të serbëve janë me targa të reja, ndërsa, shumë të tjerë i kanë regjistruar makinat e tyre edhe në Serbi dhe ata natyrisht lejohen t'i përdorin ato edhe në Kosovë sikurse targat e çdo vendi tjetër.