1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Serbia dhe Kroacia masin forcat

Nemanja Rujevic15 Janar 2016

Gara për armatim në Ballkan: Kroacia do të blejë armë amerikane, ndërsa Serbia armë ruse. Kjo garë ka shkaktuar tensione të dukshme në raportet mes Beogradit dhe Zagrebit. Në sfond shihet edhe një konflikt strategjik.

https://p.dw.com/p/1HeGe
Kroatien Kolinda Grabar-Kitarovic
Fotografi: picture alliance/PIXSELL/Z. Lukunic

Në sfond mund të shihet vetëm një luftë me shkurtesa: M270 MLRS kundër S-300. Ajo që duket si një "luftë e yjeve" është në fakt vetëm vazhdimësi e kundërshtimeve të përhershme latente mes Kroacisë dhe Serbisë. Nga mesi i tetorit, Ministria kroate e Mbrojtjes ka marrë nga pala amerikane 16 sisteme portative artilerike, që nuk është asgjë e pazakonshme, sepse Pentagoni i furnizon me armë partnerët në NATO. Por Kroacia, sipas raporteve të fundit të mediave, do të porosisë edhe projektilë balistikë për mbrojtje nga raketat, të cilat mund të arrijnë një largësi deri në 300 kilometra. "Armë të fuqishme, të cilat e ndryshojnë tërësisht balancën ushtarake në rajon", shkruan gazeta kroate Jutarnji list.


Serbia u shqetësua menjëherë. Kroatët me siguri që nuk po furnizohen me armë për t'i vënë në muze, deklaroi kryeministri serb Aleksandar Vuçiç. Me këto armë Kroacia mund të sulmojë teorikisht çdo pjesë të Serbisë. "Por ne nuk do të jemi objektiv i lehtë", tha Vuçiçi, pas një takimi me zëvendëskryeministrin rus Dmitri Rogozin javën e kaluar në Beograd. Mysafiri rus i ka ofruar palës serbe komplekset kundërajrore S-300. Një model S-300, Rogozin ia ka dhuruar Vuçiçit para kamerave televizive. Prej sulmeve të NATO-s kundër Serbisë në vitin 1999, kjo armë ka një emër gati mitologjik në Serbi, dhe shumëkush në Serbi thotë se lufta do të kishte përfunduar ndryshe sikur Rusia ta kishte furnizuar Serbinë me këto armë gjatë luftës.

Pa dashuri fqinjësore

Gara në armatime mes ish-kundërshtarëve në luftë, Kroacisë dhe Serbisë është absurde, mendon analisti Lubodrag Stojadinoviç. "Këtu po ndizen projektile verbale, ndonëse mundësia e konfliktit real ushtarak është vërtet shumë e vogël. Kjo është  më shumë një luftë psikologjike ballkanike", thotë Stojadinoviç në një bisedë me DW. Ngjashëm mendon edhe eksperti nga Zagrebi Ozren Zhunec. Sepse as Kroacia dhe as Serbia nuk kanë ndonjë shkak politik, ekonomik, etik apo ndonjë shkak tjetër, për prishjen e mëtejshme të raporteve mes Beogradit dhe Zagrebit. "Armatimi po trajtohet më shumë si temë e nxehtë nga mediat. Edhe disa politikanë shohin mundësinë që të mbledhin pikë politike", thotë Zhunec, në bisedë me DW.
Ngacmimet retorike mes Serbisë dhe Kroacisë janë një taktikë e vjetër politike, për të fituar mbështetje para zgjedhësve të tyre. Kështu ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç së fundi tha: "Ne i respektojmë edhe kroatët si fqinj, por nuk i duam ata. Ne i duam aq sa edhe Papua-Neuguinea-n". Natyrisht që edhe përgjigja e palës tjetër ishte shumë e shpejtë. Ministri kroat i Mbrojtjes, Ante Kotromanoviç rikujtoi se Daçiçi dhe kryeministri Vuçiç janë angazhur për luftë kundër Kroacisë, në vitet 90-të. "Serbia mendon se mund të anëtarësohet në BE dhe të vazhdojë bashkëpunimin me Rusinë? E pamundur!," kërcënoi ai.

Matje e forcave mes SHBA dhe Rusisë?


Disa vëzhgues shohin edhe elemente tragjikomike të këtij konflikti. Dy vende ballkanike garojnë me armët Hightech të fuqive të mëdha botërore, ndonëse as vet nuk janë të sigurta a mund t'i marrin këto armë. Politologu kroat Tomislav Jakiç mendon se kjo megjithatë nuk është qesharake, sepse në sfond mund të shihet edhe një matje forcash mes fuqive të mëdha botërore. "Kjo e dëmton Kroacinë dhe Serbinë, si dhe tërë rajonin. Këto vende duhet të jenë të vetëdijshme për pasojat", thotë ai në bisedë me DW.


Ekspertët e sigurisë nuk e përjashtojnë mundësinë që Kroacia vërtet të furnizohet me këto sisteme moderne, me qëllim që Serbia e afërt me Rusinë dhe si kundërshtare e NATO-s të rimendojë qëndrimin për anëtarësim në BE. Serbia dhe Bosnje-Hercegovina janë aktualisht vendet e vetme ballkanike, të cilat nuk janë anëtarësuar në NATO. "Perëndimi i beson orientimit properëndimor të Serbisë", pohon ambasadori Ernst Reichel. Por edhe pa armatime të reja, mes Kroacisë dhe Serbisë ende ka shumë tema të paqarta.