Sensacion: Islanda mposhti Anglinë
28 Qershor 2016Islanda mundi Anglinë me plot meritë në të tetën e finales së Kampionatit Evropian në Francë, me rezultat 2:1. Në vendin me vetëm rreth 300.000 banorë po mbretëron një atmosferë e paparë. Islandezët po jetojnë suksesin më të madh në futboll në të gjithë kohërat. Ndërsa anglezët e drejtuar nga trajneri Roy Hodgson, përjetuan një "turp" të "pafalshëm". Të paktën kështu mendojnë mediat angleze, të cilat e kanë përjetuar shumë rëndë humbjen nga Islanda në Euro 2016. Hodgson ka ofruar menjëherë dorëheqjen nga posti i trajnerit të kombëtares.
Islandë - Francë
Në çerkefinale, Islanda do të ndeshet me nikoqirin e Kampionatit - Francën, e cila në të tetën e finales pati probleme serioze me Irlandën. Por francezët llogarisin se do të kalojnë edhe në gjysmëfinale dhe do të ndalin flutrurimin e Islandës. Ndërsa në gjysmëfinale i pret fituesi i duelit më interesant në çerekfinale: Gjermani - Itali. Gjermania ka fituar me lojën më të bindshme deri tani kundër Sllovakisë me rezultat 3:0. Por edhe italianët treguan një lojë jashtëzakonisht të pjekur dhe të mirë kundër Spanjës, duke e mposhtur me rezultat 2:0. Ishte kjo një lloj "hakmarrjeje" e "azurëve" kundër "furisë së kuqe", për humbjen e thellë në finalen e KE para katër vitesh, me rezultat 4:0.
Tradita kundër gjermanëve
Gjermania nuk ka fituar kurrë në duelet me Italinë në ndonjë garë zyrtare, në ndonjë kampionat evropian apo botëror. Trajneri gjerman Joachim Löë thotë se ka ardhur koha që të ndërprietet kjo traditë. Por lehtë me siguri që nuk do të jetë, sepse Italia ka treguar deri tani një lojë jashtëzakonisht të mirë (ndër tjerash ka mundur jo vetëm Spanjën por në ndeshjen e parë edhe një kandidat tjetër për titull - Belgjikën me rezultat 2:0).
Në dy ndeshjet e tjera të çerkefinales takohen: Polonia (e ka mundur Zvicrën) me Portugalinë (fituese ndaj Kroacisë). Si dhe Belgjika (mundi bindshëm Hungarinë) dhe Wellsi (që fitoi Irlandën e Veriut).