1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Müllentsorger

12 Qershor 2010

Të ngrihesh herët është stresante? Punonjësi i seleksionimit të mbeturinave në Hamburg, Michael Speckin është i bindur për të kundërtën. Jetë cilësore për të do të thotë një kafe në mëngjes dhe pak muhabet me kolegët.

https://p.dw.com/p/MAJG
Michael Speckin nga Hamburgu
Michael Speckin nga Hamburgu

"Nuk ka rëndësi sa fle, një orë apo dhjetë," thotë Michael Speckin. Çdo mëngjes ai çohet në orën 5 e gjysmë për t'u ndarë nga i biri. "Pastaj dal në dritare dhe ia bëj me dorë, megjithëse ai është 21 vjeç," shton Michael, babai i dy djemve. Orët e para të mëngjesit kanë rëndësi shumë të madhe për plehraxhiun Speckin, sepse ai është kundër nxitimit. Një kafe, një cigare dhe rreth orës shtatë duhet të shfaqet në punë. Dita nuk duhet nisur me stres, mengon ai dhe është i bindur për këtë.

Dita e punës në pikën e eliminimit të plehrave fillon në orën 7:45. Megjithatë të gjithë punonjësit vijnë në punë një orë më përpara. Rrinë së bashku, pijnë një kafe, një cigare, tregojnë të rejat e fundit dhe përjetimet e mbrëmjes së mëparshme. Ky takim i mëngjesit është ritual i zakonshëm për plehraxhinjtë në Gjermani, shpjegon 47 vjeçari Speckin. Kush nuk është i gatshëm ta bëjë këtë, nuk do të jetë kurrë pjesë e trupës.

„Shoqëri burrash“

Gesichter Deutschlands MiSpP1
Fotografi: DW

Michael Speckin punon që në vitin 1987 në ndërmarrjen e pastrimit të qytetit të Hamburgut. Deri para tre vjet e gjysëm ai lëvizte nëpër qytet me makinat e mbledhjes së plehrave. Por një ditë i filluan dhimbjet e shpinës. Pas dy operacionesh ai shkoi në pikën e seleksionimit të plehrave. Këtu nuk i duhet të ngrejë pesha të rënda. Detyra e tij e re është të koordinojë seleksionimin e plehrave që sjellin njerëzit këtu. Në pikën e seleksionimit të plehrave ndodhen një duzinë kóntenierësh të ndryshëm. Plehrat seleksionohen para se të eliminohen, që nga gjethet deri tek teknika, që nga mobiljet e deri tek tapat e shisheve.

Në pikën e seleksionimit të plehrave punojnë vetëm burra. "Kjo është një shoqëri burrash. Ne jemi 9 orë të ditës bashkë, kështu që dimë shumë gjëra për njëri tjetrin. Jam shumë i gëzuar, që jemi vetëm burra. Ka shumë gjëra që ne i ndajmë me njeri tjetrin“.

Kafe me litra

Gesichter Deutschlands MiSpP2
Fotografi: DW

Kolegët ndajnë punën pa bërë fjalë, shohin çfarë është duke bërë tjetri dhe çfarë ka mbetur për t'u bërë. „Me klientët duhet sjellë gjithnjë në mënyrë miqësore,“ kjo është motoja personale e Michael Speckin-it. Prandaj disa prej tyre nuk vijnë këtu vetëm për shkak të plehrave. „Shumë vetë vijnë 3-4 herë në javë dhe sjellin pak plehra, dhe kuptohet që kanë ardhur në fakt për të bërë pak muhabet," tregon Speckin.

Njerëzit tregojnë nganjëherë histori për plehrat e tyre, nga i kanë nxjerrë, pse i kanë përdorur, pse i hedhin. Plehraxhiu nënqesh, këtu në pikën e seleksionimit të plehrave, njeriu duhet të jetë "një gjysëm-psikolog". Shpesh këtu vijnë dhe kolegë të vjetër, që kanë dalë në pension ose ata që janë me pushime. Kush vjen qeraset me kafe. Plehraxhinjtë pijnë sasi të mëdha kafeje, Michael Speckin pi rreth 20 filxhanë në ditë. Këtyre u shtohen edhe 20 cigaret. Nganjëherë ai shqetësohet për shëndetin dhe do të donte të mos pinte më cigare, i ungji ka vdekur nga kanceri i mushkërivë.

Një punë e sigurtë

Gesichter Deutschlands MiSpP3
Fotografi: DW

Michael Speckin punon pa pushim që kur ka qenë 15 vjeç. Direkt pas shkollës ai filloi punën në port. Në fakt do të kishte dashur të ishte bërë mekanik ose marangoz, por në atë kohë nuk gjeti vend për mësimin e profesionit. Më vonë filloi të fitonte para dhe nuk e vrau më mendjen për të mësuar profesion tjetër. Ai është i kënaqur me profesionin e tanishëm: „Në parim është një punë e sigurtë. Kur punon për bashkinë, nuk pushohesh nga puna, sepse bashkia nuk mund të falimentojë. Dhe plehrat nuk mbarojnë kurrë“. Atij nuk i bën përshtypje prestigji i pakët që ka puna e tij. Ai nuk mërzitet kur dikush thotë: „Ah, ai është plehraxhi!“ shpjegon Speckin dhe thotë i sigurt se ai është krenar për punën që bën.

Nga mbrëmja deri në faqen e fundit

Pas pune Michael Speckin shkon direkt në shtëpi. Ai nuk mund ta kuptojë jetën pa familjen, dhe nuk ka jetuar kurrë vetëm: „Mua nuk më pëlqen kur gruaja ime nuk fle në shtëpi. Kur nuk është ajo këtu, nuk fle dot as unë“. 2-3 herë në javë Speckin shkon në një studio fitnesi. Kurse kohën tjetër e kalon me teknikën që ka mbledhur në bodrum.

Atje ai kërkon në internet përgjigje për pyetjet që i kanë dalë gjatë ditës. Ai merret me programet e reja dhe riparon me raste aparatet e të njohurve. Në mbrëmje lexon romane western dhe science-fiction. Autorët e tij të preferuar janë William Shatner dhe Dan Brown. Librin e këtij të fundit, thrillerin me 700 faqe, „Illuminati“ e lexoi brenda dy mbrëmjeve. „Kur filloj të lexoj një libër që më tërheq, dua ta mbaroj patjetër“, thotë plehraxhiu 47-vjeçar. Atëherë mund të qëllojë që të lexojë deri në 3 ose 4 të mëngjesit. Orët që i kanë mbetur për të fjetur i mjaftojnë për ditën tjetër.

Autore: Olga Sosnytska/ Aida Cama

Redaktoi: Mathias von Hein/Auron Dodi