1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

200910 IAA Nutzfahrzeuge

20 Shtator 2010

Më 23 shtator hap portat panairi i 63-të Ndërkombëtar i Automjeteve të Transportit, IAA, në Hanover. Mbi 1.700 ekspozues nga 42 vende prezantojnë gjithçka që ka të bëjë me automjetet e transportit në të ardhmen.

https://p.dw.com/p/PH4m
Emblema e MAN në një kamion.
Emblema e MAN në një kamion.Fotografi: AP

Një e ardhme kjo që deri para pak kohësh ishte e turbullt, pasi kriza financiare botërore preku edhe tregun ndërkombëtar të logjisitikës, gjë që çoi në rënien e dukshme të shifrave të shitjes dhe të prodhimit të këtyre automjeteve. Me hovin koniunkturor 2010 është kthyer sërish besimi: sërish po prodhohen dhe po shiten më shumë kamionë dhe automjete transporti.

Dega gjermane e automjeteve të transportit po shënon përsëri rritje. Pas dy viteve katastrofike në muajt e parë të 2010-ës prodhimi gjerman u rrit rreth 44% kundrejt një viti më parë, me 213.000 automjete të prodhuara të kësaj kategorie.

Kësisoj prodhuesit gjermanë të kamionëve, transportuesve, rimorkiove dhe autobusëve e morrën veten më shpejt nga kriza në krahasim me tregun botëror, thotë Matthias Wissmann, president i shoqatës së Industrisë Gjermane të Automobilëve: "Prodhimi mbarëbotëror i automjeteve të transportit - kamionë të vegjël dhe të mëdhenj - në vitin 2010 do të rritet me dhjetë përqind në 11,7 milionë njësi."

Matthias Wissmann, president i shoqatës së Industrisë Gjermane të Automobilëve
Matthias Wissmann, president i shoqatës së Industrisë Gjermane të AutomobilëveFotografi: iaa.de

135 përqind porosi

Shoqata e lobingut të industrisë gjermane të automobilëve është e sigurtë se në 2010 kuota gjermane në prodhimin mbarëbotëror të këtyre automjeteve do të rritet dukshëm. Porositë për kamionët e mëdhenj gjatë tetë muajve të fundit për Daimlerin, MAN dhe Co u rritën në 135 përqind. Sa u përket kamionëve dhe transportuesve të vegjël në të njëjtën periudhë rritja e porosive është me 43 përqind. Shifra të konsiderueshme rritjeje, të cilat janë vërtetë spektakolare, duke pasur parasysh që humbjet në këtë sektor gjatë krizës ishin të mëdha.

Një shembull është Evropa Perëndimore vëren Mathias Wissmann: "Në 2008 prodhimi i automjeteve të transportit në Evropën Perëndimore kishte një volum 2,3 milionë njësi. Në 2010 ky prodhim në Evropën Perëndimore me 1,4 milionë njësi do të jetë 40 përqind nën nivelin e vitit 2008."

Në tregun gjerman gjatë vitit 2010 do të rritet sërish me rreth 14 përqind numri i automjeteve të reja të transportit, që do të lejohen për qarkullim. Prodhuesit gjermanë përfitojnë shumë nga bumi i tregjeve në Kinë, në Brazil dhe në Indi.

'CEO' car
'CEO' carFotografi: AP

Kina me hov

Por konkurrenca atje është jashtëzakonisht e fortë, gjë që e konfirmon edhe një studim i Qendrës së studimeve Automotive pranë Universitetit Duisburg-Esen: Në bazë të këtij studimi për herë të parë koncerni i Shtutgartit Daimler u zëvendësua në pozicionin si prodhuesi më i madh në botë i automjeteve të transportit nga prodhuesi kinez Beiqi Foton. Me një prodhim vjetor prej 580.000 vitin e kaluar prodhuesi i kinez ia kaloi Daimlerit, kjo për arësye se Daimleri u prek rëndë nga kriza. Koncerni i Shtutgartit prodhon aktualisht rreth 150.000 njësi më pak se kinezët.

Motorët alternativë të padëmshëm për klimën

Panairi i sivjetëm IAA i automjeteve të transportit pritet që t' i japë impulse të reja kësaj dege të prodhimit në Gjermani. Mëse 200.000 vizitorë pritet të njihen me rreth 272 risitë e kësaj dege të prodhimit. Në fokus janë motorët alternativë të padëmshëm për klimën - duke nisur qysh nga automjetet hibrid e deri tek ato me elektrik. Një avantazh në konkurrencë do të kenë produktet "Made in Germany" me brezin e ri të motorrëve diesel, të cilët nuk emetojnë gazra të dëmshme dhe janë efikase sa i përket konsumit të energjisë.

Autor: Richard Fuchs/ Vilma Filaj- Ballvora

Redaktoi: Aida Cama