Scholz fton kryeministren e re britanike Liz Truss në Berlin
8 Shtator 2022Liderët e Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe patën një bisedë telefonike mbrëmjen e së mërkurës, një ditë pasi kryeministrja e re britanike mori detyrën. Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe homologja e tij britanike Liz Truss diskutuan për krizën energjetike dhe luftën e vazhdueshme ruse në Ukrainë, sipas një deklarate të qeverisë britanike. "Kryeministrja theksoi rëndësinë e garantimit të respektimit të demokracisë dhe lirisë në Evropë, si dhe të mbrojtjes së vendeve të cënueshme nga shantazhi ekonomik i Rusisë”, thuhet në deklaratën e qeverisë britanike.
Një zëdhënës i qeverisë gjermane konfirmoi telefonatën dhe tha se "kancelari e ka ftuar homologen e tij britanike në Berlin për një vizitë prezantuese". Truss u bë kryeministre pas një votimi nga anëtarët e Partisë Konservatore, në të cilën ajo mundi rivalin Rishi Sunak. Ajo u autorizua zyrtarisht për të formuar një qeveri nga Mbretëresha Elizabeth II të martën.
Të dy udhëheqësit diskutuan edhe për protokollin e Irlandës së Veriut, një çështje që u dëshmua të ishte e vështirë për paraardhësin e Liz Truss-it, Boris Johnson-in - dhe që ka shkaktuar tensione të rritura midis BE dhe Britanisë së Madhe pas Brexit-it.
Si do ta trajtojë Liz Truss-i protokollin e Irlandës së Veriut?
Kryeministrja Truss thuhet se ka "theksuar rëndësinë e gjetjes së një zgjidhjeje për problemet themelore me tekstin e protokollit në formën e tij aktuale", sipas deklaratës së qeverisë britanike.
Qeveria e Britanisë së Madhe tashmë ka sinjalizuar se po shqyrton në mënyrë të njëanshme prishjen e Protokollit të Irlandës së Veriut - në legjislacionin e prezantuar nga vetë Truss në rolin e saj të mëparshëm si Ministre e Jashtme. Protokolli kërkon që mallrat që lëvizin midis enklavës dhe pjesës tjetër të Britanisë së Madhe të kontrollohen për të mbajtur një kufi të zhdërvjellët në ishullin e Irlandës.
"Preferenca ime është për një zgjidhje të negociuar, por ajo duhet të plotësojë të gjitha kërkesat që kemi përcaktuar në Projektligjin e Protokollit të Irlandës së Veriut dhe ne nuk mund të lejojmë që kjo situatë të zvarritet," tha Truss në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar të mërkurën.
Gjermania e ka dënuar një veprim të tillë, me Ministren e Jashtme Annalena Baerbock që shkroi në një opinion në korrik se "nuk ka asnjë justifikim ligjor apo politik për thyerjen e njëanshme të një marrëveshjeje ndërkombëtare të arritur vetëm dy vjet më parë".
Shtëpia e Bardhë e ka paralajmëruar Downing Street-in kundër eleminimit të njëanshëm të protokollit. Zëdhënësja e shtypit Karine Jean-Pierre tha se kjo "nuk do të krijonte një mjedis të favorshëm", raporton Reuters.
Bashkimi Evropian ka rinisur procedurat ligjore kundër Londrës për shkeljen e protokollit, pas shpalljes së synimit për ta eleminuar atë. BE i kishte pezulluar më parë procedurat si një akt i vullnetit të mirë.
aud/ab/rc (Reuters, dpa)