1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëMaqedonia e Veriut

Sarrazin:Të shfrytëzohet dinamika në BE lidhur me zgjerimin

12 Shtator 2023

I ngarkuari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin tha në Shkup se dinamika aktuale në BE për përshpejtimin e procesit të zgjerimit duhet të shfrytëzohet.

https://p.dw.com/p/4WDWA
I ngarkuari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Saracin
I ngarkuari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel SaracinFotografi: Petr Stojanovski/DW

I ngarkuari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, tha në Shkup se nuk duhet të nënçmohet periudha kohore e nevojshme për ndryshimet e kushtetutës. Në takimin me kryetarin e Parlamentit, Talat Xhaferrin, Sarrazin ofroi ndihmë dhe mbështetje për avancimin e procesit të eurointegrimeve duke theksuar se Gjermania dëshiron që procesi i ndryshimeve kushtetuese të arrihet sa më shpejt.

Duke e pasur parasysh mundësinë për hapjen e negociatave me Ukrainën në dhjetor të këtij viti, rreziku nga veçimi i Maqedonisë së Veriut nga vendet tjera, pa përmbushjen e kërkesave të duhura evropiane, është i paevitueshëm, theksoi Sarrazin.

Shkup: I ngarkuari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Saracin, në takim me kryetarin e Parlamentit, Talat Xhaferri
Shkup: I ngarkuari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Saracin, në takim me kryetarin e Parlamentit, Talat XhaferriFotografi: Fatos Musliu/DW

"Për këto arsye është e rëndësishme se si do të formulohet mënyra e ndryshimeve kushtetuese, por akoma më me rëndësi është mos të nënçmohet periudha kohore për nxjerrjen e tyre. Dinamika aktuale në BE për përshpejtimin e procesit të zgjerimit nuk duhet të humbasë”, u shpreh i dërguari special i Gjermanisë për Ballkanin Perendimor Manuel Saracin.

Xhaferri: Mirënjohje të veçantë për angazhimin personal të Sarrazinit

Kryetari i Parlamentit të MV, Talat Xhaferri, shprehu mirënjohje të veçantë për angazhimin personal të Sarrazinit si edhe për mbështetjen e përkushtuar dhe të vazhdueshme të Gjermanisë për realizimin e dy qëllimeve strategjike të vendit, paraprakisht anëtarësimi në NATO dhe tani aktualisht aderimi në anëtarësim të plotfuqishëm në Bashkimin Evropian.

Mickoski : Problemet reale të qytetarëve janë ato që duhet të zgjidhen

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski, i shoqëruar nga nënkryetari Aleksandar Nikollovski dhe anëtari i Këshillit Ekzekutiv, Antonio Milloshovski, u takua gjithashtu me të dërguarin special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

Përfaqësuesit e opozitës e informuan diplomatin gjerman për gjendjen aktuale ekonomike dhe politike në shtet dhe sfidat reale me të cilat përballen qytetarët.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovski theksoi se me ndryshimet e fundit të Kodit Penal të cilat i bëri pushteti me flamur evropian në fakt pushteti i amniston kuadrot e tij të cilët janë të zhytur në korrupsion.

"Një nga prioritetet më të rëndësishme të qeverisë së ardhshme do të jetë lufta kundër korrupsionit”, theksoi Mickoski në takim. Njëherësh kryetari i VMRO-DPMNE-së Mickovski ka folur edhe për problemet reale të qytetarëve që konfirmojnë se pushteti është larg zbatimit të vlerave dhe qëllimeve evropiane.

VMRO-DPMNE nuk do të përkrahë ndryshimet kushtetuese

Sa u përket ndryshimeve kushtetuese Mickovski e ka informuar diplomatin gjerman se kjo parti nuk do të përkrahë ndryshimet kushtetuese meqë kjo qeveri sipas tij nuk ka legjitimitet për një hap të tillë dhe se pranimi i diktatit bullgar nuk do të ndodhë.