1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Samiti i BE-së vendos rritjen e kuotës së përdorimit të energjive alternativë

Vilma Filaj-Ballvora9 Mars 2007

Pas debatesh të ashpra parimisht kryetarët e shteve dhe të qeverive ranë dakord që deri në vitin 2020 të rritet në 20% kuota e përdorimit të burimeve të energjive të rigjenerueshme

https://p.dw.com/p/AqXV
Kryetarët e shteteve dhe qeverive të BE-së në samitin e Brukselit
Kryetarët e shteteve dhe qeverive të BE-së në samitin e BrukselitFotografi: AP

Kancelarja Angela Merkel, që për herë të parë drejton samitin e BE-së në funksionin e kryetares së radhës së Këshillit të BE-së, i ka vënë vetes një qëllim ambicioz. Prioritet për të ka arritja në një marrëveshje mbi një politikë të përbashkët me norma të detyrueshme për mbrojtjen e klimës. Dy janë qëllimet kryesore për shmangien e ngrohjes globale, ulja e emisioneve të dioksidit të karbonit si dhe rritja e kuotës së përdorimit të energjive alternativë.

Pas debatesh të ashpra parimisht të 27 kryetarët e shteteve dhe të qeverive ranë dakord, që deri në vitin 2020 të rritet në 20% kuota e përdorimit të burimeve të energjive të rigjenerueshme. Merkel: "Përpjekjet për rritjen me 20% të energjisë së rigjenerushme në BE janë të rëndësishme, sepse këto burime alternativë të energjisë përbëjnë një novacion. Kjo do të thotë, se ne po hapim shteg të ri, për të cilin duhet të çojmë përpara zhvillimin ekonomik dhe teknik. Kjo është e nevojshme edhe për t´iu përgjigjur rolit tonë si eksportues të këtyre teknologjive në të ardhmen."

Megjithatë në përpjekjet për arritjen e këtij objektivi do të merren parasysh rrethanat e secilit vend anëtar. Ky lëshim bëhet për vendet që rezistojnë ndaj kësaj norme, si Franca, Çekia dhe Polonia. Këto vende janë të varura nga përdorimi i energjisë bërthamore. Presidenti francez Zhak Shirak synon që në luftën kundër ndryshimit të klimës të vlerësohet edhe roli energjisë atomike. Nga ana tjetër kryeministri i Luksemburgut Zhan-Klod Junker bën thirrje për burime të përziera të energjisë duke marrë parasysh situatën e secilit vend: "Ne sa i përket energjisë së erës nuk mund të veprojmë si vendet fqinjë, që mund t´i instalojnë mullinjtë e tyre të erës në det të hapur. Por nëse ne i bashkangjitemi Belgjikës dhe Holandës që përftojnë më shumë energjitë alternativë dhe në kuotën e tyre të përfshihet edhe Luksemburgu, atëherë unë e konsideroj këtë një zgjidhje evropiane."

Konkluzionet e samitit do të shqyrtohen nga Komisioni i BE-së, i cili brenda vitit duhet të japë direktivat konkrete mbi politikën e përbashkët për klimën. Shtetet e BE-së i kërkuan Komisionit të BE-së që sa më shpejt t´i shqyrtojë këto objektiva dhe të paraqesë propozimet konkrete. Nëse kryetarët e shtetve dhe të qeverive të vendeve anëtare do t´i aprovojnë propozimet e komisionit, atëherë kancelarja Angela Merkel si kryetare e radhës së Këshillit të BE-së mund ta konsiderojë të arritur qëllimin e saj ambicioz.

Tema të tjera të samitit janë edhe e ashtuquajtura deklaratë e Berlinit mbi 50 vjetorin e marrëveshjeve të Romës. Në tekstin e kësaj deklarate synohet vlerësimi i suksesve të unionit gjatë dekadave të shkuara dhe të jepen udhëzimet mbi direktivat për të ardhmen. Më 25 mars do të bëhet leximi i deklaratës, e cila do të plotësohet edhe më tej. Në këtë drejtim ka mendime të ndryshme lidhur me përkufizimin e qartë të arritjeve të BE-së dhe objektivave të së ardhmes. P.sh. është i diskutueshëm roli i modelit social evropian, Britania e Madhe nuk do udhëzime në këtë drejtim, duke insistuar tek kompetencat kombëtare. Ndërsa Luksemburgu kërkon një deklarim të qartë të shteteve të BE-së për përkujdesjen sociale. Një pikë tjetër e nxehtë debati është kushtetuta e BE-së e bllokuar qysh në vitin 2005 pas "jo-së" në referendumet popullore në Francë dhe në Holandë. Disa nga vendet anëtare paralajmërojnë, që deklarata e Berlinit përmes formulimeve ambicioze politike rrezikon të nxehë sërish debatin mbi kushtetutën.