Samiti i BE-së - një lojë fjalësh?
18 Tetor 2007Në lidhje me reformimin e BE-së dhe samitin e Lisbonës në gazetën "Frankfurter Allgemeine Zeitung" lexojmë:
"Sido që të jetë imazhi i ardhshëm i BE-së: Motori i ligjvënies së unionit nuk do të ndalojë së punuari. Një numër i madh me bashkëpunëtorë të kualifikuar po harton një listë me rregulla, të cilat do të vendosin mbi jetën e përditshme të qytetarëve evropianë. Këshilli, pra qeveritë e shteteve anëtare, është organi i vetëm ligjvënës. Por një vullnet i qartë për të vepruar dhe përgjegjësia që i takon këtij vullneti, janë vështirë për t´u dalluar, e sidomos kur bëhet fjalë për detaje. Ligjet e vëna kuptohen shpeshherë si rekomandime. Kësaj makine që është vajosur në mënyrë perfekte, parlamentet kombëtare dhe qeveritë i kanë dedikuar deri më sot vetëm parrulla boshe."
Në gazetën "Landshuter Zeitung/Straubinger Tagblatt" lexojmë:
"Ajo që duan të vendosin shefat e shteteve anëtare të BE-së është në të vërtetë një lojë fjalësh apo etiketash. Sepse ajo që do të vendoset në Lisbonë pas dyersh të mbyllura për opinionin publik dhe qytetarët, është pak a shumë i njëjti tekst që u hartua për kushtetutën evropiane, e cila u bllokua nga Franca dhe Hollanda. Pra substanca dhe përmbajtja janë të njëjta. Fakti se nuk flitet më për një kushtetutë, dëshmon vetëm se politikanët kanë frika nga një votë e re e evropianëve. Këtë rradhë nuk do të votohet për vendimin e marrë. Ndonëse janë ndërmarrë vendime të reja tashmë, BE-ja do ta vazhdojë mesa duket kursin e saj jodemokratik."
Në lidhje me vendimin e parlamentit turk për të lejuar në rast domosdoshmërie dërgimin e trupave ushtarake turke në Irak për të luftuar rebelët kurdë, në gazetën "Kölner Stadt-Anzeiger" lexojmë:
"Kryeministri turk duhet të jetë në dijeni të faktit se problemi i kurdëve nuk mund të zgjidhet kështu. Terrori mund të luftohet në mënyrë afatgjatë, vetëm në rast se zhduken rrënjët e tij. Këto rrënjë ndodhen në diskriminimin e kurdëve prej dhjetëra vitesh tashmë. Për një periudhë kohe madje, qeveria turke u përpoq ta mbajë pakicën kurde jo vetëm të izoluar nëpërmjet sanksioneve ekonomike në rajonet ku jetojnë ata, por edhe t´i ndalojë gjuhën mëmë. Në këto rajone mungojnë shkollat, spitale, mjekët dhe vendet e punës. Por një program rindërtimi ekonomik e politik për rajonin e kurdëve është po aq i rëndësishëm sa respektimi i të drejtave bazë. Vetëm po të fitohet kundër varfërisë, mund të fitohet edhe lufta kundër ekstremizmit."
Në gazetën "Frankfurter Rundschau" lexojmë:
"Erdoani theksoi që përpara votimit në parlament, se sido që të ishte vendimi, ai shpresonte që të mos ta përdorë kurrë këtë të drejtë. Tingëllon mirë. Ai është i vetëdijshëm se cilat rreziqe sjell një operacion i tillë ushtarak. Përveç kësaj ai ka çdo arsye që të mos ketë besim tek gjeneralët e tij. Ata deklaruan që në fillim se do të ishte mirë sikur të mos luftonin vetëm rebelët e PKK-së në Irak, por edhe të bllokonin etablimin e një shteti kurd, i cili do t´u lejonte mundësinë e përdorimit të naftës në Kirkuk. Teherani mund ta përdorë mundësinë që t´i luftojë gjithashtu separatistët iranianë-kurdë që fshihen në Irak. Por ky veprim do të kishte pasoja fatale. Rreziqet do të ishin aq të mëdha, saqë shpresat për sukses të një operacioni të tillë ushtarak janë vërtet tepër të zbehta."