1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Samiti i BE-së: Europa nuk do të bëhet superfuqi ushtarake

Christoph Hasselbach/Lindita Arapi20 Dhjetor 2013

Në samitin e Brukselit krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së kanë rënë dakord për të forcuar bashkëpunimin ushtarak. Por problemet fillojnë, kur planet konkretizohen.

https://p.dw.com/p/1Ady5
Fotografi: Lionel Bonaventure/AFP/Getty Images

Ka nevojë çdo shtet i BE-së për një aviacion luftarak të tijin? Duhet që shtetet europiane të zhvillojnë disa tipa tankesh? E ka të nevojshme çdo vend që të trajnojë pilotët e tij luftarakë? Ose nga prestigji kombëtar, ose nga tradita, apo nga lidhja me një industri të caktuar - kjo nuk është e qartë, ajo që dihet është se europianët i lejojnë vetes në politikën e mbrojtjes, luksin e strukturave të shumëfishta. Kjo ndoshta mund të pranohet në kohë të mira ekonomike, por për shkak të krizës buxhetore, janë rritur ndërkohë edhe dyshimet për këtë copëzim të politikës ushtarake. Përmes bashkëpunimeve dhe shkrirjeve mund të kurseheshin shumë fonde. Idetë fillojnë nga porositë e përbashkëta të produkteve ushtarake dhe zhvillimi i tyre, vazhdojnë me trajnimet e standartizuara ushtarake, deri tek misionet e përbashkëta ushtarake. Por zbatimi i këtyre ideve dështon në praktikë.

Misione të shtrenjta të francezëve

Një ide konkrete në temën e bashkëpunimit ushtarak ofroi presidenti francez, Francois Hollande. Ai dërgoi në pranverën e vitit të shkuar trupat në Mali, tanimë edhe në Republikën Afrikanoqendrore për të shtypur kryengritjet dhe vendosur paqen. Të dyja vendet janë pjesë e zonës franceze të influencës në Afrikën Perëndimore. Hollande propozon një fond të përhershëm të BE-së, nga i cili të paguhen misione të tilla. Në Bruksel ai tha se ka marrë "miratimin e të gjitha qeverive europiane. Tani duhet që mbështetjen politike ta pasojë ajo financiare."

Ushtarë francezë në Mali
Ushtarë francezë në MaliFotografi: Reuters

Merkel ofron vetëm armë

Por duket se Hollande i ka dëgjuar gabim disa gjëra. Kryeministri suedez, Fredrik Reinfeldt, kundërpërgjigjet: "Kush do solidaritet europian, duhet që edhe vendimmarrjen ta kërkojë brenda strukturave europiane." Ndryshe: Si edhe deri më tani, çdo shtet duhet të paguajë vetë misionet e veta dhe vetëm detyra si misionet humanitare mund të bëhen pjesë e detyrimit të përbashkët." Kancelarja gjermane, Merkel e sapozgjedhur për herë të tretë nuk i vlerëson shumë misionet ushtarake të BE-së: "Sepse ne si europianë nuk mund të zgjidhim problemet kudo në botë, por duhet t'u mundësojmë rajoneve të tilla, që t'i zgjidhin vetë problemet e tyre." Pra në vend të misionit ushtarak, furnizim me armatim. Ajo e refuzon financimin e misionit francez në Afrikë, sepse më vonë nuk ke asnjë mundësi në vendimmarrje. Megjithatë qeveritë europiane do të shqyrtojnë edhe njëherë financimin e misioneve ushtarake të BE-së.

Europianë të fortë, NATO e fortë

Kryeministri britanik, David Cameron, një proantlantik, e vlerëson bashkëpunimin ushtarak mes europianëve. "Por nuk është e drejtë që BE të ketë ushtrinë e aviacionin e saj ushtarak." Cameron nuk do të pranojë ngritjen e strukturave paralele me NATO-n. Kjo nuk do të ishte vetëm shpenzim i kotë, por do të dobësonte NATO-n."Por ishte pikërisht Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, që e kundërshtoi kryeministrin britanik: "Nuk shoh ndonjë kundërshti mes një aftësie të fortë mbrojtëse të Europës dhe një NATO-je të fortë", tha ai. "Nuk bëhet fjalë për një ushtri europiane", tha ai për të qetësuar Cameronin. "Por po qe se ne europianët nuk kujdesemi më për sigurinë tonë, ekziston rreziku që Amerika të na kthejë kurrizin dhe kjo t'i largojë edhe më shumë europianët dhe amerikanët."

Rasmussen: NATO dhe BE plotësohen
Rasmussen: NATO dhe BE plotësohenFotografi: Reuters

Europa vetëm një pushtet i butë?

Megjithatë europianët kanë vendosur që nga viti 2020 deri në 2025 të zhvillojnë një avion të përbashkët përgjimi për Europën. Shtatë vende të BE-së janë gati të marrin pjesë në këtë projekt, ndër to edhe Gjermania. Por përveç këtij bashkëpunimi, temat e tjera janë ende të hapura. Shumë ankohen në BE për dobësinë ushtarake të saj. BE nuk bëhet vetë aktive nga ana ushtarake, por vetëm disa shtete të veçanta të saj. Të tjerë nuk shohin këtu ndonjë dobësi. Forca e Europës qëndron në fushën diplomatike, ajo ushtarake nuk është produktive. Presidenti i Parlamentit Europian, Martin Schulz, beson se "roli i Bashkimit Europian edhe për një kohë të caktuar do të mbetet "pushteti i butë. Ne me siguri nuk do të bëhemi ndonjë superfuqi ushtarake."