1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Samiti i BE-së mbi krizën në marrëdhëniet me Rusinë

(VFB)1 Shtator 2008

Në samitin e BE-së synohet unifikimi i qëndrimeve midis vendeve anëtare për përcaktimin e qëndrimit ndaj Rusisë pas krizës së krijuar me njohjen nga Moska të pavarësisë së provincave gjeorgjiane.

https://p.dw.com/p/F8Ck
Fotografi: picture-alliance/dpa

Gazeta "Frankfurter Allgemeine Zeitung" komenton: "Me njohjen e papritur të krahinave separatiste të Osetisë Jugore dhe të Abkazisë Kremlini e ka kaluar kufirin. BE-ja në qoftëse do të ruajë prestigjin e vet nuk mund ta injorojë këtë. Megjithatë unioni në këtë moment do t´i refuzojë sanksionet. Evropianolindorët, të cilësuar ende si "anëtarët e rinj" të bllokut, që janë shprehur për një reagim të ashpër, do t´i bashkohen shumicës, që është kundër. Por është mirë kështu, sepse BE-ja mund të ushtrojë influencë vetëm, nëse flet me një zë. Direktiva për një politikë të re më të prerë ndaj Rusisë, si p.sh. lidhur me sigurimin e energjisë, nuk mund të priten prej këtij samiti. Kjo sepse interesat dhe mendimet janë shumë të ndryshme, dhe zhvillimet shumë të paqarta."

Citat nga komenti i "Stuttgarter Zeitung": "Mjafton një vështrim në Ballkan, për të kuptuar, që është marrëzi të bësh politikë me emocione dhe ta izolosh Rusinë, aq më keq ta ndëshkosh atë. Evropianët nuk duhet ta dëmtojnë veten, në një kohë që vetë NATO ende nuk e ka kapërcyer periudhën e sprovës. Të ndërpresësh bisedimet me Rusinë qysh me krijimin e vështirësive të para, kjo dëshmon për papjekuri politike. Nëse Evropa do të jetojë e sigurtë, kontinenti i vogël duhet të krijojë marrëdhënie të rregullta dhe solide me fqinjin e madh lindor, i cili e furnizon atë me energji dhe me lëndë të para. Nga ana tjetër edhe vetë Rusia është e varur prej Evropës, në rast se do që sërish të jetë më shumë se sa vetëm një furnizuese e lëndëve të para."

"Halndelsblatt": "Në muajt e ardhshëm shumë do të varet prej asaj se si bashkësia ndërkombëtare do ta vlerësojë njohjen ruse të provincave gjeorgjiane Oseti Jugore dhe Abkazi. Deri tani vetëm Bjellorusia i është bashkangjitur njohjes, që është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Përpjekja e Kremlinit për të tërhequr Kinën në anën e vet, për fat të mirë tani për tani dështoi -Pekini ka shumë frikë nga efekti i separatizmit. Nëse Moska mbetet e izoluar në çështjen e njohjes, ndoshta Perëndimit i hapet një rrugë bisedimesh për të gjetur zgjidhjet. Megjithatë çdo marrëveshje do të dështonte, për aq kohë sa Rusia i përmbahet pozicionit fatal, që vendet e lira fqinje në kufijtë e saj janë vetëm vasalë, ose shtete të klasit të dytë me sovranitet të kufizuar. Demokracia dhe liria nuk janë "fatkeqësi gjeopolitike", por themelet e bashkësisë perëndimore të vlerave.