281009 EU-Gipfel Auftakt
29 Tetor 2009Përsëri bëhet një samit pa raporte të qarta. Mbetet ende e paqartë nëse Marrëveshja Reformuese e Lisbonës, e cila do ta bëjë më të aftë për të vepruar dhe më efikas Bashkimin Evropian, mund të hyjë në fuqi. Deri tani kishin shpresuar shumë se Gjykata Kushtetuese çeke do të vendoste më përpara dhe me këtë do t' i hapte rrugën për nënshkrim Presidentit Vaclav Klaus. Pra Çekia është vendi i fundit anëtar që duhet ta ratifikojë këtë marrëveshje, së cilës të gjithë të tjerët i kanë dhënë OK-in. Por kjo lidhet me një padi të ngritur nga disa deputetë çekë në Gykatën Kushtetuese. Ata e shohin kufizim të sovranitetit të vendit të tyre nga kjo marëveshje.
Pra gjithçka është e paqartë, mendon ministrja suedeze për Evropën Cecila Malmström. Suedia ka deri në ndërrimin e viteve presidencën e rradhës së BE-së. “Ne nuk jemi ende gati. Së pari duhet të vendosi Gjykata Kushtetuese çeke, pastaj ne duhet të bisedojmë me zotin Klaus dhe me qeverinë për të gjetur një zgjidhje“
Pra janë menduar kërkesat e Presidentit Klaus. Ai thotë se dëshiron të pengojë faktin që të dëbuarit gjermanë, të cilët duhet të linin pas Luftës së dytë Botërore Çekinë, mund të realizojnë pretendimet e tyre me ndihmën e kartës për të drejtat themelore të Marrëveshjes së Lisbonës. Ministri i jashtëm suedez Carl Bild kritikoi ditën e hënë indirekt Presidentin Klaus, i cili sipas tij jeton shumë me të kaluarën. "Historia e ripajtimit pas Luftës së Dytë Botërore është jashtëzakonisht e vështirë. Por BE-ja është krijuar që t' i përkushtohet së ardhmes.“
Derisa krerët e shteteve dhe qeverive nuk kanë nënshkrimin e Klausit, ata po ashtu nuk mund të takohen për marrjen e vendimeve të rëndësishme mbi personelin, gjë që bëhet e nevojshme nga marrëveshja për reformat.
Cili do të jetë kryetari i ardhëshëm i Këshillit të BE-së?
Një tjetër temë diskutimi në takimin e sotëm në Bruksel është edhe emërimi i kryetarit të përhershëm të Këshillit të BE-së. Kandidatë zyrtarë për këtë post janë ish-kryeministri britanik Tony Blair dhe kryeministri i Luksemburgut, Jean-Claude Juncker. Por sipas mendimit të europarlamentarit kristiandemokrat gjerman Werner Langen të dy kandidaturat janë të gabuara për arsye krejt të ndryshme:´ „Ai duhet të vijë nga zona e euros. Ai duhet të ketë agjendë evropiane. Ai nuk duhet të jetë as tepër i dobët dhe as tepër i fortë dhe i pavarur. Ai duhet pra të jetë në gjendje të balancojë , kjo është më e rëndësishmja. Për këtë arësye as që shtrohet për diskutim kandidatura e zotit Blair, dhe po ashtu zoti Juncker ka pozicione të tjera”.
Kritikët: BE-ja vazhdon të merret me vetveten duke lënë pasdore tema të rëndësishme si klima
BE-ja nuk e di edhe tani pak javë para zhvillimit të konferencës për klimën në Kopenhagë, se si do t' i ndihmojë ajo vendet e varfëra për mbrojtjen e klimës, ankohet ministri suedez i Financave Anders Borg: "Eshtë zhgënjyese që ne nuk kemi rënë dakord për financimin e mbrojtjes së klimës deri tani. Sepse Evropa ka rol udhërrëfyes në mbrojtjen e klimës. Eshtë shumë shumë e rëndësishme që ne të avancojmë në ditët dhe javët e ardhëshme”.
Autor: Christoph Hasselbach / Mimoza Cika-Kelmendi
Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora