Samiti i BE: Arrihet marrëveshja, por disa paqartësi mbeten!
21 Tetor 2022Presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel, tha në Twitter të premten (21.10), se vendet e BE-së kanë rënë dakord në samitin e tyre të Brukselit për të "hartuar masat për kufizimin e rritjes së çmimeve të energjisë për familjet dhe kompanitë". Edhe presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen theksoi pas konsultimit gati njëmbëdhjetë orësh se BE-ja ka arritur një marrëveshje të mirë.
Por si do të duket konkretisht zbatimi i kësaj marrëveshjeje nuk është ende e qartë në shumë aspekte. Sipas kancelarit federal Olaf Scholz, shtetet anëtare kanë rënë dakord për blerjet e përbashkëta të gazit, të cilat Komisioni i BE-së propozon t'i bëjë në një masë të vogël të detyrueshme. "Unë mendoj se ky është një përparim i mirë," tha Scholz në Bruksel.
Përveç kësaj, në një takim në Luksemburg të martën e ardhshme (25.10), ministrat e energjisë të BE-së do të shqyrtojnë se si mund të parandalohen luhatjet e çmimeve të shkaktuara nga spekulimet në tregun e gazit. Qëllimi është "që të mos pamundësohet blerja e gazit”, tha kancelari.
Dyshimet rreth kufizimeve
"Ne do të prezantojmë një mekanizëm korrigjues të tregut për të kufizuar rritjen e çmimeve të tepërta të gazit," tha presidentja e Komisionit von der Leyen. Tani do të përpunohen mekanizmat për zbatimin.
Deklarata përfundimtare e samitit përmend në mënyrë specifike një "korridor të përkohshëm dinamik të çmimeve" për tregtimin e gazit. Megjithatë, kjo nuk duhet të rrezikojë sigurinë e furnizimit, pra nuk duhet të rrezikojë mundësitë për blerjen e gazit. Përveç kësaj, tani duhet të përcaktohet edhe kufiri i çmimit për gazin e përdorur për të prodhuar energji elektrike. Çmimi maksimal nuk duhet të çojë në një rritje të konsumit të gazit.
"Ka ende shumë dyshime" në lidhje me pyetjen nëse një tavan evropian për çmimet e gazit, si në Spanjë dhe Portugali, është i mundur, tha Scholz. Vende si Gjermania dhe Danimarka u shprehën kundër tij. Prandaj, kancelari nuk përjashtoi një tjetër samit të BE-së.
Dallimet mes Gjermanisë dhe Francës
Presidenti francez Emmanuel Macron u shpreh i kënaqur për marrëveshjen: "Për mendimin tim, qëllimet e këtij samiti janë arritur", tha ai pas diskutimeve, të cilat diplomatët i kishin cilësuar si të vështira.
Franca, së bashku me shumicën e vendeve, janë angazhuar për kufizimin e çmimit të gazit. Sipas Macron, BE-ja mund të ketë "mekanizma që mund të zbatohen nga fundi i tetorit ose fillimi i nëntorit". Në Bruksel u dëgjuan mendime se Gjermania ishte e izoluar në qëndrimin e saj, por kancelari Scholz i ka hedhur poshtë këto pohime. "Kjo nuk është e vërtetë", tha kancelari duke shtuar, se bashkëpunimi mes Gjermanisë dhe Francës është "intensiv" dhe i "suksesshëm".
Macron tha se ai bashkë me presidentin e Këshillit të BE-së Michel kanë ndërmjetësuar për gjetjen e një kompromisi. Ndërsa javën që vjen Macron do të takohet me kanclarin Scholz, për të vazhduar procesin.
Berlini dhe Parisi kanë anuluar më parë një takim të parashikuar për këtë javë, për shkak të dallimeve rreth energjisë dhe politikës ndaj Rusisë.
Konsultimet në Bruksel do të vazhdojnë për politikën ndaj SHBA dhe Azisë.
bc/mak/wa (afp, dpa, rtr)