Rusia përzihet në referendumin e Moldavisë për BE
20 Tetor 2024Republika e Moldavisë voton të dielën (20.10). Qytetarët jo vetëm që do të zgjedhin president/en e re/të ri, por votojnë gjithashtu se në cilën rrugë duhet të marrë vendi që nga njëra anë ndodhet mes anëtares së BE-së, Rumanisë dhe Ukrainës së shkatërruar nga lufta që nisi Rusia në anën tjetër.
Në një referendum historik, votuesit në 228 zyrat zgjedhore në 37 njësitë zgjedhore do të vendosin nëse pranimi në Bashkimin Evropian duhet të ankorohet në kushtetutë si një qëllim strategjik. Moldavia filloi bisedimet zyrtare të pranimit me BE në qershor. Megjithatë, qeveria properëndimore e Presidentes Maia Sandu dëshiron të sigurojë që krerët e ardhshëm të shteteve të mos e ndryshojnë progresin e bërë tashmë drejt anëtarësimit në BE.
Anëtarësimi në BE do ta transformonte Moldavinë, me afërsisht 2.6 milionë banorë dhe me qytetarë të shumtë që jetojnë jashtë vendit, nga një "shtet i cenueshëm me një demokraci të brishtë" në një "shtet të fortë, modern, elastik dhe europian që ndodhet në... në gjendje të mbrojë qytetarët e saj”, tha Mandu, kur shpalli referendumin dhjetorin e kaluar. Është koha që moldavët të thonë qartë se cilën rrugë duhet të ndjekë vendi.
Në Moldavi një nga ish-shtetet sovjetike në Evropën Lindore, qytetarët janë të ndarë mes dëshirës së tyre për t'u bashkuar me BE-në dhe lidhjeve të tyre ende të thella me Rusinë. Por nën drejtimin e Sandu, qeveria moldave ka vendosur një afat kohor për pranimin në BE deri në vitin 2030. Duke pasur parasysh procesin rigoroz të negociatave dhe reformave që duhet t'i nënshtrohen vendeve kandidate, ky synim do të ishte jashtëzakonisht i shpejtë dhe i vështirë për t'u arritur.
Konkretisht pyetja në fletëvotim është: "A e mbështesni ndryshimin e Kushtetutës në lidhje me anëtarësimin e Republikës së Moldavisë në Bashkimin Evropian?" Nëse shumica e votuesve votojnë "po” dhe pjesëmarrja tejkalon 33 për qind, referendumi konsiderohet i pranuar.
Futja në kushtetutë e dëshirës për t'u bashkuar me BE-në në kushtetutë do të konfirmonte edhe më tej largimin nga Rusia. Një shqetësim që është bërë edhe më urgjent për presidenten moldave pas luftës në Ukrainë. Nga ana tjetër një referendum i suksesshëm do të rriste tensionet me Transnistrinë. Ky rajon i mbështetur nga Rusia u shkëput në vitin 1990 dhe që atëherë ka qenë në konflikt me qeverinë në Kishinau, kryeqyteti i Moldavisë.
Përzierja e Rusisë
Autoritetet moldave akuzojnë Rusinë dhe njerëzit e lidhur me Rusinë se po përpiqen të pengojnë votimin e së dielës duke përdorur mjete të padrejta. Sipas informacioneve të policisë nga fillimi i tetorit, 130,000 qytetarëve moldavë u është paguar ryshfet në shumën prej 14 milionë euro, në mënyrë që ata të votojnë kundër vendosjes së dëshirës së tyre për t'u anëtarësuar në BE. Të enjten, policia moldave tha se kishte zbuluar edhe një rrjet që dërgonte rregullisht njerëz në Rusi të cilët ishin trajnuar për të shkaktuar trazira në Moldavi.
Moska nga ana e saj mohon çdo ndërhyrje. "Ne i hedhim poshtë kategorikisht këto akuza", tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve TASS. "Ne nuk ndërhyjmë në punët e brendshme të vendeve të tjera”.
Në qershor, aleatët perëndimorë të Moldavisë paralajmëruan për rreziqet e ndërhyrjes në votimet e referendumit. Në një deklaratë të përbashkët, SHBA, Britania dhe Kanadaja theksuan "përdorimin e grupeve kriminale nga Kremlini për të financuar aktivitetet politike dhe për të minuar institucionet demokratike të Moldavisë".
Këtë javë BE vendosi sanksione ndaj Evghenia Gutul-it, guvernatores së rajonit autonom të Gagauzisë në Moldavinë jugore dhe zyrtarëve të tjerë lokalë për promovimin e separatizmit. Gjithashtu u sanksionua shoqata joqeveritare me bazë në Rusi Evrazia, qëllimi i së cilës, sipas BE-së, është të "promovojë interesat e Rusisë në ish-republikat sovjetike si Moldavia".
"Përveç sfidave të paraqitura nga lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, Moldavia është e ekspozuar edhe ndaj përpjekjeve masive të drejtpërdrejta nga Rusia për të destabilizuar vendin," paralajmëroi të hënën shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.
Gjatë një vizite javën e kaluar, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen u bëri thirrje votuesve të marrin pjesë në referendum dhe u zotua për mbështetje ekonomike me vlerë 1.8 miliardë euro.
Presidentja aktuale Sandu kryeson në sondazhet për zgjedhjet presidenciale, por rezultati i referendumit mund të jetë shumë i ngushtë. Në një sondazh nga fundi i vitit 2022, 63 përqind e moldavëve ishin në favor të anëtarësimit në BE, 33 përqind ishin kundër. Në korrik të këtij viti, megjithatë, sipas një sondazhi të ri, vetëm 53 për qind kishin planifikuar të votonin në referendum për të përfshirë dëshirën për pranim në kushtetutë. Banorët e Transnistrisë nuk morën pjesë në sondazhe.
Anastasia Pociumban e Këshillit Gjerman për Marrëdhëniet me Jashtë është e bindur se referendumi ka të ngjarë të kalojë me një shumicë të ngushtë, por forcat pro-ruse mund të përpiqen të delegjitimojnë rezultatin. "Nëse referendumi nuk pranohet, kjo mund të ketë pasoja të rënda politike. Mbështetja e partnerëve të BE-së për Moldavinë mund të dobësohet dhe ta vendosë vendin në një pozicion të vështirë midis BE-së dhe Rusisë," tha ajo për DW. "Partitë pro-ruse ka të ngjarë të përdorin refuzimin e referendumit për të argumentuar se Moldavia nuk do të mirëpritet nga BE, duke nxitur më tej grindjet mbi drejtimin gjeopolitik të vendit."
Nga 15 partitë e përfshira në referendum, vetëm dy u shprehën kundër ndryshimit kushtetues, shpjegon ajo. Njëri është i lidhur me Ilhan Sor, një sipërmarrës dhe politikan i larguar i cili u dënua për vjedhjen e 1 miliard dollarëve nga sistemi bankar i Moldavisë dhe i sanksionuar nga SHBA dhe BE. Policia moldave e akuzon atë se qëndron pas përpjekjeve për të ndikuar në zgjedhje.
Transparency International, një organizatë që punon për të luftuar korrupsionin, prej vitesh e ka renditur Moldavinë si një nga vendet më të korruptuara në Evropë. Për sa i përket prodhimit të brendshëm bruto për frymë, Moldavia është një nga vendet më të varfra në Evropë. Që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik, popullsia ka rënë ndjeshëm.