1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rusia kërcënon të bllokojë YouTube

29 Shtator 2021

Ministria e Jashtme ruse ka kërcënuar se do të “hakmerret” pasi YouTube fshiu kanalet në gjuhën gjermane të RT. YouTube tha se transmetuesi i mbështetur nga Moska kishte shkelur politikën ndaj keqinformimit për COVID.

https://p.dw.com/p/413JJ
Symbolbild youtube Internet Sperre Zensur
Fotografi: R. Goldmann/picture alliance

Rusia të mërkurën kërcënoi të bllokojë YouTube-in e Alphabet Inc.

Zhvillimi vjen vetëm një ditë pasi YouTube fshiu kanalet e transmetuesit të mbështetur nga shteti Russia Today në gjuhën gjermane.

YouTube tha se RT kishte shkelur politikën e youtube ndaj dezinformimit për COVID, por kjo masë nuk është pritur mirë në Kremlin.

Mbikqyrësi i mediave ruse, Roskomnadzor tha se dëshiron që YouTube të ndryshojë vendimin e tij "sa më shpejt të jetë e mundur".

Në një letër drejtuar Google, e cila është pronare e YouTube, Roskomnadzor tha se "kërkoi që të hiqen të gjitha kufizimet".

Ministria e Jashtme ruse: "Sulm i paparë ndaj informacionit"

Më herët të mërkurën, Ministria e Jashtme e Rusisë e përshkroi në një deklaratë heqjen e RT nga YouTube si "sulm të paparë ndaj informacionit".

Ministria tani po shqyrton "një propozim për të zhvilluar dhe marrë masa hakmarrëse kundër shërbimit të YouTube dhe mediave gjermane".

Ndërkohë, qeveria gjermane iu përgjigj kërcënimeve të Moskës, duke thënë se nuk kishte "të bënte" me vendimin e YouTube-t.

"Kushdo që bën thirrje për një hakmarrje të tillë nuk tregon një marrëdhënie të mirë me lirinë e shtypit," u tha gazetarëve zëdhënësi i kancelares Angela Merkel, Steffen Seibert, duke shtuar se aksioni në YouTube "nuk ishte një masë shtetërore".

Cila është politika e YouTube për keqinformimin ndaj COVID?

YouTube fshiu të martën kanalet në gjuhën gjermane të RT, duke thënë se RT kishte shkelur politikën e saj të keqinformimin për COVID.

"YouTube ka pasur gjithmonë udhëzime të qarta për komunitetin që përshkruajnë atë që lejohet në platformë," tha një zëdhënës i YouTube për DW.

Portali i shpërndarjes së videove thotë se "nuk lejon përmbajtje në lidhje me COVID-19 që paraqet rrezik serioz për dëme të mëdha".

Për më tepër, YouTube thotë se nuk lejon përmbajtje që përhapin informacione mjekësore të gabuara që "bien ndesh me informacionin mjekësor të autoriteteve shëndetësore lokale ose të Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH) në lidhje me COVID-19."

Russia Today 'u përpoq të anashkalojë' ndalimin

Fillimisht, kanalit gjerman të RT iu dha një paralajmërin që të mos ngarkojë në rrjet përmbajtje që shkelte politikën për keqinformimin ndaj COVID të YouTube, gjë që çoi në një ndalim të postimeve për një javë.

Rusia Sot përdori atëherë një kanal të dytë, "Der fehlende Part", - që përkthehet "pjesa që mungon" në gjermanisht - për t'iu shmangur pezullimit.

RT DE [emri i RT në Gjermani] "u përpoq të anashkalonte zbatimin duke përdorur një kanal tjetër, dhe si rezultat, të dy kanalet u mbyllën për shkeljen e Kushteve të Shërbimit të YouTube," tha zëdhënësi i YouTube.

YouTube shtoi se është kundër kushteve të shërbimit që "të përdorësh një kanal tjetër në përpjekje për të anashkaluar pezullimin e një kanali nga aktiviteti në një tjetër".