Rusia ashpërson kursin kundër mediave sociale
24 Dhjetor 2020Ekziston rreziku i bllokimit të shumë portaleve. Nga zemërimi për bllokimin e përmbajtjes së transmetuesve shtetërorë rusë, parlamenti në Moskë tani ka ndaluar "censurën" te YouTube, Twitter, Facebook dhe rrjete të tjera. Në leximin e tij të tretë dhe të fundit, Duma shtetërore miratoi një ndryshim ligjor, që i bën bllokimet e tilla një vepër penale. Ekziston rreziku i gjobitjes ose bllokimit të faqeve të internetit ose portaleve të tëra.
Autoritetet e telekomunikimit në Moskë ishin ankuar më parë rreth diskriminimit të përmbajtjes ruse në internet. Materiale të mediave shtetërore Ria Novosti ose RT janë bllokuar, thanë ato. Twitter, Facebook dhe YouTube në veçanti akuzohen për censurë.
GJEDNJ: shkelje e lirisë së shprehjes
Nisma e deputetëve tani shihet si reagim ndaj bllokimit të transmetimit të Vladimir Solovyovit në YouTube, i cili kritikohet si një "propagandist gënjeshtar" besnik i Kremlinit. Në Rusi, tashmë janë bllokuar faqe të panumërta, të cilat për shembull përhapin pozicione kritike ndaj Kremlinit - për shembull portalet kasparov.ru dhe grani.ru.
Në verë, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) e dënoi këtë praktikë si shkelje të lirisë së shprehjes dhe i kërkoi Rusisë të zhbllokojë faqet dhe të garantojë qasjen në informacion.
Kritikët kanë frikë se me ligjin e ri kundër "diskriminimit" të pozicioneve ruse, numri i faqeve të bllokuara të internetit do të rritet ndjeshëm. Sipas ligjit, Prokuroria e Përgjithshme në Moskë duhet të vendosë për sanksionet kundër rrjeteve sociale dhe platformave të Internetit në koordinim me Ministrinë e Jashtme. Ministria e Punëve të Jashtme në Moskë gjithashtu i ka akuzuar Twitter-in dhe Facebook-in në të kaluarën për "censurimin" e përmbajtjes ruse.