1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rumani: Vetëm se jam “vajzë”

19 Gusht 2023

Një valë urrejtjeje dhe ngacmimesh shpërtheu kundër studentes dhe gazetares Delia Dascalu, kur botoi një artikull. Kjo nuk ishte hera e parë që ajo konfrontohet me ndjenja armiqësore ndaj grave.

https://p.dw.com/p/4VIrN
Studentja dhe gazetarja Delia Dascalu
Studentja dhe gazetarja Delia DascaluFotografi: privat

"Vendi yt është në kuzhinë!”, "Vetë e ke fajin, pse vesh këto rroba!”, "A nuk duhet të ishe pjesë e OnlyFans?" – këto janë klishetë që kam hasur më shpesh këto pesë vitet e fundit. Ato filluan kur isha 14 vjeç, në atë moshë unë u ndërgjegjësova për to. Por në fakt kishin filluar që më parë, që kur kam qenë fëmijë. Me kalimin e kohës shprehjet u transformuan dhe u kthyen në mesazhe të vërteta urrejtjeje. Ato u bënë kërcënuese dhe unë u kthyeva në objekt seksi dy muaj më parë, kur botova në shtypin rumun një artikull lidhur me çështjen sa "friendly” ishte ndaj turistëve të huaj, Kostanca në Detin e Zi. 

Po të kisha qenë djalë, nuk do të ishte krijuar kjo valë urrejtjeje dhe nuk do të kishte patur nxitje dhune dhe dhunimi, pas artikullit të botuar. Mbase do të kishte patur disa reagime dhe komente negative, por me siguri që nuk do të kishte filluar kjo breshëri kundër meje. Artikulli ishte një eksperiment i thjeshtë, në të cilin unë përshkruaja me saktësi udhëtimin tim, duke qenë gjoja turiste, një udhëtim nga stacioni i trenit në Kostanca deri në festivalin muzikor Neversea në bregdet, në qendër të qytetit.

Qindra vetë reaguan me agresivitet, më ofenduan, shanë, më sulmuan për karakteristikat trupore dhe veshjet, por asnjë nuk u mor me shkrimin tim, për çfarë dhe si e kisha shkruar. Artikulli më në fund, isha unë, jo tema me të cilën merresha.

Në 80 përqind të 1000 komenteve të bëra në facebok, të shkruara gati të gjitha nga burra, unë u ktheva në tabelë qitjeje. Po unë shkruaja në artikull vetëm për ta bërë të qartë si reagon një pjesë e shoqërisë ndaj ekranit të një vajze të re, që nis rrugën e gazetarisë me një eksperiment social.

Në komentet e tyre unë jam herë pjesë e skenareve të filmave pornografikë, herë një vajzë që duhet të flasë për lumturinë që "ka shpëtuar pa u përdhunuar”, unë u dërgova tek kodoshët, u ftova për të bërë seks në grup, u dehumanizova dhe u ktheva në objekt seksual, pa identitet, pa të kaluar dhe sidomos pa të ardhme.

Por unë kam fat, që shokët, shoqet, miqtë dhe kolegët, familja ime ishin krah meje. Kjo është shumë e rëndësishme për mua, sepse pa përkrahjen e tyre, pa inkurajimet dhe të qeshurat e tyre unë do të isha kisha dalë nga kjo histori krejtësisht e shkatërruar emocionalisht. 

Lumturia e të rejave që marrin vesh nga kompjuterat

Një arsye tjetër pse komentet nuk më prishën ekuilibrin ka të bëjë edhe me faktin se unë jam mësuar me to. Që në moshën tetëvjeçare unë kam patur akses në internet dhe në rrjetet sociale. Unë kam patur liri të pakufizuar në internet. Bashkë me lirinë, erdhën edhe shprehjet seksiste, por në atë kohë unë nuk e dija që ato kishin këtë emër, dhe ishin ngacmim. Unë kujtoja se ato ishin krejt normale.

Në moshën 13 vjeçare unë fillova të luaja multiplayer me lojtarë të huaj. Kur si vajzë je në lëvizje në internet, ti e di që nga fillimi se do dalë dikush që do të të kujtojë se je vajzë, pavarësisht çfarë bën ti në internet.

Mua shpesh më është thënë "të përgatis më mirë një sanduiç në kuzhinë, aty ku kam vendin, jo të luajë me të tjerët në lojrat me video”. Ka patur edhe shprehje më të këqija. Kështu mua nuk më bëjnë më përshtypje komentet seksiste dhe armiqësore ndaj femrave, unë nuk i dëgjoj dhe nuk i shoh më ato. Por është mirë kështu?

Kur kam qenë e vogël burra të panjohur më dërgonin fotografi të turpshme, që më shkruanin privatisht dhe kërkonin "të gjenin shokë”. Unë nuk u kam kthyer përgjigje, por nuk kam marrë as guximin të pyes dikë, nëse isha duke bërë gjënë e duhur, ose çfarë duhet të bëja ose çfarë përgjigje duhet t'u jepja. Kur e mendoj tani më vonë, më bëhet e qartë se këta njerëz duhet të kalojnë në trajtim psiqiatrik, ose duhet të dënohen ligjërisht.

Sharje dhe ngacmime lidhur me trupin

Catcalling (ngacmime seksuale në rrugë): Unë kam përjetuar të tilla që kur kam qenë në shkollë fillore. Pavarësisht çfarë vishja, pantallona të shkurtra apo xhaketa të gjata dhe rroba sporti, pyetja ishte e njëjtë: "Çfarë fsheh nën këto rroba, mace?"

Kur kam qenë fëmijë kisha frikë. Më vonë fillova të reagoja ndaj borive të makinave dhe arteve të tjera të ngacmimit. Dikur e kuptova se fajin nuk e kisha unë dhe veshjet e mia, fajin e kishin ata dhe ajo çfarë kishin në kokë.

Kur u jepja përgjigje, filluan kërcënimet me dru: "Ej, kërkon dru? Kërkon dru dhe nuk di ku ta marrësh! Fajin e ke vetë! Në një farë mënyre fajin e kisha sërish vetë.

Kur isha 12 vjeç më ndodhi një diçka e keqe. Unë isha duke pritur në orën dhjetë të mëngjesit në një qoshe rruge për një shok klase që të vinte dhe të bënim bashkë rrugën për në shkollë, kur një makinë ndali afër meje, shoferi uli xhamin e dritares dhe më pyeti "Ku është mjeku?"

"Cili mjek?”, e pyeta unë. Dhe ai hoqi pantallonat dhe të mbathurat dhe më tregoi pjesën intime. Unë ulërita, mora vrapin dhe shkova tek mamaja. Ajo më mori me vete nëpër lagje për të identifikuar makinën. Mamaja ime mendonte se duhet të kishte qenë ndonjë i ri nga lagja jonë.

Ne nuk arritëm ta gjenim as makinën, as personin, dhe kur më thanë që të shkoja në polici unë u tërhoqa. Mua më vinte turp, dhe fajin e kisha vetë, apo jo? Unë qava një javë rresht. Në atë moshë unë nuk doja ta dija se ç'pamje kishte pjesa intime e një burri, aq më tepër në atë lloj mënyre.

Shpesh mua më preknin, më fishkëllenin ose më trokisnin në kurriz, në ditën me diell, në vende të mbushura me njerëz. Kur u rrita, fillova të mbrohem, fillova t'u shkoj pas të rinjve dhe burrave dhe t'i pyes pse e bëjnë këtë ose atë gjë. Thuajse të gjithë merrnin vrapin.

Si puna ime ka me siguri qindra e mijëra gra dhe vajza në Rumani, të cilat kanë përjetime të tilla çdo ditë. Ato "që kanë më pak fat” përdhunohen, rrihen dhe madje vriten. Ato janë futur në burgun e dhunuesve, ose nuk i njohin të drejtat e tyre, ose kanë frikë. 

Sidoqoftë, është ende "e turpshme” të flasësh për gjëra të tilla në shoqërinë tonë.

Unë do të doja që të gjitha gratë të flasin hapur për sulmet dhe ngacmimet që përjetojnë. Dhe të flasin hapur çfarë i bën të mos ndihen mirë, dhe të mos kenë ndjenja faji. Ne jetojmë në shekullin e 21 dhe nuk është më "turp” të flasësh për ato gjëra që na ndodhin gjoja se "i kërkojmë vetë”.

Autore: Delia Dascalu (Konstancë)