1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rumani: Rihapet gjyqi për presidentin e parë në pluralizëm

Robert Schwartz
6 Gusht 2022

Prokuroria ushtarake e Rumanisë sërish ka ngritur aktakuzë kundër presidentit Iliescu. Ai akuzohet për mashtrim të opinionit me pasojë viktima të shumta në njerëz.

https://p.dw.com/p/4FBoQ
Rumänien | Ion Iliescu
Fotografi: Xinhua/IMAGO

Në dhjetor 1989, ndërsa shtetet e tjera satelitore të Kremlinit po ushtroheshin me zell në ndërtimin e sistemit shumëpartiak, në Rumani do të vdisnin me qindra njerëz të pafajshëm që dilnin në rrugë nga regjimi komunist.  

Raportet zyrtare flasin për 1.116 burra dhe gra që u vranë gjatë të shtënave të përgjakshme para dhe pas arratisjes së çiftit diktator Nicolae dhe Elena Çaushesku. Por 80 për qind e viktimave u regjistruan pas rënies së diktaturës, ndërkohë që pushtetin e kishte marrë në dorë një strukturë e re politike. Në qendër të saj ishin ish-funksionarë të Partisë Komuniste, të shpërndarë me ngut, dhe ish-pjesëtarë të shërbimit sekret famëkeq, Securitate.

Catalin Regea ishte 20 vjeç kur më 16 dhjetor 1989 në Timishuarë filloi revolucioni, i cili më pas do të përhapej në të gjithë Rumaninë. Sot, më shumë se tri dekada më pas, studenti i asaj kohe pranon me hidhërim se shokët e tij studentë u mashtruan: "Na u duk se pas rënies së Çausheskut, më 22 dhjetor, revolucioni kishte triumfuar. Por ishim shumë larg.  Edhe disa ditë më pas qëllohej nga të gjitha anët. Nuk e dinim kush po na sulmonte. Tani e dimë: Armikun e kishim në krye të udhëheqjes së re politike", thotë revolucionari Regea.

Rumänien |  Revolution in Temeswar Dezember 1989
Revolucioni në Temeshvar, dhjetor 1989Fotografi: Cătălin Regea

Tri dekada konfuzion

Tani, plot 33 vjet pas ngjarjeve të përgjakshme të dhjetorit, po rihapet dosja kundër presidentit të parë postkomunist të vendit, Ion Iliescut, dhe dy të bashkëakuzuarve të tjerë. Ata akuzohen për krime kundër njerëzimit. Aktakuza është rishqyrtuar nga prokurorët ushtarakë, pasi në vitin 2021 Gjykata Supreme ua kishte kthyer çështjen hetuesve "për shkak të disa gabimeve procedurale". Këto gabimet thuhet të jenë mënjanuar tashmë.

Në qendër të proceseve janë ish-presidenti Ion Iliescu, ish-zëvendëskryeministri Gelu Voican Voiculescu dhe ish-shefi i Forcave Ajrore, Gjenerali në pension, Iosif Rus. Iliescu, si kreu i shtetit dhe i qeverisë, si edhe kreu i Këshillit të Frontit Kombëtar të Shpëtimit dhe Këshillit të Lartë Ushtarak, është akuzuar për mashtrim sistematik të publikut me qëllim që të forcojë pushtetin e tij politik të sapofituar. Kjo shkaktoi një "psikozë të terrorit të përgjithshëm ", me pasoja përleshje të shumta dhe shkëmbime zjarri.

Rumänien |  Revolution in Temeswar Dezember 1989
Catalin Regea (majtas) mori pjesë në protestat që sollën revolucionin rumunFotografi: Privatarchiv von Cătălin Regera

Deri më 30 dhjetor 1989, kishte pasur 857 raste vrasjesh, 2 382 raste me plagosje, 585 privime të rënda të lirisë në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar dhe 409 raste të dëmtimit të rëndë, thuhej në aktakuzë. Dy prej të akuzuarve kanë marrë pjesë vetë në zbatimin e këtij operacioni.

Hetimet janë penguar vazhdimisht gjatë viteve dhe disa vendime janë rrëzuar për shkak se disa nga veprat penale nuk përfshiheshin në kodin penal rumun. Çështja pezullohej dhe fillonte sërish. Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) e ka gjobitur disa herë Rumaninë për shkak të këtyre vonesave.

"Krimet kundër njerëzimit"

Nën presionin e GJEDNJ-së, në vitin 2016 u rihap procesi, por edhe këtë herë dosja u pezullua shpejt. Prokurori i Përgjithshëm i atëhershëm, Bogdan Licu pranoi se nuk kishte asnjë interes në zyrën e prokurorisë ushtarake për të hetuar "aspekte thelbësore" në lidhje me ngjarjet e dhjetorit.

Ion Iliescu
Ion IliescuFotografi: AP

Germina Nagat, shefe e Autoritetit rumun të dosjeve të sigurimit, CNSAS, e shpjegon këtë me mënyrën se si u krijua shteti i ri demokratik pas vitit 1989: "Ne kishim një shtet të prapambetur politikisht, i cili e kishte të vështirë të futej në rrugën e demokracisë. Gjyqësori ishte plotësisht nën kontrollin politik dhe nuk mund të reformohej brenda natës", shpjegon Napat për DW. Kjo është edhe arsyeja kryesore pse procesi ka vazhduar për tri dekada. Mjetet dëshmuese janë vjedhur ose shkatërruar, dhe disa nga autorët dhe dëshmitarët tashmë kanë vdekur.

Vetëm rihapja e dosjes në vitin 2021 bëri të mundur ngritjen e aktakuzës kundër të akuzuarve – përfshirë ish-presidentin Ion Iliescu. Hetimet konfirmuan akuzat për krime kundër njerëzimit, prokurorja e përgjithshme Gabriela Scutea tha për DW se: "Veçantia e këtyre hetimeve qëndron në faktin se krime të tilla kundër njerëzimit nuk mund të përmblidhen si mashtrim tatimor, korrupsion apo krime të rëndomta". Faktet individuale dhe personat që morën drejtimin dhe rrjedhimisht përgjegjësinë në shtet pas rënies së diktaturës, sipas Scuteas janë hetuar me imtësi dhe janë numëruar në aktakuzë.

Rumänien |  Revolution in Temeswar Dezember 1989
Fotografi: Cătălin Regea

"Si në tekstin shkollor"

"Askush nuk po pretendon se Ion Iliescu doli në rrugë dhe qëlloi njerëzit," i tha DW  Catalin Pitu, kryetar i  Prokurorisë Ushtarake. Por mund të vrasësh në mënyra të ndryshme, vazhdoi kryeprokurori. Për shembull, Iliescu manipulonte sistematikisht dhe mashtronte opinionin publik përmes paraqitjeve të tij televizive si njeriu i ri i fortë në shtet - dhe si rrjedhim edhe si komandanti suprem i ushtrisë. Ai fliste qëllimisht për rrezikun e terrorizmit, duke shkaktuar një psikozë të përgjithshme me pasojë luftimet dhe pas rënies së diktaturës. Ky mashtrim nuk ka ndodhur rastësisht, por është realizuar “si në tekstet e shkollës”, thotë prokurori ushtarak.

Sipas aktakuzës, "terroristët" për të cilët paralajmëroi Iliesku nuk kanë ekzistuar kurrë. Aktakuza cilëson si fajtorët kryesorë të kësaj "fushate diversioni dhe dezinformimi": Ion Iliescu dhe Camarillan e tij.

Procesi është një test i ri lakmusi për gjyqësorin rumun. Askush nuk mund të thotë se sa kohë do të kalojë derisa të ndëshkohen përgjegjësit. Catalin Regea, beson se kjo duhet të ndodhë shpejt: "Edhe një fëmijë dhjetë vjeçar i kupton akuzat". Për të, fokusi nuk është te dënimi i Iliescut, i cili tashmë është 92-vjeçar, por te besueshmëria e historiografisë rumune: “Iliescu nuk duhet të hyjë në librat shkollorë si hero, por si kriminel”.