Rumani: fëmijët e Cighidit
11 Shkurt 2016"Pallati i frikës", kështu e quajnë vendasit vendin, i cili është kthyer në simbol të një regjimi që i përçmonte njerëzit. Cighid: më parë zyrtarisht një qendër për të sëmurët kronikë - por në fakt këtu janë dërguar me shumicë fëmijë - për të vdekur. Godina sot është e mbyllur - xhirimet të padëshiruara. Megjithatë ne xhirojmë - së bashku me Calin Lacatus. 31 vjeçarin e sollën këtu kur ishte ende i vogël, edhe ai duhet të vdiste.
"Me këtë mblidheshin gjithnjë e më shumë kufoma. Traktori vazhdon të jetë atje, shikojeni. Shumë atëherë vdiqën nga uria, të tjerët nga të ftohtët. Gjithçka ishte e mbushur me fekale. Ajo dhoma atje, ajo qe Salloni numër 2. Ai qe plot me minj të mëdhenj, ata sulmonin madje edhe fëmijët e vegjël," tregon Calin Lacatus.
Zbulimi i gazetarëve gjermanë
Pranverë 1990. Nëpër botë qarkullojnë pamje të xhiruara nga gazetarë gjermanë. Skena nga e ashtuquajtura Qendër e të Sëmurëve Kronikë Cighid - vajza dhe djem të paushqyer, të lidhur, të mbajtur mbyllur. Pamje, të cilat demaskojnë regjimin e çmendur të diktatorit të saporrëzuar Çaushesku. Ai donte të prodhonte njeriun e ri, të fortë. Fëmijët, për të cilët mjekë pa skrupuj dëshmonin një paaftësi mendore ose trupore, nuk kishin vend në të. Në shtëpinë e fëmijëve të Cighid-it kishtë fëmijë jetimë, fëmijë me të meta fizike dhe mendore. Diktatori Çaushesku i pati urdhëruar gratë që të bënin shumë fëmijë. Por për fëmijët, që nuk qenë në përputhje me normën, nuk kujdesej askush.
Në bodrumet e Cighidit vdiqën më shumë se 130 fëmijë, shumë të tjerë pësuan dëme të pariparueshme.
26 vjet më vonë janë të paktë ata që e gjetën rrugën në një jetë pak a shumë normale. Calin (Koelin) dhe shokët e tij Renate dhe Joshka e kanë arritur këtë. Sot ata jetojnë në Oradea, një qytet fqinj. Këtu ata kanë punë, një banesë - por të gjithë i mundon kujtimi. "E kaluara na ndjek pa pushim. Është një barrë e rëndë, që do ta mbajmë gjithë jetën", thotë Renata.
Disa nga këta fëmijë jetojnë edhe më tej në Cighid. Në godina të reja, krahas pallatit të vjetër. Calini vjen herë pas here për vizitë. Për pacientët sot kujdesen mjekë dhe terapistë specialistë.
Drejtuesja e Shtëpisë së Fëmijës, Daniela Nistor erdhi menjëherë pas kthesës politike. Me terapi të fuqishme ajo dhe ekipi i saj kanë arritur t'i pakësojnë vuajtjet e shumicës së pacientëve. Por shumë këtu thonë se nuk do të jenë kurrë në gjendje që të bëjnë një jetë normale.
"Këtyre fëmijëve atëherë iu vu vula si të pashërueshëm dhe u lanë në fatin e tyre. Prandaj për shumë vetë çdo ndihmë erdhi shumë vonë. Kushtet e atëhershme vërtet që nuk krahasohen me ato të sotmet. Por mbështetja shtetërore është shumë e pakët, pa ndihma nga jashtë vendit, para së gjithash nga Gjermania, nuk do t'ia dilnim dot mbanë", na thotë Nestor.
Në jetën e tij të re, Calin Lacatus duhet të mjaftohet me ato para që fiton vetë. Megjithëse ai ka mësuar profesionin e hidraulikut, punë ka gjetur vetëm si pastrues në Sallën e Tregut të Qytetit. Rroga e tij është 160 Euro - një pagë që nuk të mjafton të ngopesh me bukë as në Rumani. Po ai nuk ankohet, dhe tregtarët e duan. "Shpresoj që t'ia dalë mbanë. Ka pasur fat të rëndë. Megjithatë është i zellshëm dhe i pastër, shumë fëmijë nga familje normale nuk janë kaq ambiciozë sa ai", na thotë një shitëse
Kthimi në një jetë normale në shoqëri - për Renate, Ioshka dhe Calin një rrugë e mundimshme, jo vetëm për arsye financiare. Shokë thuajse nuk kanë, ata e ndiejnë veten të stigmatizuar - si fëmijët e Cighidit.
"Ne përpiqemi të bëjmë jetën tonë, sa të mundemi. Çfarë ka ndodhur, ka ndodhur, duam ta harrojmë. Por njerëzit gjithmonë duan të dinë nga ne, si ishte atje. Në këtë rast na kthehen kujtimet", thotë Ioshka.
Kthim në jetë normale?
Kështu që shumicën e kohës ata rrinë me njëri-tjetrin, kur kanë kohë të lirë takohen gati çdo ditë për të gatuar dhe për të folur. Dhe nganjëherë ata i viziton Claudia Marc, psikologia e një organizate bamirëse gjermane. Ajo i mbështet miqtë: kur kanë probleme shpirtërore, por edhe probleme financiare. E para së gjithash - për të rivlerësuar fëmijërinë e tyre të humbur. "Nganjëherë atyre u mbarojnë fuqitë, u shuhen shpresat dhe trishtohen. Neve nuk na mbetet gjë tjetër vetëm se t'i sjellim sërish në humor, t'u japim shpresë dhe besim, kjo është detyra jonë", na tregon Claudia.
Fëmijët që kanë banuar më parë në këtë shtëpi fëmijësh sot trajtohen në mënyrë individuale. Disa janë strehuar në institute për njerëz me aftësi të kufizuara fizike e mendore. Njerëz me paaftësi të lehta jetojnë në komunitete banimi ose jetojnë në mënyrë të pavarur. Dhe fare në afërsi të Pallatit Calin-i na tregon një varrezë të vogël - aty ka 137 kryqe dhe një pllakë përkujtimore për fëmijët e vdekur të Cighidit. Askush nga personat që mbanin atëherë përgjegjësi nuk u nxorr ndonjëherë para gjyqit.