1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rruga e gjatë për t'u bërë shkrimtar

Janine Albrecht / Eliana Xhani1 Korrik 2012

Çdo vit në shtëpitë botuese gjermane dërgohen mijëra ekspoze e dorëshkrime. Por vetëm një pjesë e vogël e tyre botohen. Rruga për shkrimtar është e gjatë.

https://p.dw.com/p/15Od1
Romani "Mama Cool". i autores debutante Wiebke Busch
Fotografi: DW

Në këto 320 faqe është derdhur puna e një viti. Në këto 19 kapituj gjenden shumë përvoja nga jeta e një nëne moderne. Në këtë libër gjendet një ëndërr jete. Jo ajo për t'u bërë nënë por për t'u bërë shkrimtare.  "Çdo hartues tekstesh reklamash dikur do të shkruajë një libër", thotë Wiebke Busch, hartuese tekstesh reklame dhe prej pak kohësh edhe shkrimtare. Në duar ajo mban romanin e saj të sapo botuar "Mama Cool". Gjatë shfletimit, në fytyrë i lodron një buzëqeshje e lehtë. Në sytë e saj shkëlqen pak krenari.

Shkrimtarja Wiebke Busch gjatë punës në kompjuterin e saj.
Rrugë e gjatë dhe e vështirë - shkrimtarja Wiebke Busch gjatë punës në kompjuterin e saj.Fotografi: DW

Jo pa arsye! Ajo ia ka dalë mbanë të realizojë një ëndërr që e kanë shumë kolegë të saj. Vlerësohet se 98 për qind e të gjitha manuskripteve të dërguara çdo vit, skartohen nga shtëpitë botuese. Kjo prek para së gjithash manuskriptet e dërguara vullnetarisht. "Ne nuk mbajmë statistika të sakta, por çdo muaj kemi disa qindra libra, manuskripte, ekspoze dhe kampione leximi, të cilat vijnë në sektorët përkatës të shtëpisë botuese", thotë Markus Naegele, drejtues programi i shtëpisë botuese "Heyne Taschenbücher", që i përket grupit "Random House". Nga dërgimet me postë elektronike numri është rritur në mënyrë masive. Edhe në shtëpinë botuese nga Hamburgu "Rowohlt", sipas të dhënave të veta në sektorin e beletristikës çdo vit mbërrijnë rreth 3.000 manuskripte debutantësh. Prej tyre gjatë 15 viteve të fundit është botuar vetëm një titull.

Autorët debutues e kanë të vështirë të dallojnë nga masa

shkrimtarja Wiebke Busch në një librari
Përpjekja për të dalluar nga masa - shkrimtarja Wiebke Busch në një librariFotografi: DW

Edhe Wiebke Busch ia kishte dërguar këtyre dy shtëpive botuese ekspozenë e saj dhe një kampion leximi. Pa sukses. 36 vjeçarja është ulur në tavolinën e madhe të ngrënies në apartamentin e saj në perëndim të Hamburgut, ku jeton me burrin dhe dy fëmijët. Autorja e re të lë përshtypjen se as vetë nuk arrin ta besojë që libri i saj është botuar. Çdo minutë të lirë ia ka dedikuar këtij romani, i cili përmban shumë nga jeta e saj. Gjatë gjumit të drekës së vajzës apo në mbrëmje vonë. "Pastaj sigurisht që kisha dëshirë ta mbaja si libër në duar", thotë Busch. Por fillimisht merrte vetëm refuzime.

"Veçanërisht tek shtëpitë e mëdha botuese në masën e madhe të teksteve mund të humbasin nganjëherë edhe gjëra me vlerë", thotë Imre Török. Kryetari federal i shoqatës së shkrimtarëve gjermanë (VS) beson gjithashtu se në shtëpitë e vogla botuese ka më shumë dëshirë eksperimentimi. Tek ato kanë shanse më të mëdha për t'u zbuluar edhe autorët debutantë.

Këtë Markus Naegele nga "Random House" nuk e pranon plotësisht: "Shtëpitë botuese zgjedhin autorët dhe titujt tek të cilët shohin një potencial letrar apo komercial", thotë ai. Ngjashëm shprehen edhe kolegët nga shtëpitë e tjera botuese. "Ne përpiqemi gjithnjë të arrijmë një përzierje të mirë autorësh të etabluar dhe zbulimesh të reja interesante", thekson edhe Andrea Müller, drejtuese programi në grupin e shtëpive botuese "Droemer Knaur".

Potencial me rreziqe

Por ajo përmend edhe rënien e madhe të shitjeve në tregtinë e librit. "Edhe vetë mbajtja e autorëve të etabluar në nivelin e arritur të shitjeve kërkon përpjekje të mëdha në shitje dhe marketing; aq më e vështirë është të arrish të nxjerrësh në treg autorë të rinj apo t'i kthesh ata në 'bestseller'", thotë Müller. Për këtë arsye për një shtëpi botuese është një rrezik i madh të përfshijë në program një debutues. Nëse libri rezulton dështim shtëpia botuese nuk humbet vetëm paratë që ka investuar në reklamë dhe marketing por edhe pjesën e xhiros që duhej të kishte realizuar me këtë vend në program.

Shumë autorë kërkojnë rrugë alternative për botimin e librave të tyre, si libra elektronikë (e-book) apo në platforma të tjera dixhitale. Edhe Wieble Busch mendoi ta publikonte librin e saj në platformën "Books on Demand". Në këtë faqe gjermane interneti autorët mund të ofrojnë librat e tyre të cilët pastaj kalojnë në shtyp sipas kërkesës të klientëve.

Paralelisht Busch guxoi të ndërmerrte edhe një përpjekje tjetër tek shtëpia botuese berlineze "Schwarzkopf&Schwarzkopf". Me sukses. "Ne planifikonim pikërisht në atë kohë një seri me të cilën përshtatej fare mirë tema e librit të Wiebke Busch", tregon lektorja Annika Kühn. Edhe një avantazh për Busch: ajo shkruan për diçka që ka përjetuar vetë. Rrugën drejt të qenit nënë. "Autori është më i besueshëm kur në një farë mënyre mishëron vetë historinë", thotë Kühn.

Lektorja Annika Kühn nga shtëpia botuese "Schwarzkopf & Schwarzkopf"
Lektorja Annika Kühn nga shtëpia botuese "Schwarzkopf & Schwarzkopf"Fotografi: Nico Klein-Allermann

Tani libri "Mama Cool" duhet vetëm të shitet. Busch shëtit ngadalë mes rafteve me libra të një librarie të vogël. Diku zbulon më në fund romanin e saj. Dhe në fytyrë i lodron sërish buzëqeshja e lehtë krenare.