Rrugë e mundimshme për t'u ngjitur në pozicionet drejtuese
8 Maj 2013Fare hapur duhet të rrëfejnë gratë për përvojat e tyre, thotë që në fillim të takimit kancelarja gjermane Angela Merkel. Sidomos në lidhje me vështirësitë për të ecur përpara në profesion. I hapur dhe me dinamizëm fillon pastaj dhe diskutimi në zyrën e kancelares. Sipërmarrëset, kryetaret e bashkive dhe shkencëtaret nuk lënë gjë pa thënë. 100 gra, që kanë arritur në pozicione drejtuese, qëndrojnë të ulura rreth kancelares. Kancelarja drejton fare natyrshëm qeverinë, ndërsa asnjë nga 30 sipërmarrjet më të mëdha gjermane nuk kryesohet nga ndonjë grua. Ka pra shumë për të diskutuar.
Ka rrëfime të përvojave personale, që janë aq absurde, saqë të gjithë qeshin me të madhe dhe e qeshura jehon në sallë. Për shembull tregimi i Ivone Kolmsee, shefe e kryesisë së SKW Stahl-Metallurgie. Pasi u martua ajo fillimisht nuk mori më nga ministria bavareze e Financave kartelën për pagimin e taksave, me argumentin se si bashkëshorte tani nuk ka nevojë më të punojë. Ajo duhej ta dëshmonte me një vërtetim nga shefi se shkonte çdo ditë në punë, edhe kur u bë nënë. "Shefi jam unë", i shpjegoi ajo nëpunësit të habitur.
Role tradicionalisht të ngulitura
Që ndarja tradicionale e roleve është e ngulitur fort në mendjet e njerëzve, këtë e ka përjetuar Sigrid Nikutta, shefe e kryesisë së ndërmarrjeve të transportit publik të Berlinit. "Kolegët e mi i linin qëllimisht mbledhjet në orën 20 të mbrëmjes, për të parë, nëse e përballon dot një nënë me katër fëmijë." Në këtë orë nuk është i hapur asnjë kopsht, asnjë çerdhe, atëherë me fëmijët duhet të qëndrojë partneri, ose një grua, që kujdeset për fëmijët.
"Në ndërmarrjet suedeze në orën 17 koridoret janë bosh", rrëfen Ines Kolmsee, sepse atje edhe shumë baballarë i marrin fëmijët nga kopshtet dhe shkollat. Në Gjermani nga ana tjetër shihen si të angazhuar dhe të zellshëm ata, që qëndrojnë më gjatë në zyrë. Për nënat në mesin e drejtuesve është mjaft e vështirë. "Mbledhje në orën 20 nuk do të kishte, nëse burrat dhe gratë do ta ndanin punën në familje", është e bindur menaxherja Kolmsee. Akoma përqeshen ato burra, të cilët largohen nga puna për një farë kohe, që të kujdesen për fëmijët. Dhe ka sipërmarrje të mëdha gjermane, që u ofrojnë praktikantëve meshkuj një vend pune pas përfundimit të praktikës, ndërsa femrave jo. "Po ju pa dyshim, që doni të krijoni familje?" është pastaj pyetja, që u drejtohet.
As vetë kancelarja e parë e Gjermanisë nuk është imune ndaj ndarjes së roleve, siç e pranon ajo sinqerisht. Nëse një grua me fëmijë mund të jetë kancelare, e kanë pyetur kohët e fundit. Merkel tregon se u është përgjigjur, që nuk do të ishte e thjeshtë. "Pastaj thashë me vete. Helmut Kohl ka gjithashtu fëmijë!"
Shteti mund të bënte më shumë
Ndërsa ndryshimi i mentalitetit kryhet ngadalë, politika mund të veprojë pak më shpejt, janë të mendimit gratë në nivelet drejtuese. Në vende të tjera europiane, si në Francë, shteti mbështet qëllimisht përkujdesjen për fëmijët. Në Gjermani nuk është kështu. Aty nuk ka vende në kopshte për secilin fëmijë. Prej vitesh qeveria gjermane premton se do të ndihmojë, por ndryshimi vjen shumë ngadalë. Në qoftë se kujdesi për fëmijën paguhet privatisht, duhet zbritur në taksa, kërkojnë shefet e pranishme, Merkel e mban shënim. Por planet e qeverisë janë krejt të tjera: Nënat, që i rrisin fëmijët në shtëpi, duhet të marrin në të ardhmen "para për rritjen e fëmijëve". Kjo refuzohet nga raundi i diskutimit.
Këto kushte pjesërisht jo në dobi të familjes janë një arsye, thotë Marion Kiechle, se përse gratë vendosin kundër familjes. "Ato thonë: Në këto kushte nuk jam e gatshme, të krijoj një familje." Kësaj i shtohet fakti, thotë drejtoresha e klinikës nga Mynihu, që gratë për të njëjtën punë në Gjermani shpesh marrin më pak para se burrat, duke përfshirë edhe kryemjeket.
Kuota shtyhet momentalisht
Në kryesitë e kompanive më të mëdha gjermane përqindja e grave është e ulët katër për qind. Por vendosjen e një kuote për gratë kancelarja do ta vendosë pas zgjedhjeve parlamentare në shtator. Pastaj plani është që deri në vitin 2020, në bordet drejtuese të jenë 30 për qind gra. "Kur gratë përbëjnë mbi 50 përqind të popullatës, një kuotë 30 për qind nuk është e paarsyeshme, por një ofertë e mirësjellshme", komenton Merkel.
Mendimet për nevojën e kuotës janë të ndryshme në sallë. Kuota shpejton barazinë, por nuk është shpëtimi. Pavarësisht nga programet mbështetëse të shtetit menaxherët me përvojë këshillojnë, që gratë duhet të krijojnë lidhje dhe ta nxjerrin veten në pah. Atëherë do t'u hapeshin shumë dyer, sepse ato gjithsesi kanë kualifikim më të mirë.