Rrjeti botëror i Al-Kaidës
30 Prill 2013Emri i Al-Kaidës lidhet me një sërë atentatesh si në Perëndim ashtu edhe në botën arabe. Me sulmin terrorist kundër Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork në vitin 2001 përmes anëtarëve të saj, Al-Kaida u bë e njohur për opinionin botëror. 3000 vetë humbën jetën, ndërkohë që kreu i rrjetit terrorist islamist, Osama Bin Laden në vitin 2011 u zbulua në Pakistan dhe u vra nga ushtarët amerikanë. Aktualisht Al-Kaida është e përçarë.
Një sërë grupesh terroriste në Afrikën e Veriut, në Lindjen e Mesme apo gadishullin arabik përdorin pjesërisht emrin e Al-Kaidës, por ndjekin qëllimet e veta. Qendra e rrjetit mendohet të jetë në zonën kufitare mes Afganistanit dhe Pakistanit. Po ashtu edhe zemra e këtij rrjeti terorist duket të jetë dobësuar shumë. Sipas ekspertëve truri ideologjik i këtij rrjeti përbëhet nga 300 deri në 400 persona. Nga ana tjetër janë forcuar edhe grupet jashtë qendrës.
Dobësohet udhëheqja
Studiuesi i islamit, Guido Steinberg nga Instituti për Shkencën dhe Politikën është i mendimit se vrasja e Bin Ladenit e ka dobësuar dukshëm Al-Kaidën. Organizata nuk e ka më udhëheqësin karizmatik, që qëndron mbi grindjet e grupacioneve të ndryshme. "Udhëheqësi aktual, egjiptiani Aiman Az Savahiri është shumë i konstestuar brenda joegjiptanëve." Megjithatë Savahiri është kreu vendimmarrës i Al-Kaidës. Gazetari dhe eksperti i Al-Kaidës, Asin Musharbash në bisedë me Deutsche Wellen-n informon se Savahiri ka në rrethin e ngushtë ujq të vjetër të Al-Kaidës. "Ata prezantojnë imazhin e Al-Kaidës jashtë në videomesazhe dhe deklarata."
Filialet e Al-Kaidës dhe aleatët
Krahas qendrës në Pakistan edhe në shtete të tjera ekzistojnë grupe dhe lëvizje që solidarizohen me rrjetin terrorist. Musharbash: "Filiale të tilla i gjen në Irak, në Afrikën e Veriut, në Gadishullin Arabik. Në Somali kemi milicët Shabab që janë shumë aktivë janë pjësë e Al-Kaidës, por nuk janë identikë me ta."
Rrjeti terrorist është i përhapur veçanërisht në Algjeri, Mali dhe në Libi. Edhe në Irak aktivitetet e tyre janë shtuar. Në këtë vend mendohet të ndodhen rreth 1000 vetë. Edhe në vendin fqinj, Sirinë ofrohet e njëjta situatë. Lufta e grupeve kryengritëse kundër regjimit të presidentit, Bashar Al-Asad ka forcuar islamistët, shprehet gazetari Musharbash. "Në Siri kemi Frontin Xhabat Al Nusra, aktualisht grupi më i rëndësishëm xhihadist." Ende ky grup nuk përbën ndonjë rrezik për botën jashtë, por kjo mund të ndryshojë në rast të rënies së regjimit të Asadit. Ky grup mund të themelojë një lloj mini-emirati dhe të sulmojë Izraelin. "Këtë qëllim ky grup e ka bërë gjithmonë publik."
Pak anëtarë, shumë përkrahës
Nuk ka të dhëna të sakta lidhur me numrin e plotë të përkrahësve të Al-Kaidës. Yasin Musharbash është i mendimit se "nuk ka më shumë se 10.000 vetë në të gjithë botën, që identifikohen me Al-Kaidën." Numrin e atyre që përbëjnë thelbin e organizatës, eksperti e vlerëson deri në 5.000.
Ndërsa eksperti Guido Steinbach është i mendimit se grupet e Al-Kaidës janë të pavarura nga njëra-tjetra në përcaktimin e strategjisë dhe taktikës së tyre. "Ky është sheshi i lojës për xhihadizimin, përmes të cilit organizata ka fituar shumë pikë në botën arabe në tre deri katër vitet e fundit." Pjesërisht një pavarësim i tillë është lejuar nga vetë Al-Kaida. "Që në vitin 2010 u ofrua një video programatike, ku u paraqitën të gjithë udhëheqësit e Al-Kaidës që kishin një emër në atë kohë. Aty u tha: ju nuk keni nevojë të vini në Pakistan, nuk është e nevojshme t'i bashkangjiteni organizatës, Shikoni vetë në vendet tuaja se si mund t'i organizoni aktivitetet terroriste."
Al Kaida mbetet e rrezikshme
Në shtetet perëndimore numri i atentateve të Al-Kaidës ka rënë ndjeshëm për shkak të masave për luftimin e terrorizmit në SHBA. Sipas ekspertit Yasin Musharbash kjo ka çuar në përhapjen e një opinioni të ri të rënies së rrezikut të Al-Kaidës. Në të vërtetë e kundërta e këtij opinioni i përgjigjet realitetit. "Al-Kaida është në botën arabe qindra herë më aktive se jashtë saj. Ka studime domethënëse, që tregojnë se Al-Kaida vret tetë herë më shumë myslimanë se jomyslimanë." Rrjeti terrorist po përjeton një pranverë të dytë, për shkak të problemeve të pazgjidhura me pranverën arabe. "Al-Kaida nuk duhet nënvlerësuar", thekson Musharbash. "Al-Kaida është në gjendje që në momente vendimtare të ripërtërihet. Dhe këtë po e shohim edhe tani."