1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtohet trysnia ndaj Zvicrës

Eliana Xhani15 Maj 2013

Pasi Austria hoqi dorë nga rezistenca BE mund të negociojë tani me Zvicrën për një marrëveshje fiskale. Për këtë ranë dakord ministrat e financave të BE-së. Ajri po bëhet gjithnjë e më i rrallë për evazorët fiskalë.

https://p.dw.com/p/18Xt5
Fotografi: Reuters

Pas një konflikti disavjeçar ministrat e financave të BE-së ranë dakord të martën (14.5.) të nisin negociatat me Zvicrën dhe katër vende të tjera joevropiane, për një marrëveshje për tatimin e të ardhurave nga interesat. Deri para pak kohësh Austria kishte rezistuar, pasi donte të mbronte sekretin bankar në vend dhe nuk donte t'u përcillte shteteve të tjera të dhëna për klientët e bankave.

Ministrja austriake e Financave Maria Fekter, deklaroi para fillimit të takimit të ministrave të Financave në Bruksel, se tani ajo do të "zhbllokojë" dhe do të bashkohet me shumicën brenda BE-së, që synon masa më të forta kundër evazionit fiskal.

Më parë kishte lëshuar pe edhe Luksemburgu, i cili gjithashtu fillimisht refuzonte përcjelljen e të dhënave bankare. Mandati i negociimit që mori tani Komisioni i BE-së nga ministrat e financave, nuk është formuluar plotësisht. Duket se negociatat nuk duhet të rëndohen me kërkesa konkrete.

Brüssel EU Finanzminister Treffen 14.05.2013 Fekter Frieden
Maria Fekter, në takimin e ministrave të Financave në BrukselFotografi: Georges Gobet/AFP/Getty Images

Objektivi është që Zvicra të pranojë të marrë pjesë në një këmbim automatik të të dhënave bankare. Atëherë të ardhurat nga kapitali e para së gjithash nga interesat, që merren nga një llogari në Zvicër apo një tjetër parajsë fiskale në Evropë, do t'i njoftoheshin autoriteteve fiskale në vendin e origjinës të titullarit të llogarisë, ku dhe do t'i nënshtrohen tatimit.

Brenda BE-së ekziston që prej vitit 2005 një këmbim automatik i të dhënave në 25 nga 27 vendet anëtare. Deri tani atë e kundërshtonin vetëm Luksemburgu dhe Austria. Objektivi i qartë i ministrave të financave të BE-së është ta ngrenë këtë lloj krahasimi të dhënash në nivelin e një standardi global.

Në këtë përpjekje ata morën së fundi mbështetje edhe nga Azia: Singapori njoftoi të martën (14.5.) në mënyrë të papritur se dëshiron të marrë pjesë në këmbimin e të dhënave fiskale. Me vendimet e Brukselit dhe Singaporit, shtohet trysnia ndaj Zvicrës për të zbutur sekretin e saj bankar.