1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëIzrael

Rritet dhuna kundër palestinezëve në Jordanin Perëndimor

Tania Krämer
14 Nëntor 2023

Në mesin e luftës së Izraelit kundër Hamasit në Rripin e Gazës, organizatat e të drejtave të njeriut raportojnë për rritje të dhunës së banorëve të ngulimeve kundër palestinezëve në Jordanin Perëndimor.

https://p.dw.com/p/4YmkI
Khirbet Susiya është një komunitet palestinez në Hebronin jugor të Jordanit Perëndimor - pamje e largët e shtëpive
Khirbet Susiya është një komunitet palestinez në Hebronin jugor të Jordanit PerëndimorFotografi: Tania Kraemer/DW

"Javët e kaluara ishin shumë të vështira", thotë Halima Khalil Abu Eid. Nëna e dy vajzave të vogla jeton në Khirbet Susiya, një fshat në kodrën në jug të Hebronit në zonën e Jordanit Perëndimor të pushtuar nga palestinezët. Para një muaji, rrëfen ajo, erdhën ngulues izraelitë shtëpinë e saj, në kohën që familja flinte, e qëlluan bashkëshortin dhe u dhanë një ultimatum. "Ju duhet të braktisni shtëpinë. Nëse nuk ikni do t'iu vrasim. Dhe duhet ta shkatërroni shtëpinë tuaj."

Që nga fillimi i luftës së Izraelit kundër Hamasit raportohet për rritje të presionit të banorëve të ngulimeve ndaj banorëve në Khirbet Susiya. Abu Edi rrëfen, se "na ata bastisin, na shkatërrojnë, na terrorizojnë. Herën e fundit sulmuan bashkëshortin dhe kunatin e tij." Një nga vajzat e tij volli nga frika, sipas 29 vjeçares.

Komuna Khirbet Susiya prej vitesh ndjen ngacmimet e banorëve që jetojnë në zonat e ngulimeve dhe në ferma. Por që pas sulmit terrorist më 7 tetor të Hamasit, të kategorizuar si organizatë terroriste nga SHBA, BE, Gjermania e disa vende arabe, dhuna e nguluesve dhe dëbimi i palestinezëve në Jordanin Perëndimor është rritur "ndjeshëm", ka bërë të ditur Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare, OCHA.

Halima Abu Eid ka frikë për të ardhmen dhe familjen e saj të kërcënuar nga banorët e ngulimeve - Halima me shami koke mbahet në një gardh, pas stalla e deleve
Halima Abu Eid ka frikë për të ardhmen dhe familjen e saj të kërcënuar nga banorët e ngulimeveFotografi: Tania Kraemer/DW

Në sulmin terrorist të Hamasit më 7 tetor u vranë nga Hamasi rreth 1200 vetë në komunat izraelite në afërsi të Rripit të Gazës. Rreth 240 vetë janë marrë peng dhe mbahen ende në Gaza. Sulmi i Hamasit çoi në kundërpërgjigjen me sulme të Izraelit dhe një ofensivë tokësore. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë të kontrolluar nga Hamasi nga bombardimet izraelite janë vrarë më shumë se 11.000 palestinezë në Rripin e Gazës. Si edhe më parë nga Gaza goditet me raketa kundër Izraelit.

Dhuna e banorëve të ngulimeve

Lufta mes Izraelit dhe Hamasit ndikon jetën e palestinezëve në Jordanin Perëndimor. Sipas OCHA që atëherë janë vrarë 168 palestinezë nga forcat izraelite dhe tetë të tjerë nga banorët e ngulimeve. Tre izraelitë janë vrarë nga palestinezët.

Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara 16 komunitete beduinësh dhe fshatare ku kanë jetuar 1150 vetë janë dëbuar dhe janë detyruar të lenë apo shkatërrojnë shtëpitë dhe stallat e tyre. Disa duhet të linin pas gjithçka kishin. Organizatat e të drejtave të njeriut i kanë dokuemtuar raste të tilla si në Khirbet Susiya, ku ngulues të armatosur kanë hyrë në fshatra dhe kanë kërcënuar banorët, nëse nuk largohen.

Khirbet Susiya është një komunitet i vogël me familje palestineze që jetojnë të shpërndarë në një peizazh kodrinor. Shumica e tyre jetojnë nga bujqësia dhe blegtoria. Shtëpia njëkatëshe e Abu Edit, stalla e deleve dhe çadrat dukeshin të qeta ditën që i vizitoi Deutsche Welle. Një mace kuqaloshe i gëzohej diellit të mesditës, ndërkohë që në oborr vërdalliseshin pulat. Por kërcënimi nga banorët e ngulimeve qëndron si re e zezë mbi jetën e familjes. "Ku të shkojmë? Çfarë duan ata prej nesh? Duan të na marrin shtëpitë, këtë e dimë nga e shkuara. Po ku të shkojmë ne? Kjo është shtëpia jonë, vatra jonë, nuk mund ta braktisim", thotë Abu Eid.

Shumica e banorëve të Khirbet Susiya jetojnë nga bujqësia e blegtoria
Shumica e banorëve të Khirbet Susiya jetojnë nga bujqësia e blegtoriaFotografi: Tania Kraemer/DW

Hyrjet në fshat janë shkatërruar

Banorët e Khirbet Susiya aktualisht duhet të kapërcejnë mure dhe kodrina, sepse hyrjet në fshat janë bllokuar. "Më 16 tetor erdhën ngulues në uniforma dhe ushtarë këtej, bashkë me buldozer, që e ngiste një nga nguluesit që ne e njohim", thotë Naser Navajah një aktivist i organizatës izraelite për të drejtat e njeriut, B'Tselem, që jeton në Khirbet Susiya. "Ata bllokuan të gjitha hyrjet në Susia dhe dëmtuan dy cisterna uji." Sipas Navajah, më vonë është dëmtuar edhe një cisternë tjetër dhe janë prerë disa tubacione uji.

Disa nga banorët janë të varur nga prania e aktivistëve izraelitë, që bëjnë roje 24 orë pranë fshatit. Por edhe aktivistët janë sulmuar në disa zona nga banorët e ngulimeve, disa në uniformë ushtarake, thuhet. Yehuda Shail është aktivist izraelit dhe bashkëthemelues i organizatës joqeveritare Breaking the Silence. Ndërkohë ai punon për një organizatë tjetër, Ofek dhe kalon një pjesë të madhe të kohës në kodrinat judore të Hebronit për t'u ndihmuar banorëve.

"Për vite me radhë ushtria nuk ka ndërhyrë për të mbrojtur palestinezët", thotë Shaul në bisedë me DW, por që nga "7 tetori kur filloi lufta, është kështu, që trupat e shpejta të ndërhytjes të ngulimeve - të përbëra nga ngulues lokalë - u rekrutuan në shërbimin e rezervës dhe tani janë pajisur me uniforma me armë dhe pajisje të plota me autoritetin e ushtarëve." Palestinezët në thelb nuk kanë asgjë më që të mbrohen, shton ai.

Aktivisti për të drejtat e njeriut, Naser Navajah jeton në Khirbet Susiya - pamje e Naserit në sfond toke të thatë me gurë
Aktivisti për të drejtat e njeriut, Naser Navajah jeton në Khirbet Susiya Fotografi: Tania Kraemer/DW

Ushtria izraelite në një njoftim zyrtar ka bërë të ditur, se "detyra e IDF është që të ruajë sigurinë për të gjithë banorët e territorit, për të penguar terrorizmin dhe aktivitetet që rrezikojnë qytetarët e shtetit të Izraelit. Në rast të shkeljeve ligjore nga izraelitët, është përgjegjëse në radhë të parë policia izraelite për trajtimin e këtyre rasteve."

Forcat Mbrojtëse Izraelite, IDF kanë bërë të ditur më tej, se ushtarët në zonë ndeshen me incidente të dhunshme, që drejtohen kundër palestinezëve dhe pronës së tyre. "Në këto raste ushtarët janë të detyruar të ndërhyjnë për të ndalur lëndimet dhe në rast nevoje të ndalojnë të dyshuarit deri në ardhjen e policisë." Në raste kur ushtarët nuk i ndjekin udhëzimet e IDF atëherë rastet duhet të verifikohen dhe të merren masa disiplinore përkatëse, thuhet në një deklaratë.

Shënohen më shumë sulme kundër palestinezëve

Më shumë se 240 sulme të nguluesve izraelitë kundër palestinezëve janë shënuar sipas OCHA që nga 7 tetori. Kombet e Bashkuara regjistrojnë një rritje të ndjeshme të incidenteve me mesatarisht 7 sulme në ditë, në krahasim me 3 para fillimit të konfliktit. Këto sulme kanë çuar aty që komuna të tëra, sidomos ato në sektorin e quajtur sektori C, që përbën 60% të Jordanit Perëndimor të pushtuar të dëbohen apo të braktisen. Sektori C u krijua në vitin 1995 në kuadër të Marrëveshjes së Oslos  dhe duhej t'u jepej hap pas hapi administratës palestineze. Por ende kjo zonë gjendet si më parë nën kontrollin e plotë izraelit të sigurisë dhe atë administrativ.

Në një vizitë të shkurtër në Jordanin Perëndimor, ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock paralajmëroi nga rënia e rajonit nën vorbullën e dhunës. Presidenti amerikan, Joe Biden dënoi dhunën në Jordanin Perëndimor dhe kërkoi fundin e menjëhershëm të sulmeve nga ngulimet. Aktivisti izraelit, Shaul kërkon ndër të tjera që bashkësia ndërkombëtare të gjejë një zgjidhje politike. "Një shtet palestinez nuk mund të krijohet nga 165 enklava të izoluara nga njëra tjetra, të rrethuara nga ngulime dhe një sektor C të dominuar nga ngulimet." Sipas tij, "pa përfshirjen e sektorit C nuk mund të ketë zgjidhje me dy shtete."

Dele të barinjve palestinezë: Shumë banorë të Jordanit Perëndimor nuk shohin perspektivë të mirë për të ardhmen
Dele të barinjve palestinezë: Shumë banorë të Jordanit Perëndimor nuk shohin perspektivë të mirë për të ardhmenFotografi: Tania Kraemer/DW

Për disa palestinezë ndihma vjen nganjëherë shumë vonë. Si për Salah Auad, një bari nga komuna fqinje. Ai u largua nga shtëpia pas sulmeve të përsëritura dhe kërcënimeve nga nguluesit që në 15 tetor. "Ata vinin çdo të premte dhe të shtunë shkatërronin gjëra, na kërcënonin. Nuk mundja më dhe jam larguar." Jam larguar disa herë për shkak të frikësimeve dhe ngacmimeve. Në një zonë të re pa dele e pa lëndina ai nuk e di si do të sigurojë jetesën. "Unë jam bari", dhe "pa delet jam një hiç. Çfarë të bëj unë?" Salah Auad nuk shikon ndonjë perspektivë për ndihmë. "Askush nuk kujdeset për ne."