1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Turqia dhe Siria

Matthias von Hein20 Shkurt 2016

Së shpejti në Siri do të hyjë në fuqi një armëpushim. Po ndërkohë, lufta për Aleppon po kthehet në betejë vendimtare dhe ndërhyrja turke e shton rrezikun. Papritur ata që përfitojnë janë kurdët.

https://p.dw.com/p/1HyxP
Syrien Aleppo Rauch Ruinen Menschen
Aleppo e shkatërruarFotografi: picture-alliance/dpa/I. Pitalev

Në dramën në luftën civile në Siri që prej fillimit ishte karakteristikë që atje shumë aktorë të huaj ndiqnin interesa shumë të ndryshme. Kur para një jave në Mynih u nënshkrua një marrëveshje armëpushimi, në tryezë ndodheshin përfaqësuesit e më shumë se 17 shteteve - ata që mungonin ishin si qeveria siriane, ashtu edhe opozita.

Tani, sulmi i Turqisë kundër kurdëve sirianë kërcënon ta ndërkombëtarizojë dhe ta shkallëzojë edhe më shumë gjendjen. Që tani, avionë luftarakë rusë janë ngritur në qiell dhe bëjnë pak dallime midis luftëtarëve dhe civilëve. Në tokë luftojnë jo vetëm ushtarët e ushtrisë së rregullt të Assadit, por të udhëzuar nga këshilltarë iranianë edhe shiitë afganë, irakianë dhe libanezë. Kundërshtarët e tyre janë një numër kryengritësish me sfond të ndryshëm fetar - të mbështetur nga SHBA, nga Turqia, Arabia Saudite, Kuvajti dhe Katari.

Partner i shumë palëve - kurdët

Sikur gjendja të mos ishte boll e ndërlikuar, tani në tabllo hyjnë edhe luftëtarë kurdë, të njësive çlirimtare të popullit YPG: ata mbështeten si nga SHBA, ashtu edhe nga Rusia - dhe nuk preken nga Assadi.Të mbështetur nga avionë luftarakë rusë, ata përpiqen që t'i zgjerojnë rajonet e kontrolluara nga kurdët në kufirin turk. Kjo nga ana tjetër bëri për qeverinë turke që fuçia të derdhet: që prej fundjavës së kaluar, artileria turke godet pozicione të kurdëve. Kjo bëri që Moska të shqiptojë kritika të ashpra dhe kërcënime, pati një paralajmërim të KS të OKB-së për Ankaranë si pasojë, si dhe një apel të administratës amerikane ndaj YPG dhe Turqisë që të tregohen të përmbajtura ndaj njëra-tjetrës. Turqia deri tani tregohet e paimpresionuar.

Ndërkohë, në Ankara mendojnë me zë të lartë për angazhimin e trupave tokësore, mbase edhe me pjesëmarrjen e Arabisë Saudite. Avionë luftarakë sauditë janë shpëngulur madje në bazën ajrore turke të Incirlikut. Një ofensivë me trupa tokësore, Can Kasapoglu e konsideron pa gjasa, për shkak të rreziqeve. Eksperti i Mbrojtjes i Qendrës Kërkimore të Stambollit EDAM deklaroi në bisedë me DW: "pavarësisht nga ajo që thonë politikanët: realiteti ushtarak flet kundër fillimit të një invazioni masiv nga Turqia dhe Arabia Saudite."

Syrien YPG Volksverteidigungseinheiten Koalition Kurden
YPG- koalicioni kurd në SiriFotografi: Getty Images/AFP/D. Souleiman

Akt dëshpërimi

Drejtuesi i Fondacionit Heinrich Böll për Turqinë, sheh në goditjet me artileri të Turqisë edhe një akt dëshpërimi të Ankarasë. Kristian Brakel shpjegon në intervistë me DW se Turqia, ashtu si Arabia Saudite, i sheh të rrezikuara në mënyrë masive interesat e saj. YPG është krahu i armatosur i Partisë Kurde të Unitetit Kombëtar. Kjo parti nga ana e saj është themeluar nga PKK, e cila në Turqi përndiqet si terroriste. YPG tani po punon me shumë sukses për t'i bashkuar tri kantonet e kontrolluara prej saj në kufirin turk. Për qeverinë turke kjo është një ëndërr e keqe. Duket se kurdët e Sirisë janë i vetmi grup që po del fitues nga kaosi i luftës civile në Turqi - siç përfituan më parë vëllezërit e tyre në Irak nga rrëzimi i Sadam Husseinit. Që prej fillimit të luftës civile në Siri, kurdët i kanë mbrojtur me shumë aftësi interesat e tyre, shpjegon Kristian Brakel. Ata madje nëshkruan një pakt mossulmimi me Assadin.

Rusia kishte më shumë për të ofruar

Njëkohësisht, kurdët ia kanë dalë mbanë që të profilizohen si forca më e rëndësishme politike kundër Shtetit Islamik. Kjo u solli atyre mbështetjen e SHBA. Njëkohësisht, luftëtarët e YPG bashkëpunojnë ngushtë edhe rusët. Avionë luftarakë rusë mbështesin avancimin e njësive kurde në veri të Aleppos. Duket sikur Rusia dhe Assadi janë më të gatshëm t'ua plotësojnë më shumë dëshirat kurdëve, se sa SHBA. SHBA duhet të mbajnë parasysh edhe partnerin e tyre të NATO-s, Turqi, e cila është pak e entuziazmuar nga mbështetja e Perëndimit për kurdët. Brakel thotë se dy muaj më parë YPG u përpoq të merrte më shumë mbështetje nga SHBA. Jo vetëm me armë, por edhe në përkrahje publike. "Këtë ata nuk e morën. Një nga rezultatet është që ata u kthyen nga Rusia".

Turqia nuk dëshiron që ta vështrojë duarlidhur humbjen e çdo ndikimi të saj në shtetin fqinj. Turqia punon që të ngrejë zona të ndalim-fluturimit në Siri, thekson Günther Seufert, ekspert për Turqinë i Fondacionit Gjerman të Shkencës dhe Politikës. Edhe Kancelarja gjermane është shprehur pro zonave të ndalim-fluturimit. Por me këtë kërcënon konfrontimi me Rusinë "sepse Rusia për momentin ka sovranitetin absolut në hapësirën ajrore të Sirisë." Prandaj nuk është për t'u çuditur që Rusia i kundërshtoi kërkesat e Merkelit për një zonë ndalim-fluturimi.