Antibiotikë në ushqimin e kafshëve
20 Shtator 2012Ushqimi dhe mbarështrimi industrial i kafshëve në Gjermani dhe vende të tjera të BE, ka pak të bëjë me ndonjë idil fshataresk. Pulat, gjelat, derrat dhe lopët jetojnë ngjitur-ngjitur në salla të mëdha pularish dhe fermash për rritjen e bagëtive.
Prirja është drejt kombinatesh edhe të mëdha për prodhimin e vezëve dhe të mishit. Ferma me më shumë se 100.000 pula dhe disa mijë derra nuk janë të rralla. Në to kafshët ushqehen në një kohë rekord me shpenzime sa më të ulta për të arritur sa më shpejt që të jetë e mundur peshën për therje.
Një pulë e predestinuar për t'u therur jeton mesatarisht 32 ditë, një derr është i gatshem për therje pas katër muajsh. Kush nuk i bashkohet këtij kësaj metode konvencionale për ushqimin e kafshëve, mund të dalë humbës në konkurrencën e ashpër për mish me çmim sa më të lirë.
Ushqimi industrial i kafshëve është e mundur vetëm me antibiotikë
Mishi i lirë i prodhuar industrialisht ka edhe efekte anësore. Kafshët nuk mbahen në kushte të përshtatshme dhe për shkak të ngushtësisë dhe jetesës në grupe të mëdha, pa përdorimin e antibiotikëve kafshët patjetër që sëmuren. Transmetimi i infeksionit nga një kafshë tek e gjithë stalla është një rrezik i madh. Për ta parandaluar këtë fermerët u japin kafshëve bashkë me ushqimin antibiotikë. Sipas të dhënave të qeverisë federale gjermane pulat trajtohen me antibiotikë mesatarisht 2,3 herë, kurse derrat 5.3 herë.
Rrezik vdekjeprurës
Antibiotikët duhet të përdoren në mjekësi dhe në veterinari me masë dhe vetëm për të trajtuar sëmundje. Por përdorimi masiv i antibiotikëve në ushqimin e kafshëve ka pasoja me ndikim të gjerë. Në stalla zhvillohen mikrobe të reja që janë rezistente ndaj antibiotikëve. Antibiotikët, që përdoren edhe për kurimin e pacientëve njerëz, nuk kanë më efekt kundër mikrobeve.
Në rast se një mikrob rezistent bie në kontakt për shembull me një plagë të hapur ajo mund të infektohet dhe për shkak se mikrobi është rezisten ndaj antibiotikut një gjë e tillë mund të shkaktojë edhe vdekjen. Sidomos për personat e sëmurë apo shëndetdobët bakteret dhe mikrobet rezistente përbëjnë një kërcënim.
Sipas Marc Spencer, shefit të Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, çdo vit në vendet e BE-së vdesin nga infeksionet që nuk mund të luftohen me antibiotikë rreth 25.000 vetë.
Si mund të mbrohemi?
Konsumatori nuk mund ta kuptojë nëse mishi është i kontaminuar me baktere rezistente ndaj antibiotikëve. Prandaj Armin Valet nga Qendra për mbrojtjen e Konsumatorëve në Hamburg rekomandon që në kuzhinë të kujdesemi për higjenë të rreptë. Po ashtu mishi duhet të ngrohet për të paktën dhjetë minuta në temperaturë rreth 70 gradë për të vrarë kështu mikrobet. Po ashtu ai këshillon që mishi dhe sallata ose perimet të mos i presim më të njëjtën thikë dhe mbi të njëjtën sipërfaqe. Vetëm kështu mund të shmanget transmetimi i mikrobeve.