1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rivlerësimi i përvojave e thellon ribashkimin e Gjermanisë

9 Nëntor 2019

Rënia e Murit të Berlinit 30 vjet më parë mundësoi ribashkimin e Gjermanisë. Mesazhi kryesor i politikës sot është që gjermanët të përpiqen më fort për ta kuptuar njëri-tjetrin, shkruan Auron Dodi.

https://p.dw.com/p/3SiRB
Deutschland Berlin l 30. Jahrestag Mauerfall - Aufbau "Visions in Motion"
Fotografi: picture-alliance/dpa/P. Zinken

Karakteristikë e përkujtimit këtë përvjetor të rënies së Murit ka qenë debati publik: në forume të posaçme dhe në medie, në gazeta dhe në televizion analizohet si ka ecur vërtet procesi i ribashkimit të Gjermanisë; cilat janë ndarjet sot midis Gjermanive.

Shkrimtarë nga Lindja kanë përcjellë në publik për herë të parë me ashpërsi të madhe kritika për raportet midis dy ish-Gjermanive. Ata janë përpjekur të shpjegojnë pse gjermanolindorët ndihen si "qytetarë të klasit të dytë" në Gjermaninë e përbashkët. Procesi që ndodhi nuk qe bashkim, por "anëtarësim, që mund ta quash edhe aneksim" (i RDGJ nga RFGJ), i tha së fundi të shtunën shkrimtari i njohur Christoph Hein gazetës "Neues Deutschland".

Por tani edhe gjermanoperëndimorët duket se janë më të prirur të dëgjojnë se çfarë nuk ka ecur si duhet me Lindjen, pasi gjermanolindorët e forcuan dukshëm me votën e tyre partinë populiste AfD në zgjedhjet e fundit në Brandenburg, Saksoni dhe Tyringen.

Kjo në një kohë kur stereotipet në opinion vazhdojnë. Deri pak vjet më parë dëgjoje gjermanoperëndimorë që thoshin se "më natyrshëm kuptohem me fqinjët francezë se me gjermanolindorët". Për mjaft perëndimorë lindorët janë "qaramanë" e madje mosmirënjohës. Ose ekstremistë të djathtë, që mbështesin neonazistët. Kurse për lindorët, perëndimorët sillen si kolonizatorë arrogantë.

Berlin, 11.11.1989
Berlin, 11.11.1989Fotografi: Getty Images/AFP/G. Malie

Këto janë sigurisht teprime të skajshme. Por për Lindjen ato shpjegojnë faktin se pse në vitin 2019 procesin e bashkimit të Gjermanisë nuk e shikon si sukses treçereku i gjermanolindorëve. Në Perëndim për këtë njerëzit janë të ndarë në 50 me 50 përqind. Kthimin e RDGJ-së nuk e duan as në Lindje. Megjithatë gjermanolindorët duan që historinë e tyre ta interpretojnë vetë, të mos ua interpretojnë perëndimorët. Historia është ajo që kujtojnë dhe si e kujtojnë ata (edhe po të mos ketë qenë ashtu objektivisht). Me një tendencë glorifikuese e thjeshtëzuese ata kujtojnë se jo çdo gjë ka qenë e keq në atë shtet: papunësi nuk kishte, të thonë, dhe në ndonjë luftë RDGJ nuk u përfshi.

Në Lindje janë shumë të deziluzionuar me kohën e sotme. Dhe fajtorin për hallet gjermanolindorët e gjejnë shpejt: Gjermania Perëndimore. Në këtë kontekst duhen kuptuar edhe fjalët e kancelares Angela Merkel të pak javëve më parë, për 29 vjetorin e ribashkimit gjerman: hedhja e fajit për çdo gjë shtetit çon në mjerim, tha ajo. Qytetarët duhet të mbajnë përgjegjësi vetjake për vendimet e tyre

Politika qendrore përpiqet të hedhë një urë midis dy botëve. Mesazhi kryesor i politikanëve gjermanë në këtë 30 vjetor të rënies së Murit është që gjermanët e Perëndimit dhe të Lindjes të përpiqen më fort ta kuptojnë njëri-tjetrin. Kancelarja Merkel kërkoi që të gjithë të kuptojnë më mirë, pse ribashkimi i Gjermanisë nuk ishte vetëm përvojë pozitive për shumë njerëz në Lindje të Gjermanisë.

Konsensusi që ribashkimi ishte fat i madh për Gjermaninë mbetet pa dyshim i gjerë. Por përvojat në Lindje e Perëndim janë krejt të ndryshme: me ribashkimin, në jetën e njerëzve në Gjermaninë Lindore ndryshoi thuajse gjithçka, në Gjermaninë Perëndimore nuk ndryshoi thuajse asgjë. Kjo krijoi te lindorët ndjenjën e padrejtësisë, e cila vazhdon deri sot.

Kështu, pas rivlerësimit të përvojave dramatike të së kaluarës naziste dhe asaj komuniste në Lindje, Gjermania e vë veten para rivlerësimit të përvojave të ribashkimit.

Mike Pompeo zbulon statujën e Ronald Reaganit, Berlin, 08.11.2019
Mike Pompeo zbulon statujën e Ronald Reaganit, Berlin, 08.11.2019Fotografi: picture-alliance/dpa/G. Fischer

Roli i ri i Gjermanisë dhe aleancat tradicionale

Në këtë 30 vjetor të rënies së Murit, Berlini është sërish në vëmendjen botërore. Vizita të enjten (07.11.) në Berlin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg u pasua (08.11-09.11) nga vizita e ministrit të Jashtëm të SHBA, Mike Pompeo. Pompeo, që ka qenë në vitet 1980 ushtar në Berlinin Perëndimor paralajmëroi për rrezikun e ri që paraqet Rusia, e cila "marshon në vendet fqinje dhe vret kundërshtarët politikë". Kurse Pekini për Pompeon po zbaton "një vizion të ri të autoritarizmit."

Pompeo kërkoi në Berlin që të mbrohet liria dhe e ardhmja. "Po të qëndrojmë në unitet, ne jemi së bashku si aleatë, si miq". Tërheqjen e forcave të armatosura të SHBA nga Evropa, pas premisës se do të ndërtohen shoqëri të lira në botë, Pompeo e quajti të gabuar.

Checkpoint Charlie 28.10.1961
Checkpoint Charlie 27.10.1961Fotografi: picture alliance/ldpa

Rusia është rikthyer si faktor në politikën botërore që pas luftës në Siri. Dhe fjalët e Pompeos bartin jehonën e Luftës së Ftohtë, kur Berlini ishte vija e frontit mes Lindjes dhe Perëndimit. Por sot Berlini dhe Gjermania përfaqësojnë qendrën e vërtetë të BE, veçanërisht pas zgjerimit gjeografik në Lindje të BE. Fjalët e emisarit nga Uashingtoni në këtë përvjetor nuk ndihen me peshën e mëparshme, veçanërisht që kur Presidenti Trump u ka lënë të kuptojnë gjermanëve se SHBA nuk do të kujdesen si më parë për ta

Brezi i ri pyet prindërit si janë ndierë pas ribashkimit

Në të dyja pjesët e Gjermanisë një pjesë e gjermanëve ndiejnë se kanë identitete të ndryshme. Në vitin 2019, 47 përqind e gjermanolindorëve thanë se ndihen më parë gjermanolindorë, pastaj gjermanë. Jo vetëm nga ana kulturore dhe rajonale, por edhe në identitetin politik. Kjo shifër sugjeron se specifikat e Lindjes janë ruajtur dhe theksuar për gjermanolindorët.

Veç kësaj, brezi më i ri në Gjermaninë Lindore ka filluar të pyesë prindërit si janë ndierë ata në vitet e para të ribashkimit. Këtë proces sqarimi mes brezave që po bëhet aktualisht në Lindje, kancelarja Merkel e ka krahasuar së fundi me vitin 1968 në Gjermani, kur të rinjtë i pyesnin prindërit, çfarë keni bërë në kohën e nazizmit. Përgjigjet e prindërve sot nxjerrin në pah sa të vështirë e kanë pasur ata të integrohen në një shtet me struktura thuajse krejt të huaja për ta, si RFGJ.  

AfD-ja e dëmton Lindjen

Pakënaqësitë e lindorëve që nuk janë marrë sa duhet seriozisht më parë nga gjermanoperëndimorët, kanë forcuar në Lindje partinë populiste Alternativa për Gjermaninë. Jo të gjithë ata që zgjodhën AfD-në në Saksoni, Brandenburg dhe Tyringen janë ekstremistë. Por janë të pakënaqur.

Ngjitja e AfD-së atje nisi me krizën e refugjatëve në Gjermani në vitet 2015-2016. Lindorët kanë pasur edhe më parë një qëndrim bazë më të theksuar kundër të huajve se perëndimorët. Me ardhjen e refugjatëve atij iu shtua edhe një frikë e turbullt nga të ardhurit. Si rezultat, sot ka firma në Gjermaninë Lindore që thonë se e kanë sot të vështirë të gjejnë punonjës, pasi te ato nuk shkojnë të huajt.

Checkpoint Charlie, 09.11.1989
Checkpoint Charlie, 09.11.1989Fotografi: AP

Më shumë vijnë se ikin në Gjermaninë Lindore

Instituti Federal Gjerman i Demografisë publikoi se për herë të parë që prej ribashkimit të Gjermanive, numri i të ardhurve në Lindje është më i madh se i të ikurve. Në vitin 2017, në katër ish-landet lindore të Gjermanisë erdhën 4000 vetë më shumë se u larguan. Bashkë me Berlinin shifra arrin në 14.000 vetë. Rikthehen në Gjermaninë Lindore ata që qenë larguar prej andej për në perëndim 10-15 vitet e fundit.  Qenë larguar për trajnime ose për profesione që më parë nuk ofroheshin në Lindje.

„Kam dëshirë që kur dal në rrugë të më përshëndesin tre njerëz", tregonte një informaticien që tani është kthyer nga Perëndimi në Lindje. Të kthyerit çmojnë në Lindje jo vetëm afërsinë me shokët e familjen, por edhe qiratë më të ulëta, numrin e madh të kopshteve për fëmijë dhe cilësinë e jetës. Në qytete si p.sh. Dresdeni, Lajpcigu apo Jena janë ngritur struktura të posaçme, që ua lehtësojnë riintegrimin të rikthyerve. Ky kthim i madh i të larguarve është një fakt që flet: ai flet për shpresë në Gjermaninë Lindore.