Riccardo Sahiti dhe Orkestra Filarmonike e romëve dhe sintit
28 Shtator 2011Riccardo Sahiti, ka lindur më 1961 në Mitrovicë të Kosovës në një familje rome. Sot, ai ka realizuar ëndërren e jetës së tij. Ai ka krijuar në Frankfurt mbi Main një orkestër, Orkestrën Filarmonike të romëve dhe sintit.
Në kuadër të Festës së Bethovenit që zhvillohet në qytetin e Bonit, Orkestra e filarmonisë së romëve dhe sintit, dha një koncert.
Kolegu i Deutsche Welles, zhvilloi një bisedë me Riccardo Sahitin dhe e pyeti fillimisht, cila është e veçanta e muzikës së tij, që pëlqehet kaq shumë?
Riccardo Sahitti: Unë mendoj spontaniteti si dhe programi. Ne luajtëm pjesë të kompozitorëve si Franc List me Rapsodi hungareze, ose "Dances of Galanta" e Kodaly-t. Muzika që ne luajtëm është muzikë valleje, dhe publiku ishte prezent dhe shumë i tërhequr nga muzika me karakter dhe tempo të ndryshme, interpretime etj. Publiku na kërkonte të vazhdonim të luanim.
Deutsche Welle: Në shumë pjesë dje kishim të bënim me kërkimin e rrënjëve, të origjinës. Tek Franc List për shembull kemi të bëjmë me zbulimin e burimit të muzikës hungareze, ose si të thuash rigjetjen. A është edhe tek ju kështu? A ka të bëjë orkestra juaj me kërkimin e rrënjëve? Apo shihni një lloj ngjashmërie me Franc Listin?
Riccardo Sahitti: Natyrisht, në orkestrën tonë ne kemi shumë romë nga Hungaria. Kur bënim provat me ta, ata dëgjonin dhe thoshin, po po, kështu është mirë. Ne romët e Hungarisë e dimë si duhet të luhet Franc List. Dhe tani ka ardhur momenti që ne të interpretojmë edhe këtë muzikë. Dhe sigurisht që me këta filarmonistë romë dhe sinti, ne shkojmë në të kaluarën, por edhe në të ardhmen. Ne luajmë pjesë të vjetra, por luajmë edhe pjesë të kompozitorëve të sotëm, të cilët angazhohen si kompozitorët në shek. e 18 dhe 19 dhe 20-të dhe shkruajnë pjesë muzikore. Sepse shumë njerëz kanë muzikë në kokë, por jo të gjithë janë kompozitorë. Ai që kompozon duhet të jetë në gjendje të shkruajë në mënyrë të qartë. Disa kompozitorë, duhet të shkojnë si në të kaluarën tek populli dhe të mbledhin muzikë dhe motive. Dhe në këtë mënyrë të shkruhet muzikë e re, vepër e re. Që e gjithë trashëgimia muzikore e romëve e mbedhur në shekuj, të përpunohet sërish. Ne na duhet një si Bela Bartok, ose Franc List.
Deutsche Welle: Orkestra është krijuar prej jush. Unë do të doja të dëgjoja prej jush, cili është synimi i orkestrës dhe çfarë vlerësoni ju tek kjo orkestër.
Riccardo Sahitti: Ne e kemi krijuar orkestrën dhjetë vjet më parë. Orkestra ishte fillimisht orkestër harqesh. Shumë prej muzikantëve tanë romë luajnë në orkestra të mëdha në Operën e Budapestit, Operën e Franfkurtit, Eisenach, Vjenë. Romët nuk kishin deri tani asnjë orkestër profesioniste. Kështu që ne thamë, do të ishte mirë, që edhe ne romët të kemi në shekullin e 21-të një orkestër profesioniste. Romët jetojnë në shumë vende. Dhe kur mbledhin kështu përvojën e brezave, ata luajnë në vende të ndryshme, me interpretime të ndryshme, edhe kur mblidhen të gjithë bashkë në Frankfurt dhe përgatisin një pjesë muzikore, kjo është një histori 400 vjeçare. Dhe ne fillojmë të luajmë. Pastaj secili thotë, do të ishte mirë të luanim kështu, ose ashtu. Dhe unë si dirigjent i dëgjoj të gjithë dhe në fund duhet të them mendimin tim.
Unë kam mësuar shumë nga muzikantët, ata kanë shumë durim. Kështu interpretojmë ne pjesët. Orkestra filarmonike e romëve është edhe për popullin, për popullin rom dhe shumë e rëndësishme për kulturën muzikore dhe të gjithë trashëgiminë muzikore në përgjithësi. Me këtë kulturë krijohen vepra të reja. Prandaj unë mendoj se kompozitorët duhet të punojnë me këtë orkestër, sepse ajo do të çojë më tej traditën, qoftë kjo romantike apo tjetër, dhe pas 100 vjetëve ne do të themi kemi një simfoni të re apo një koncert të ri për violinë dhe orkestër, ose diçka tjetër që është e re, sepse harpistë romë morën pjesë në të.
Intervistën e zhvilloi Rick Fulker
Redaktoi: Aida Cama