Bilanz BW RP
28 Mars 2011Kjo nuk ka ndodhur kurrë, tregon një drejtues lokal i zgjedhjeve disa ditë para zhvillimit të votimit. Shumë votues që e kishin dhënë tashmë votën e tyre me postë, shkuan tek ai për t`i thënë se donin të votonin ndryshe. Sigurisht që kjo nuk mund të ndodhte. Por historia tregon se si një temë ndikon në minutën e fundit në rezultatin e zgjedhjeve, tema e energjisë atomike në Gjermani, e nxehur pas aksidentit të reaktorit në Japoni.
Rezultati i dobët edhe sinjal shprese
Për kancelaren gjermane Angela Merkel, rezultati kaq i keq për koalicionin që ajo drejton është edhe shpresëdhënës. Nëse arrihet kalimi nga enegjia atomike në energjinë e rinovueshme, atëherë mund të kapërcehen turbullirat e shkaktuara nga zgjedhjet për parlamentet e këtyre landeve. Që në fundjavë, politikanë të partive që qeverisin në Berlin u përpoqën t`ia kalonin topin partive opozitare, asaj socialdemokrate dhe Të Gjelbër. Ato duhet të krijojnë në landet që drejtojnë parakushtet e nevojshme për përdorim më të madh të energjisë së rinovueshme. Pra të ndërtojnë diga, rrugë të reja energjitike dhe gjëra të tjera të ngjashme.
Detaje të tilla tregojnë rëndësinë e madhe të këtyre zgjedhjeve. Ato ishin, siç e tha edhe kryetari i Partisë Socialdemokrate, referendum për energjinë atomike. Nëse dikush nga partitë në pushtet ka patur ndonjë shpresë se lajmi për kontrollin e centraleve atomike mund të ndikonte në këto zgjedhje dhe gjithçka do të mbetet siç ka qenë, duhet t`i harrojë këto shpresa.
Edhe liberalët ndodhen para vështirësive
Ky ndryshim në politikën energjetike nuk do të pranohet kaq lehtë nga partitë qeveritare. Angela Merkel duhet të përballohet me diskutime të ashpra brenda partisë. Megjithëse deri tani ajo ia ka dalë që t`i bëjë për vete kristiandemokratët edhe në ndryshime vendimtare kursi, si për shembull heqjen e detyrimit ushtarak. Sepse dikush, që kërkon të përfaqësojë një pozicion që të merret seriozisht, duke iu kundërvënë kryetares së partisë, nuk duket në horizont të CDU-së.
Ngjashëm paraqitet situata edhe tek liberalët, gjë që mund t'i shpëtojë fillimisht kokën kryetarit Guido Westerwelle. Pasardhësi i vetëm potencial, sekretari i përgjithshëm i partisë, Lindner ose ministri i Shëndetësisë Rösler, vlerësohen si pa përvojë që të marrin kryesimin e partisë tani në mes të krizës. Tjetri, ministri i Ekonomisë Rainer Brüderle, njeri me përvojë të gjatë duhet të kujdeset aktualisht për të shpëtuar kokën e tij. Sepse Partia e liberalëve demokratë në landin Rajnland Pfalc, e drejtuar prej tij ka mbetur pas zgjedhjeve për parlamentin e landit jashtë parlamenti, dhe për këtë ka kontributin e saj edhe një shprehje që ia atribuojnë atij, dhe e përgënjeshtruar vetëm përgjysmë më pas, sipas të cilës vendimi i fundit i qeverisë për energjinë atomike është marrë për hir të fushatës elektorale.
Pra qeveria Merkel- Westerwelle do të vazhdojë hë për hë si deri tani. Megjithëse në kushte më të vështira.
Autor: Peter Stützle
Redaktoi: Auron Dodi