Srebrenica – Udhërrëfyese për një politikë të re botërore
23 Maj 2024Ditët përkujtimore nuk i kthejnë më në jetë të vrarët. Ditë të tilla as nuk e zhbëjnë padrejtësinë. E po ashtu ato as nuk mund të mbushin boshllëkun, që kanë lënë pas njerëzit e vrarë. Ditët përkujtimore janë vepra simbolike, që të paktën një herë në vit opinioni publik të ndërgjegjësohet për atë se çfarë ka ndodhur dhe të reflektohet për të. E tani me miratimin e rezolutës së OKB-së më në fund do të ketë edhe një datë, në të cilën do të përkujtohet tmerri i Srebrenicës, masakra e kryer gati 30 vjet më parë.
Në korrik 1995 ushtarët serbë tëBosnjes vranë në Srebrenicë mbi 8000 djem e burra myslimanë, me qëllim që të eliminnonin këtë grup etnik. Ushtarët holandez të helmetave të kaltra nuk e ndaluan këtë masakër, pjesërisht edhe të frikësuar për sigurinë e tyre.
Ditë përkujtimorë për gjenocidin
Këtej e tutje dita përkujtimore nuk do të sensibilizojë vetëm për tmerrin e Srebrenicës, por ajo është një ditë eksplicite, në të cilën emërtohet dhe përkujtohet si gjenocid ajo që ka ndodhur atëherë. Me vendimin për ta cilësuar gjenocid masakrën, OKB-ja ndjek vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale, e cila më 2007 e konstatoi juridikist si gjenocid atë çfarë kishte ndodhur në Srebrencië.
Konventa e OKB-së për gjenocidin e përkufizon atë si një veprim, që "ka për qëllim, të shkatërrojë pjesërisht ose tërësisht një grup kombëtar, etnik, race, apo feje". Vrasja e shumë njerëzve të pafajshëm është jo vetëm një veprim i qëllimshëm, por i nxitur edhe nga një motivim, që synon shuarjen e identitetit të një grupi popullsie.
Gjermania bashkë me Ruandën ishin bashkënismëtare të rezolutës së OKB-së për njohjen e gjenocidit në Srebrenicë. Të dy vendet me këtë nismë donin të theksonin edhe, se gjykimet e gjykatave janë të detyrueshme, edhe kur ato mund të jenë kundër pozicionit vetiak.
Debati për gjenocidin
Ky vendim për rezolutën e OKB-së vjen në kohë, kur në mbarë botën debatohet çështja, nëse mund të cilësohet ose jo si gjenocid bombardimi i Gazës dhe uria e popullsisë atje. Afrika e Jugut ka kërkuar për këtë një proces në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë, proces ky që mund të zgjasë me vite. Gjykata në një vlerësim paraprak të kësaj akuze e ka quajtur atë si të besueshme.
E njëjta gjykatë është duke shqyrtuar edhe padinë e Nikaraguas kundër Gjermanisë për mbështetje për gjenocidin ndaj palestinezëve. Njëkohësisht kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Karim Khan, kërkon urdhërarreste kundër kryeministrit të Izraelit Benjamin Netanjahu dhe ministrit të Mbrojtjes Yoav Gallant si dhe tre krerëve ushtarak e politik të Hamasit nën dyshime për krime lufte dhe krime çnjerëzore.
Standarde të dyfishta?
Izraeli dhe dy aletatët e tij SHBA dhe Gjermania janë të indinjaur. Presidentii SHBA-së, Joe Biden, konstatoi, se ajo që po ndodh në Gazë "nuk është gjenocid". Edhe qeveria e Gjermanisë kriitkoi, se me kërkesën për urdhërarreste ndaj të dyja palëve të konfliktit organizata terroriste Hamas vihet në një kategori me "udhëheqjen e zgjedhur në mënyrë demokratike" të Izraelit.
Në këtë klimë të ndezur ligjore dhe politike duhet vlerësuar rëndësia e votimit të OKB-së për Srebrenicën. Vendimi i OKB-së për të vendosur ditë përkujtimore për viktimat e gjenocidit të atëhershëm, do të influencojë debatin për gjenocid eventual në Gazë dhe në Ukrainë. Një debat, që vendos në një sprovë jo vetëm OKB-në. Edhe Gjermania akuzohet nga shumë vende, se po vepron me dy standarde.
Efekti në Ballkanin Perëndimor
Por edhe më shpejt e i menjëhershëm do të jetë efekti i rezolutës në Ballkanin Perëndimor, sepse Serbia dhe Republika Srpska do ta perceptojnë atë si një provokim. Në kulturën politike globale të polarizimit, natyrisht që Rusia do ta shfrytëzojë këtë debat, për të nxitur sërish potencialin e konfliktit në Ballkan. Me qëllimin strategjik, që plaga e Ballkanit të mos mbyllet.
Po ashtu në Asamblenë e OKB-së krahas Rusisë dheSerbisë janë pozicionuar edhe vende të tjera kundër kësaj dite përkujtimore, ndër to: Nikaragua dhe Venzuela e Hungaria. Rusia nuk ia ka dalë sidoqoftë këtu që të instrumentalizojë për qëllimet e saj vendet myslimane. Gjermania dhe Ruanda kanë luajtur një rol të rëndësishëm për këtë rezolutë. Eshtë një hap i rëndësishëm, që rezoluta për Srebrenicën mund të shërbejë si udhërrëfyese për një politikë të re botërore. OKB-ja ka dhënë një sinjal paralajmërues kundër çdo lloj forme të gjenocidit.