Rezoluta për armëpushim në Gaza nuk merr votën e SHBA
9 Dhjetor 2023Me orë të tëra pjesëmarrësit në takimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Nju Jork u përpoqën të arrinin një përmbajtje që të ishte e pranueshme për të gjithë. Por në fund rezoluta dështoi në dënimin e aktit terrorist të Hamasit më 7 tetor kundër Izraelit. Dështoi në këtë fjali të vetme, deklaroi zëvendësambasadori amerikan në OKB, Robert Wood që e ngriti dorën për të vendosur veton kundër rezolutës. "Jemi të zhgënjyer, që autorët e rezolutës nuk kanë shprehur ngushëllimin për viktimat e sulmit të neveritshëm, dhe nuk kanë dënuar vrasësit e tyre. Kjo është e pabesueshme." Wood kritikoi që nuk është përmendur në deklaratë dhuna e seksualizuar e militantëve të Hamasit. Hamasi kategorizohet nga SHBA, Gjermania, BE e disa vende arabe si organizatë terroriste. Në një kohë që Këshilli i Sigurimit në 20 vitet e fundit ka theksuar në mënyrë të përsëritur, se një dhunë e tillë në konflikte të tilla duhet të merret seriozisht, u shpreh Wood.
Po ashti i dërguari amerikan në Këshillin e Sigurimit u shpreh, se deklarata nuk njeh të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje. Një armëpushim i përkohshëm nuk mund të kthehet në këto kushte në një paqe të qëndrueshme. "Një ndalim i misionit ushtarak izraelit do t'i mundësojë Hamasit të vazhdojë sundimin e tij dhe të vendosë farën për luftën e ardhshme", theksoi Wood. Ndërkohë përpjekjet diplomatike vazhdojnë. Krei i Departamentit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken zhvilloi bisedime me homologë nga vendet arabe. SHBA kanë theksuar, se iniciativa të tilla mund të rrezikojnë përpjekjet diplomatike në vend.
Guterres kishte këmbëngulur për takimin e Këshillit të Sigurimit
Takimin e Këshillit të Sigurimit e kishte nxitur Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres përmes një mase të pazakontë. Guterres i ishte referuar nenit 99 të Kartës së OKB-së. Ky instrument i lejon atij të ndërhyjë në agjendën e Këshillit të Sigurimit. Guterres paralajmëroi nga një katastrofë humanitare në Rripin e Gazës dhe bëri thirrje që KS të kërkojë një armëpushim të menjëhershëm humanitar. Sistemi për ndihma humanitare në Rripin e Gazës ndodhet pak para kolapsit. Mes rreth 17.000 palestinezëve të vrarë, ndodhet edhe 130 punonjës të OKB-së, tha Guterres. Asnjëherë më parë në ndonjë konflikt nuk ka pasur kaq viktima. "Disa nga punonjësit tanë marrin fëmijët me vete në punë, që ta dinë, se ose mbijetojnë së bashku ose vdesin së bashku."
la/tgsch