1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania realizon ëndrrën e kampiones

Bahri Cani26 Dhjetor 2014

Gjermania këtë vit fitoi titullin e katërt të kampionit të botës në futboll. Në Brazil, kombëtarja gjermane dëshmoi se aktualisht është më e mira në botë. Ndër yjet e shumta, shkëlqeu edhe një shqiptar.

https://p.dw.com/p/1EAFS
Fußball WM 2014 Deutsche Mannschaft nach WM-Sieg
Fotografi: picture-alliance/dpa/A. Gebert

Gjermania këtë vit më në fund arriti atë që ka synuar më kot në 24 vitet e fundit: u bë për herë të katërt kampione e botës në futboll. Qindra flamuj në stadiumin Maracanã në Rio de Janeiro, të ngritur jo vetëm nga gjermanët, por edhe nga tifozët brazilianë, në shenjë nderimi për ekipin më të mirë. Lojtari i kombëtares gjermane André Schürrle përshkruan këtë, si një prej momenteve më prekëse në jetën e tij, si një moment kur trupi mbushet me mornica, dhe emocionet arrijnë pikën kulmore. Vetëm disa ditë më parë, kombëtarja gjermane në gjysmëfinale kishte deklasuar Brazilin (7:1). Mijëra tifozë brazilianë, me lot në sy për humbjen e kombëtares së tyre, u ngritën në këmbë dhe shpërblyen me duartrokitje kombëtaren gjermane, e cila edhe në këtë fitore tregoi shumë kujdes ndaj humbjes së Brazilit. Një shenjë se Gjermania vërtetë ishte më e mira në Botërorin - Brazili 2014.

Fussball WM 2014 - Finale: Deutschland - Argentinien Götze Schuh Tor
E majta e artë e GötzesFotografi: Imago

E gjitha filloi me një buzëqeshje

Finalja dhe fitorja e yllit të katërt ishte vetëm fundi i një rruge të gjatë, në të cilën kaloi kombëtarja gjermane. Pesë javë më parë, lojtarët e lodhur gjermanë për herë të parë shkelën fushën për stërvitje në vendin e vogël Santo André, me vetëm 800 banorë, ku u vendosën ata. Pas më shumë se 15 orë udhëtimi me avionë, trajneri Joachim Löw dërgoi lojtarët në stërvitje. Por edhe pse të lodhur, ata ishin të buzëqeshur dhe me një atmosferë të mrekullueshme. Ishin të relaksuar si rrallë herë më parë. Kampionati filloi me buzëqeshje - sikur edhe përfundoi.

Stacioni i parë në rrugën drejt finales ishte Portugalia, të cilën 11-shja gjermane e udhëhequr nga Thomas Müller e fitoi bindshëm. Cristiano Ronaldo gati që nuk shihej fare në fushë. Por pak ditë më vonë, Gjermania barazoi me vështirësi (2:2) kundër Ganës, kur u dëgjuan edhe kritikat e para serioze. Megjithatë me fitoren kundër SHBA, në ndeshjen e tretë në grupe, kombëtarja gjermane siguroi vendin e parë në grup. Në dallim prej saj, kampionja e deritanishme Spanja dështoi totalisht, pasi Holanda dhe Kili ishin më të mira. Kështu mori fund sundimi në futboll i Spanjës, prej vitit 2008. Në shtëpi u kthyen vetëm pas tri ndeshjeve edhe Anglia (pa asnjë fitore) si dhe Italia. Siç edhe pritej, rezultate shumë më të mira shënuan ekipet e Amerikës Latine, ndër tjerash edhe për shkak të klimës.

Fußball WM 2014 Empfang Nationalmannschaft in Berlin
Pritja madhështore me gati 1 milionë fansa në BerlinFotografi: picture-alliance/dpa

Brazili - pa eufori

Po Brazili? Seleção fitoi me shumë mund ndeshjen e parë kundër Kroacisë. Fitorja u festua në të gjitha anët, por eufori nuk kishte. Brazilianët sikur ta dinin se kampionati nuk do t'i realizojë ëndërrat e tyre. Në veçanti pas lëndimit të superyllit të tyre Neymar. Shumë lehtë ka mundur të ndodhë që edhe ëndrrat e gjermanëve për fitoren e titullit kampion bote të shuhen në të tetën e finales në Porto Alegre, në ndeshjen kundër Algjerisë. Vetëm duke i falënderuar portierit Manuel Neuer, i cili disa herë pati ndërhyrje të jashtëzakonshme jashtë zonës së rreptësisë, gjermanët megjithatë arritën të vazhdojnë garat. Në ndeshjen e çerekfinales, kundër Francës, mjaftoi një goditje me kokë e Mats Hummels dhe ndeshja u vendos - 1:0.

Shënimi i historisë

Një faqe të veçantë historie shkruan gjermanët në gjysmëfinalen kundër Brazilit. Me rezultat 7:1 u mund ekipi, i cili para fillimit të kampionatit konsiderohej favoriti kryesor. Ndërsa Argjentina e udhëhequr nga superylli Lionel Messi, fitoi me shumë mund në gjysmëfinale kundër Holandës, me penallti. Ajo që më pas ndodhi në Maracanã, ishte vazhdim i finales së vitit 1990, kur Gjermania poashtu fitoi me rezultat 1:0. Ndeshjen e vendosën dy lojtarë rezervistë - André Schürrle, i cili në minutën e 113 krosoi për mrekulli nga e majta, dhe Mario Götze, i cili me qetësinë e një lojtari të jashtëzakonshëm qetësoi topin në gjoks dhe me të majtën e mposhti portierin argjentinas. Sikur të ishte gjëja më e thjeshtë në botë, edhe pse i gjithë aksioni ishte i një niveli të lartë në futboll. Kjo ndeshje finale do të mbahet mend edhe për lojën e pamohueshme të Bastian Schwenisteiger, i cili edhe pse i përgjakur, luftoi me pamohim deri në sekondat e fundit, si dhe Christoph Kramer, i cili pas një lëndimi në kokë, vazhdoi lojën gati 15 minuta - por duke mos ditur fare se ku është.

Pas fishkëllimës së fundit të arbirtrit, gëzimi ishte i jashtëzakonshëm. Festim, lotë, emocione të papara. Gjermania shënoi atë që deri tani nuk ka arritur askush: të bëhen kampionja e parë në futboll në Amerikën Latine. Ndër lojtarët që shkëlqyen dhe me plot meritë festonin në fushë, ishte për herë të parë edhe një shqiptar: Shkodran Mustafi.