Republika e Moldavisë në shënjestër të Rusisë
29 Prill 2022Kohët në të cilat Republika e Moldavisë ndihej relativisht e sigurt për shkak të rezistencës heroike të Ukrainës kundër agresionit të Putinit, përfshirë këtu edhe fitoren ushtarake të mbytjes së anijes „Moskwa" të flotës ruse të Detit të Zi, kanë marrë fund. Gjendja në rajonin separatist të Transilvanisë nuk është nën ogur të mirë.
Ditën e hënë më 25 prill 2022, ditën e dytë të Pashkëve ortodokse, u sulmua me granata qendra e shërbimit sekret (KGB) në Tiraspol, kryeqytetin e rajonit të trazuar. Nuk ka pasur të lënduar, godina ishte bosh në momentin e sulmit. Ditën tjetër, më 26 prill pasuan sulme të tjera ushtarake në Transilvani: u shkatërruan dy antena komunikacioni në rajonin Grigoriopol dhe pati shpërthime në Parcani, një qytet 13 kilometra larg kufirit me Ukrainën dhe në një aerodrom në Tiraspol. Ngjarje të tjera të ngjashme mund të ndodhin ende.
Prania ruse në Transilvani
Një rast ekstrem, "Worst Case" do të ishte përshembull ndonjë aksion sabotazhi në depon ushtarake në Cobasna, që ndodhet nën kontrollin e trupave ruse të stacionuara ilegalisht. Atje janë magazinuar 20 000 tonë municione sovjetike, që u tërhoqën në fillim të viteve 1990-të nga ish-vendet komuniste të Europës qëndrore dhe lindore. Leje hyrjeje në këtë magazinë nuk kanë as autoritetet moldave të kryeqytetit Kisinau, as ekspertët e huaj. Për gjendjen e municioneve nuk ka informacione.
Kërkesat e përsëritura të Kishinaut drejtuar Moskës për t'i larguar armët nga Cosbana dhe për t'i dërguar në Rusi, kanë mbetur pa përgjigje po ashtu si kërkesa e largimit nga Transilvania të 2000 ushtarëve rus.
Lajme të fallsifikuara dhe përshkallëzime
Dëshmia e parë konkrete që tregon se Rusia e ka „në shënjestër" Republikën e Moldavisë që prej shpërthimit të luftës në Ukrainë, qe fjala e gjeneralit rus Rustam Minnekajew, zëvendëskomandant i sektorit qëndor ushtarak. Ai foli hapur për „fazën e dytë të operacionit special", i cili pritet të ndodhë për të marrë kontrollin në jugperëndim të Ukrainës, në Detin e Zi si dhe për krijimin e një korridori tokësos drejt Transilvanisë, ku "ka raste të shkeljes së të drejtave të rusëve etnike". Një gënjeshtër paturp. Rajoni kontrollohet plotësisht nga Moska, kush do i shkelte atje të drejtat e popullsisë ruse?
Nën presion dhe të terrorizuar nuk janë ata që flasin rusisht, por banorët rumanisht-folës dhe institucionet e tyre, mes të cilave shkollat, që varen nga ministria e Arsimit, në Kisinau. Fshatarët moldavë torturohen nga terrori i milicëve separatistë, që zgjat prej 30 vjetësh.
Kurse Wiktor Wodolatsky, zëvendëskryetari i parë i komisionit të Dumas për çështjet e ish republikave të pavarura, GUS, integrimin euroaziatik dhe marrëdhëniet me patriotët, e tha edhe më troç qëllimin: „Nazizmit" të pushtetmbajtësve në Kisinau, që përkrahet nga „mbrojtësit rumunë" i „duhet dhënë fund" njësoj si skenarit të ngjashëm në Ukrainë.
Simbole të urrejtjes dhe luftës
Javën e kaluar zëdhënësja e Ministrisë të Jashtme të Rusisë, Maria Sacharova, dhe deputeti rus Alexej Puschkow kritikuan presidenten moldave, Maia Sandu sepse pati guximin të ndalonte simbolet ruse të urrejtjes dhe luftës: të ashtuquajturën band të Sankt Georgut, si dhe inicialet „Z" dhe „V". Ky ligj u aprovua nga shumica parlamentae pro-europiane e Republikës së Moldavisë.
Opozita pro-ruse, Blloku i komunistëve dhe socialistëve, kryesuar nga ish presidentët e shtetit, Wladimir Woronin und Igor Dodon, si dhe partia e Ilan Shorit, të arratisurit, („arkitekt i mashtrimit bankar të 2014, ku u zhdukën një miliardë euro) –protestuan kundër dhe kërcënuan se do të shfaqen në paradën e 9 majit, „Ditën e fitores", me sinjalet e Putinit në gjoks, megjithë gjobën e vogël që mund të marrin prej 500 eurosh. Në Republikën e Moldavisë, hajdutët, banditët, kriminelët, me ose pa „kollare", kanë qenë gjithnjë agjentë të ndikimit rus në hapësirën ish sovjetike.
Skenare si në lindje të Ukrainës
Zyra për politikën e reintegrimit, një struktur e qeverisë moldave për Transilvaninë, deklaroi se sulmi me granata ditën e hënë mbi ndërtesën e KGB në Tiraspul, është vetëm pretekst për të përforcuar sigurinë në rajon. Mbas toneve luftarakë të politikanit rus për krijimin e një „korridori" tokësor për Transilvani, ministria e Jashtme moldave thirri ambasadorin rus në Kisinau, Oleg Wasnetsow. Pak më vonë, zëvendësministri i Jashtëm rus, Andrej Rudenko dha një mesazh qetësues: „Rusia nuk sheh ndonjë rrezik për qytetarët e Transilvanisë dhe vazhdon të jetë për zgjidhjen paqësore të çështjes së Transilvanisë, duke respektuar sovranitetin dhe integritetin e Republikës së Moldavisë."
Ne jemi kthyer në dëshmitarë të një loje si macja me miun, një lloj testimi të aftësisë së reagimit të autoriteteve të Kisinaut në rastin e ndonjë veprimi të mundshëm rus në rajon.
Sipas kushtetutës, Republika e Moldavisë është neutrale dhe duke pasur parasysh konfliktin aktual, i ka kërkuar të gjitha shteteve, mes të cilave edhe Federatës Ruse që të respektojë këtë status. Por Rusia nuk le të pengohet për shkak të neutralitetit të Moldavisë dhe mund të njohë në çdo kohë pavarësinë e rajonit separatist në bregun lindor të Dnjestrës. Ajo çka do të pasonte do të ishte një sulm ushtarak, për „të mbrojtur qytetarët e vet"- një skenar i ngjashëm si ai i republikave të vetëshpallura, të Luhanskit dhe Donjeckut në lindje të Ukrainës, si më 24 shkurt 2022, ose si më gusht 2008 në Gjeorgji, mbas njohjes nga Moska të pavarësisë së Osetisë Jugore. Vetëm një ndërhyrje masive diplomatike e shteteve perëndimore arriti t'i mbante tanket rusë në atë kohë vetëm pak kilometra larg kryeqytetit gjeorgjian, Tiflis.
Neutraliteti nuk e pengoi qeverinë pro-europiane të Kishinaut që të dënonte ashpër Rusinë për agresionin kundër Ukrainës dhe të përkrahte sa të mundte Kievin. Tani duhen gjetur me shpejtësi zgjidhjet në mënyrë që Republika e Moldavisë të mos futet në vorbullën e luftës.
Vitalie Ciobanu është një nga shkrimtarët dhe publicistët më të njohur të Republikës së Moldavisë. Ai është president i Klubit-PEN në Moldavi.