1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermani: Nën 30 vjeçarët duhet të marrin vetëm BioNTech

10 Nëntor 2021

Sipas Komisioni të Përhershëm të Vaksinimit të Gjermanisë, STIKO, personat nën 30 vjeç në të ardhmen duhet të vaksinohen kundër koronas vetëm me vaksinën BioNTech/Pfizer.

https://p.dw.com/p/42qEA
Fotografi: Bernd von Jutrczenka/dpa/picture alliance

Sfondi i rekomandimit janë rastet e miokarditit dhe perikarditit në këtë grupmoshë. Komisioni i Përhershëm i Vaksinimit (STIKO) tani rekomandon vetëm vaksinën BioNTech/Pfizer kundër virusit korona për personat nën 30 vjeç. Analizat aktuale treguan se miokarditi dhe perikarditi janë vërejtur më shpesh tek djemtë dhe të rinjtë dhe tek vajzat dhe gratë e reja pas vaksinimit me vaksinën Moderna (Spikevax), sesa pas vaksinimit me vaksinën BioNTech, tha komisioni.

Prandaj, rekomandimi lidhur me vaksinën Covid 19 do të aktualizohet. Projektvendimi u ka shkuar për miratim ekspertëve të shëndetit dhe landeve federale, bëhet e ditur. Prandaj ende janë të mundura ndryshime.

Rrjedha e miokarditit (inflamacion i muskulit të zemrës) dhe perikarditit (inflamacion i qeses së zemrës) është "kryesisht e butë" sipas raporteve të sigurisë të disponueshme deri tani, thuhet më tej. Për njerëzit 30 vjeç e lart, nuk ekziston rreziku i shtuar i miokarditit ose perikarditit.

Vetëm BioNTech edhe për gratë shtatzëna

Deutschland Stuttgart Corona-Impfung
Fotografi: AFP

Rekomandimi i ri thotë gjithashtu se grave shtatzëna duhet t'u injektohet vetëm BioNTech, pavarësisht nga mosha. Përveç imunizimit bazë, rekomandimi vlen edhe për vaksinat përforcuese - d.m.th., personat nën 30 vjeç që janë vaksinuar me Moderna duhet të marrin tani edhe vaksinimin e dytë ose ndoshta tashmë të tretë me BioNTech.

STIKO vuri në dukje se që nga prezantimi i dy vaksinave, dihet se në raste të rralla pas vaksinimit ndodh inflamacioni i muskujve të zemrës dhe/ose perikardiale ndodh tek të rinjtë. Sfondi i rekomandimit tani janë të dhëna të reja sigurie nga Instituti Paul Ehrlich (PEI) dhe të dhëna të tjera ndërkombëtare. PEI është përgjegjëse për monitorimin dhe vlerësimin e efekteve anësore dhe komlikacioneve të vaksinës.

Ndryshime edhe në vende të tjera

Vende të tjera i kanë kufizuar tashmë vaksinimet e Moderna. Në tetor, për shembull, Suedia fillimisht ndaloi vaksinimet me Moderna tek njerëzit nën 30 vjeç deri në dhjetor, duke u mbështetur te BioNTech/Pfizer. Franca po rekomandon gjithashtu vetëm BioNTech për të gjithë njerëzit nën 30 vjeç. Autoriteti shëndetësor Haute Autorité de Santé (HAS) kishte deklaruar të martën se në këtë grupmoshë rreziku i inflamacionit të muskujve të zemrës pas një vaksinimi BioNTech duket të jetë rreth pesë herë më i ulët se me një vaksinim me vaksinën Moderna.

Mbretëria e Bashkuar po shkon edhe më tej, duke ofruar fillimisht vetëm një dozë të BioNTech-ut për të gjithë adoleshentët e moshës 12 deri në 15 vjeç, me një dozë të dytë që do t'i ofrohet kësaj grupmoshe vetëm në pranverë, kur të ketë më shumë të dhëna.

aud (tgsch, dpa)