Regjistër qendror armësh për më shumë siguri
18 Dhjetor 2012Rreth gjashtë milionë armë ka sipas vlerësimeve të Ministrisë së Brendshme sot legalisht në qarkullim në Gjermani. Por duke filluar nga 1 janari 2013 autoritetet do t'i kenë statistikat më të sakta, sepse këtë ditë do të jetë gati Regjistri Kombëtar i Armëve me qendër në Këln.
Në këtë bankë të re dhënash do të mblidhen informacionet e rreth 600 zyrave që japin lejet për armë. Gjermania plotëson kështu para afatit një kërkesë të BE-së, sipas së cilës të gjitha shtetet anëtare marrin përsipër që deri në 2014, të ngrenë një regjistër kompjuterik për armët, që do të përditësohet vazhdimisht.
Reagim ndaj rasteve të amokut në shkolla
Vendimi për krijimin e regjistrit u mor nga parlamenti gjerman më 26 prill 2012: një datë simbolike kjo në përvjetorin e dhjetë të një rasti amoku në një gjimnaz në Erfurt. Mëngjesin e 26 prillit 2002, një nxënës 19-vjeçar vrau në gjimnazin Gutenberg në Erfurt dymbëdhjetë mësues, një sekretare, dy nxënës, një polic dhe pastaj edhe veten. Pas këtij rasti në Gjermani filloi të diskutohet me seriozitet për një ligj më të rreptë për armët. Por procesi për përpilimin e një ligji nisi pas një rasti tjetër amoku në vitin 2009, kur një nxënës 17-vjeçar vrau 16 vetë në Winnenden.
Analizë më e mirë e rreziqeve
Regjistri do t'u lehtësojë autoriteteve gjermane kontrollin e armëve të zjarrit që gjenden në duar private. Por ministri i Brendshëm Hans-Peter Friedrich pranon se ky regjistër nuk mund t'i parandalojë në vetvete rastet e amokut. Sidoqoftë që nga ngjarjet tragjike në Erfurt dhe Winnenden rregullat për mbajtjen e armëve në Gjermani janë ashpërsuar. P.sh. mosha e personave që merren me qitje sportive dhe lejohen të mbajnë armë, është ngritur nga 18 në 21 vjeç, për gjahtarët kufiri i moshës është rritur nga 16 në 18 vjeç. Po ashtu personat që merren me qitje sportive duhet t'i nënshtrohen deri në moshën 25 vjeç kontrollit të psikologut. Edhe rregullat për ruajtjen e armëve janë ashpërsuar. Kështu punonjësit e organeve shtetërore mund të zhvillojnë kontrolle të paparalajmëruara tek pronarët e armëve, për të verifikuar nëse ata i ruajnë pushkët dhe pistoletat sipas rregullave.